Më 15 shtator Kisha katolike përkujton Zojën e Dhimbshme
R.SH. - Vatikan
Kisha katolike romake, mё 15 shtator, na fton sot të kundrojmë Zojën e Dhimbshme, te këmbët e kryqit të Jezu Krishtit. Kështu, përkujtimi i sotëm i së Lumes Mari Virgjër të Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën Mari që i bashkohet mundimeve të të Birit Jezus e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e Marisë Virgjër merr mbi kalvar përmasën universale.
Festa e Zojës së Dhimbshme lindi në vitin 1714
Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën 15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur kremtimit të liturgjisë të së dielës, e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik të Kishës që Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit.
Domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik
Domethënia e këtij kujtimi liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit. Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon; është dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit tonë Jezu Krishti nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shëlbimpruese të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit.
Maria tek këmbët e Kryqit të Krishtit
Askush më mirë se Virgjëra Mari nuk mund të na mësojë ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin Shëlbues. Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit të Jezusit. Ky, pra, është këndvështrimi teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit: “Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës, flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë e kishte lindur.
‘Grua, ja biri yt!’, ja të gjithë njerëzit si bij
E, në fund, nga goja e Birit Jezu Krishit që po jepte shpirt mbi Kryq, Maria dëgjoi fjalët që e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin Jezus, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare. E atëherë nuk mund të mos lindë pyetja: çfarë lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?. Ka shumë lidhje dhe kuptim. Na tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.
Maria pasqyrim i dhembshurisë së Zotit
Maria Virgjër është pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme. Maria është sot në lavdinë e Ringjalljes. Lotët, që derdhi tek këmbët e kryqit, u shndërruan në një buzëqeshje, që s’mund ta shuajë më asgjë, ndonëse mbetet gjithnjë plot me dhembshuri amtare për ne. Maria e do secilin nga bijtë e saj, duke e përqëndruar vëmendjen posaçërisht mbi ata që, ashtu si i Biri Jezu Krisht në orën e mundimeve, janë pre e vuajtjes, i do në mënyrë të veçantë, sepse janë bijtë e saj, sipas vullnetit të Krishtit në Kryq.
Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.