Kërko

Nënë Tereza ishte e vendosur. E fortë. Po, po, e fortë

Nga faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” shkëputëm këtë ngjarje, jetuar në Kalkutë në ditët e funeralit të Nënës së të varfërve, për të kuptuar më mirë kush ishte shenjtja shqiptare e bamirësisë, kjo grua e vogël, që e konsideronte veten laps në duart e Zotit, në festën e saj liturgjike, që Kisha e ka caktuar më 5 shtator, ditën e kalimit të saj në amshim. Sot, u mbushën 26 vite nga vdekja e Nënë Terezës

R.SH. – Vatikan

 Gazetari italian Giampaolo Mattei tregon në faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” si e njohu më mirë Nënë Terezën, duke përshkuar rrugët e Kalkutës, ku pati shkuar për funeralin e saj. Ishte interesuar edhe herë të tjera për shenjten shqiptare të bamirësisë. I pati bërë, madje, edhe një intervistë më 29 qershor 1997, vetëm pak muaj para vdekjes, më 5 shtator të atij viti. Kishte shkuar disa herë në shtëpinë e motrave të saj në qendër të Romës, por nuk kishte kuptuar aq sa kuptoi nga njerëzit e rrugët e Kalkutës. Ja tregimi i tij…

“Bëj valixhen menjëherë, sepse duhet të shkosh në Kalkutë për funeralin e Nënë Terezës, bashkë me legatin papnor, kardinalin Sodano, ka dhënë urdhër Papa" - kështu i pati thënë drejtori i gazetës "L'Osservatore Romano", e përditshme zyrtare e Vatikanit. Por për të “kuptuar” shenjtërinë e Nënë Terezës, gazetarit nuk i mjaftoi të merrte pjesë në varrimin e kremtuar më 13 shtator, pavarësisht se e pa fare qartë çfarë tributi, çfarë nderimi e sa dashuri të madhe e spontane i shprehu asaj gjithë India me shumicë hinduiste, ndërsa në rrugë kalonte arkivoli i një gruaje të krishterë.

Moti Jihl, zona ku Nënë Tereza filloi shërbimin e saj të dashurisë

Mbrëmjen para varrimit – vijon tregimi i Giampaolo Mattei-t - vendosa të merrja një taksi, duke mos dëgjuar sugjerimin e matur të nuncit apostolik Giorgio Zur dhe të funksionarit të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Timothy Broglio, për të shkuar në Moti Jihl, zona ku Nënë Tereza filloi shërbimin e saj të dashurisë në mjerimin e më të varfërve ndër të varfër. Në Indi e quajnë "slum", një fjalë e papërkthyeshme, që përdoret për të treguar vendet më të turpshme, ku një numër i papërcaktuar njerëzish jetojnë në kushte të papërshkrueshme. Asnjë regjistrim popullsie nuk bëhet atje. Shtëpitë nuk ekzistojnë. Shihen vetëm kasolle, që mezi mbahen mbi baltë.

Për t'u dhënë dinjitet atyre, që vdesin mes mizave

Nënë Tereza i vuri këmbët në Moti Jihl - ato këmbët e saj të deformuara nga lodhja dhe kilometrat derisa u bënë njësh me sandalet e gjora - për herë të parë, më 21 dhjetor 1948 dhe hapi menjëherë një shkollë për fëmijë. Ajo, që ishte mësuese. E parë nga këto lagje të varfëra – nga “slum”-et - puna e kësaj bije të brishtë të Evropës, që u bë nënë e Indisë, është edhe më e jashtëzakonshme. I përshkova me taksi ato lloj "rrugësh", vijon tregimi i gazetarit të “L’Osservatore Romanos”-s. Instinkti i parë që të pushton, duke të shtrënguar fort në fyt, është të ikësh. Sytë e atyre njerëzve të dëshpëruar janë të frikshëm. Është frika nga dhimbja e madhe, nga paaftësia për të gjetur përgjigje. Nuk mund t'i heq nga mendja ata njerëz që gulçojnë e përpëliten në mes të "rrugës". Dhe ndërsa mendon se së shpejti do të largohesh nga ai ferr, që mban erë vdekjeje, ajo copëz ndërgjegjeje që e ke fshehur në xhep, të tregon se ata njerëz banojnë në Moti Jihl – ashtu si në shumë Moti Jihl në botë - "mbijetojnë", vdesin atje. E vdesin keq, shumë keq.

Nënë Tereza vendosi të qëndrojë në Moti Jihl, “vetëm” për t'u dhënë dinjitet atyre, që vdesin mes mizave. Aty e “kuptova” Nënë Terezën, sigurisht, jo nga pyetjet e ndonjë interviste, vëren Giampaolo Mattei. Moti Jihl i fshin në çast karikaturat plot sheqer, që i bëjnë Nënë Terezës në rrjetet shoqërore, ato frazat e vogla plot bujë: ajo ishte grua e fortë, jashtëzakonisht e fortë. E vendosur. E ashpër. Po, po, e ashpër.

“Nënë, më fal...!”

Sa për sqarim, vazhdon gazetari italian: pas vdekjes së saj, dy murgesha u paraqitën në "L'Osservatore Romano" e kërkuan ndihmë për të bërë arkivin e parë të misionareve të bamirësisë. Motër Nìrmala, murgesha që e pasoi Ganxhe Bojaxhiun në krye të kongregatës, me përvujtëri, "pretendoi" një intervistë në shtëpinë “Dhurata e Marisë”, në Vatikan. Që të treja e kërkuan këtë “në emër të Nënë Terezës”, e cila, me vendosmëri, u kishte sugjeruar këto hapa para se të vdiste. Duke na falënderuar, ashtu siç bënte gjithmonë shenjtja shqiptare e bamirësisë: duke bashkuar duart në shenjë lutjeje dhe duke i afruar në ballë me një tundje të lehtë të kokës. Më atë gjest, që të gjithë e kanë parë miliona herë... dhe po, Nënë Tereza të shikonte në sy – kujton sërish Giampaolo Mattei. - Pier Paolo Pasolini shkroi në vitin 1961 se ajo murgeshë "kur të vështronte ‘të shikonte me të vërtetë’" e t’i shtrëngonte duart, sikur të ekzistoje vetëm ti në botë. Nuk kishte nevojë për prezantim. Por e ndieje menjëherë mundësinë për të pasur me të mirëbesimin, që mund të kesh me nënën, motrën, që kupton gjithçka, që kupton gjithmonë.

Me "shuplakën", që mora në Moti Jihl – vëren më tej gazetari – e kuptova, ose më saktë, mora konfirmimin më absolut, që sigurisht nuk e kam fenë e Nënë Terezës dhe as forcën që ta lë atë të më provokojë për të bërë kthesë (shenjtorët "shërbejnë" edhe për të na shkundur nga mediokriteti). Unë nuk e kam shpresën e saj të vetëdijshme. Por, më shumë se çdo gjë, e kuptova se ç’ishte frika dhe turpi kur, sapo i thashë taksistit të largoheshim menjëherë nga lagjja e të varfërve, më erdhi të mendoja dhe të lutesha: “Nënë, më fal...!”

Shtëpia e Michael Gomes, në numrin 14 të Creek Lane

Ndërkaq, nuk ika me vrap nga shtëpia e Michael Gomes, në numrin 14 të Creek Lane, një rrugicë e mbipopulluar në qendër të Kalkutës. Doja ta njihja me çdo kusht dhe ai, edhe me stilin e tij të përvuajtur, më bëri ta “kuptoja” edhe më shumë Nënë Terezën. Ishte Michael ai, që i dha Terezës në vitin 1947 katin e dytë të shtëpisë së vet në Creek Lane. Por në të vërtetë, ai i ofroi Terezës ç’kishte më të çmuar e jo thjesht katin e dytë të shtëpisë: vajza e tij Magdalena dhe e mbesa - e cila vdiq shumë e re, duke ndihmuar të varfërit në rrugë, - hynë në Misionaret e Bamirësisë, të tërhequra nga dëshmia, që e panë nga afër. Shkallët e asaj shtëpie janë konsumuar edhe nga kalimi i sandaleve të Nënë Terezës, e cila jetoi në Creek Lane nga shkurti 1947 deri në shkurt 1953.

Nga Michael nuk mund të merrej vesh shumë – shton gazetari i “L’Osservatore Romano” -  sepse s’kishte kushedi çfarë sekreti për të më treguar: «Nënë Tereza shkonte gjithë ditën për t'u shërbyer të varfërve në rrugë dhe lutej shumë, lutej gjithmonë. Nuk kishte asgjë, vetëm një kasetë druri, që i shërbente si karrige dhe tavolinë, një sari rezervë, një fletore me stilolaps, Ungjillin, një fugure të Zojës dhe një të Zemrës së Krishtit". Krejt normale apo jo?

Misionarja e parë e bamirësisë

Kujtimi më i bukur i atyre viteve? Për Michael nuk ka asnjë dyshim: «Më 19 mars 1949, ditën e Shën Jozefit, një vajzë trokiti në derë. Quhej Subashini Das. Kishte qenë nxënëse e Terezës në konviktin prestigjioz të Shën Marisë. Familja e saj ishte e pasur, sari i saj ishte prej pëlhure me cilësi të lartë. Megjithatë ajo vajzë nuk ngurroi për asnjë çast ta ndërronte me sarin bardh e blu tejet të varfër, qepur personalisht nga Nënë Tereza. Kjo grua ishte revolucion i vërtetë për Indinë. Vajza deshi ta quante veten si murgeshë, Anjezë, emri i pagëzimit i Nënë Terezës. U bë kështu, misionarja e parë e bamirësisë”.

Tregimi i Michael u ndal këtu – dëshmon gazetari në artikullin e botuar në “L’Osservatore Romano”. Përndryshe lotët e emocionit, gjithsesi, nuk do ta kishin lënë të vazhdonte, sepse do t'i duhej të thoshte se misionarja e dytë e bamirësisë quhej Magdalena Gomes - vajza e tij - dhe se për të gjetur derën e Nënë Terezës, iu desh të ngjiste vetëm shkallën e shtëpisë, duke u mbajtur në një parmak elegant prej hekuri.

05 shtator 2023, 10:52