Kërko

La conferenza sui lavori del Sinodo della Chiesa greco-cattolico ucraina con l'arcivescovo maggiore Shevchuk, 14 settembre 2023 La conferenza sui lavori del Sinodo della Chiesa greco-cattolico ucraina con l'arcivescovo maggiore Shevchuk, 14 settembre 2023

Ukrainë: Imzot Shevchuk, misioni i kardinalit Zuppi në Pekin “shumë i rëndësishëm"

Imzot Shevchuk, në një konferencë shtypi mbajtur në Kolegjin Shën Josafatit në Romë, njoftoi për ecurinë e Sinodit të Kishës Greko– Katolike të Ukrainës, që u zhvillua në Romë nga 3 deri më 13 shtator. Gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit e Sinodit ukrainas takuan Papën, Kard. Parolin dhe përfaqësues të Dikastereve të Kuries Romake. “Ati i Shenjtë na tha se është me ne. Ne duhet ta përcjellim mirë mesazhin e tij”. Për udhëtimin e kard Zuppi: "Kina është një lojtar i rëndësishëm gjeopolitik"

R.SH. – Vatikani

Mundësi dialogu për t'i paraqitur Papës "plagët e përgjakura" të popullit ukrainas, duke filluar me hemorragjinë e gati 5 milionë njerëzve, që ikin në vende të tjera. Mundësi për të dëgjuar zërin e ipeshkvijve të bashkësive ukrainase jashtë vendit, ose të barinjve shpirtërorë në territoret e sulmuara si Karkhiv, Odessa, Donetsk, tani të shpërngulur në Zaporizhzhia. Mundësi edhe për të diskutuar me Papën Françesku disa dyshime e për të sqaruar keqkuptimet.

Kryeipeshkvi i madh i Kyiv-Halyč, imzot Sviatoslav Shevchuk foli për një "Sinod të shpresës", duke paraqitur para gazetarëve, në Kolegjin ukrainas të Shën Jozafatit në Romë, punën e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, që filloi më 3 shtator e përfundoi të mërkurën më 13 shtator.

Dhjetë ditë, në të cilat rreth 45 anëtarë patën një audiencë private me Papën Françesku dhe dëgjuan relacionet e kardinalit Pietro Parolin, Sekretarit të Shtetit të Vatikanit dhe të kardinalit Matteo Zuppi, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë për misionin, që synon " lehtësimin e tensioneve ” në Ukrainë. “Misioni i kardinalit Matteo Zuppi në Pekin është shumë i rëndësishëm, sepse Kina është protagoniste e madhe gjeopolitike, e cila ka deklaruar gjithmonë gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në favor të paqes”. Kështu u tha gazetarëve Fortlumturia e tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, duke komentuar misionin e paqes, ndërmarrë aktualisht nga kardinali Matteo Zuppi në Kinë, si i dërguar i Papës, pas etapave të Kievit, Moskës dhe Uashingtonit.

“Pritja e një të dërguari të nivelit të lartë të Papës është gjest domethënës, duke pasur parasysh lidhjet e mira të Pekinit me Selinë e Shenjtë. Është shenjë e qartë se Papa nuk rri duarkryq para luftës, por po bën gjithçka është e mundur për paqen", vuri në dukje kryeipeshkvi i madh i Kyiv-Halyč. Selia e Shenjtë dhe Papa nuk janë indiferentë ndaj konfliktit në vendin tonë, por po shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t'i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë vëllavrasëse.

Më pas, Fortlumturia e tij Shevchuk shprehu mirënjohjen për diplomacinë e Vatikanit e, duke iu referuar veçanërisht kësaj vizite të fundit në Pekin, shtoi: “Misioni i Kardinalit Zuppi hap rrugë të tjera. Vizita e tij në Ukrainë – kujtoi imzot Shevchuk – ishte vërtet e rëndësishme. Gjithçka vumë në duart e tij, e çoi në Moskë: çështjen e fëmijëve, por edhe listën e shumë civilëve ukrainas të rrëmbyer, të torturuar, të zhdukurit që ka shkaktuar agresioni rus. Misioni në Moskë, biseda me presidentin amerikan Biden dhe tani Pekini: “të gjitha janë shenja shprese. Ne e shoqërojmë misionin e kardinalit Zuppi me lutjet tona”.

14 shtator 2023, 17:36