Kërko

 I Lumi don Jak Bushati , meshtar e martir i Krishtit në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri I Lumi don Jak Bushati , meshtar e martir i Krishtit në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri

Më 12 shtator kalendari Kishës përkujton të Lumin dom Jak Bushatin, meshtar e martir

Sot më 12 shtator kujtojmë të Lumin Jak Bushati, meshtar martir i Krishtit në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. “Rruzarja është arma më e fuqishme që njeriu ka në dorë”. Kjo shprehje që i lumi martir Dom Jak Bushati e përdorte në predikime dhe në takime me besimtarët, shpreh më së miri lidhjen e tij të ngushtë me Krishtin nëpërmjet Zojës, por edhe braktisjen e jetës së vet në duart e Saj.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, sot më 12 shtator, përkujton të Lumin Jak Bushati, meshtar martir i Krishtit në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. “Rruzarja është arma më e fuqishme që njeriu ka në dorë”. Kjo shprehje që i lumi martir Dom Jak Bushati e përdorte në predikime dhe në takime me besimtarët, shpreh më së miri lidhjen e tij të ngushtë me Krishtin nëpërmjet Zojës, por edhe braktisjen e jetës së vet në duart e Saj.

E pikërisht ky bashkim i pandashëm me Jezu Krishtin nëpërmjet Nënës së Tij  Virgjrës Mari, festën e Emrit të së cilës Kisha katolike e kremton pikërisht sot më 12 shtator, do ta bëjë të qëndrueshëm e të fortë dom Jakun edhe në çastin kur “iu kërkua” t’i bashkohej Jezusit në “Kopshtin e ullinjve” e kështu të kishte të njëjtën vdekje për të arritur të njëjtën ngjallje.

I Lumi Dom Jak Bushati, meshtar e marti, lindi në Shkodër më 07.07.1890. Fillimisht ndoqi shkollën te Fretërit Minorë dhe pastaj Seminarin Papnor Shqiptar të Shkodrës. U shugurua meshtar në Shkodër më 29.05.1915. Qe famullitar në krahinën e Mirditës: Ndërfanë dhe Gëziq. Prej vitit 1946 qe famullitar i Kallmetit, ku qëndroi deri në fund. U arrestua në Kallmet dhe u burgos në Lezhë në prill të vitit 1949. Vdiq në burg gjatë torturave më 12 shtator të vitit 1949. Trupi i tij u zhvarros prej varrezave katolike të Shkodrës për t’u vendosur në Kishën Katedrale.

Për t'u njehur më mirë e nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit Dom Jak Bushati, meshtar martir i Kishës katolike të Shqipërisë, të dëgjojmë meshtarin dom Gjovani Kokona.

të dëgjojmë meshtarin dom Gjovani Kokona.

I lumi martir Dom Jak Bushati

“Rruzarja është arma më e fuqishme që njeriu ka në dorë”

Kjo shprehje që i lumi martir Dom Jak Bushati e përdorte në predikime dhe në takime me besimtarët, shpreh më së miri lidhjen e tij të ngushtë me Krishtin nëpërmjet Zojës, por edhe braktisjen e jetës së vet në duart e Saj. E pikërisht ky bashkim i pandashëm me Krishtin nëpërmjet Nënës së Tij do ta bëjë të qëndrueshëm e të fortë dom Jakun edhe në çastin kur “iu kërkua” t’i bashkohej Jezusit në “Kopshtin e ullinjve” e kështu të kishte të njëjtën vdekje për të arritur të njëjtën ngjallje.

Ai lindi në Shkodër në një familje shumë të mirë, me fe e traditë. Qe familja ajo që e orientoi drejt një besimi të sinqertë dhe përkujdesjeje ndaj të tjerëve. I ati, edhe pse donte ta dërgonte në Trieste që të studionte ekonomi e financë, duke parë devotshmërinë e të birit, e regjistroi në shkollën e fretërve në Gjuhadol. Më pas ky djalosh i ri vazhdoi Seminarin Papnor po në Shkodër e në katedralen e këtij qyteti u shugurua meshtar bashkë me të lumin dom Lazër Shantoja pikërisht gjatë muajit të Zojës, më 29 maj 1915, nga arqipeshkvi i Shkodrës Jak Sereggi. Të nesërmen në kishën e Seminarit kremtoi meshën e parë. Kaloi më pas si meshtar i Abacisë së Oroshit në Mirditë, ku edhe ushtroi misionin e tij meshtarak si fillim në Ndërfanë e më pas në Gëziq.

Ishte një person i butë, madje i ndrojtur, i qetë, i buzëqeshur dhe i çiltër. Me dy mustaqe që i rrethonin gojën, i sjellshëm… një zotëri i vërtetë. I zellshëm në mbarështimin baritor, i ngrohtë dhe i dashur me njerëzit. Nuk i pëlqente rrëmuja. Ishte i brishtë fizikisht, por i fortë shpirtërisht. Në Mirditë, ku veproi rreth 26 vjet, la një kujtim, që është bekim edhe sot e kësaj dite. Përplasja me realitetin njerëzor, shpirtëror e kulturor që gjeti, qe tragjike, por nuk u shkurajua. Qe gjithmonë pranë atyre fshatarëve, druvarë e barinj, i zhytur i tëri në problemet, ndonjëherë tragjike, të varfërisë së tyre, që prekte mjerimin. Në një relacion që i bën delegatit apostolik, ndër të tjera, i shkruan: “Këtu duhet shumë kler, që ta mësojë rininë për t’u bërë katolike me bindje; e pastaj duhen hapur shkolla, pasi pa shkollë nuk do të arrihet asgjë”. Dhe vetë don Jaku gjatë kohës që qëndroi në Gëziq, përveç ndërtimit të kishës, hapi në vitin 1936 edhe shkollën për fëmijët. Në famulli jetonte me atë çfarë i ofronin besimtarët e varfër dhe herë-herë ushqehej vetëm me një copë buke thatë. Përshpirtëria dhe përkushtimi i tij bënë që imzot Frano Gjini ta propozonte dom Jakun si kandidat për arqipeshkëv të Shkodrës. Kur Imzot Gjini u transferua në Kallmet, e mori dom Jakun atje.

Ardhja e qeverisë komuniste në fuqi po e bënte gjithnjë e më të ashpër përndjekjen ndaj klerit dhe Kishës Katolike e dom Jaku ishte shumë i shqetësuar kur e linte Sakramentin në Kishë, pasi mendonte se policët mund të hynin papritur dhe mund edhe ta përdhosnin Eukaristinë. Ai vetë jetonte në një dorëzim të plotë dhe shpirtëror në Hyjin. Sipas dëshmisë së Dila Pjetrit, shpesh thoshte: “Kur të vijë momenti për të shkuar te Zoti, nuk ke pse të kesh frikë, madje duhet të jesh i qetë dhe i kënaqur që po shkon tek Ai”.

Edhe si famullitar në Kallmet u mundua të jetë i kujdesshëm. Aty, prej Jugut, ishte dërguar qëllimisht një ushtarak, njëfarë toger Baba, që i sundonte të gjithë, duke i terrorizuar me krime të kryera pa pikë mëshire e pa respektimin më të vogël të të drejtave të njeriut. Gjithsesi, dom Jaku ishte në pritje të çastit të vet që arriti i sigurt si vdekja. U arrestua në prill të vitit 1949 gjatë natës. Ipeshkvi i tij, imzot Frano Gjini, ishte pushkatuar një vit përpara. Siç dëshmon Mark Tuci: “Regjimi, duke shtypur atë, si edhe meshtarë të tjerë, kishte si qëllim të hiqte qafe një shtyllë tjetër të lirisë themelore të njeriut e të të krishterit, që është feja”.

E mbajtën për pesë muaj të izoluar në hetuesi, ku vuajti mundime të patregueshme. Edhe nga shëndeti ishte i dobët. Gjatë torturave tri herë ra në koma, por nuk iu dha asnjë ndihmë mjekësore. Por dom Jaku nuk e lëshoi veten. Ishte i vendosur për ta mbrojtur fenë e për ta vënë mbi gjithçka tjetër, mbi vetë jetën. Si Bariu i Mirë Hyjnor, as dom Jaku nuk u zmbraps për të dhënë jetën e vet për shpëtimin e deleve. Ai vdiq pa gjyq. Më vonë u mor vesh se në hetuesinë e Lezhës njëri prej policëve i kishte dhënë një shkelm në bark aq të fortë sa e ka rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe kur e kanë nxjerrë jashtë kishte vdekur, me shumë mundësi nga infarkti. Në prehrin e Marisë, me të cilën ishte thellësisht i lidhur, ia dorëzoi Hyjit shpirtin e vet heroik meshtarak. Ishte data 12 shtator 1949 dhe Kisha atë ditë kremtonte përkujtimin e Emrit të Shenjtë të Marisë. Në moshën 59 vjeçare, si martir i vërtetë i fesë, u bë i ngjashëm me Krishtin deri në vdekjen e Tij.

Imzot Frano Illia, që e ka njohur personalisht, nuk ka ngurruar t’i shtojë skedës së dom Jak Bushatit shënimin: “Është martir i vërtetë dhe me jetë të shenjtë. Rrëfyes”. Ata që e kanë njohur gjithmonë e kanë konsideruar martir të vërtetë të fesë, të mrekulluar prej faktit se prej një meshtari në dukje të dobët e shëndetlig të ketë dalë në pah një gjigant i fesë vulosur me gjakun e vet. Trupi i tij u çua në Shkodër dhe u varros në varrezat katolike të Rrmajit, nga ku vazhdon të jetë një prani për të gjithë ata që e kërkojnë ndërmjetësinë e tij dhe nga qielli vazhdon ta bekojë popullin, që njerëzit e tij të jenë besimtarë me bindje të Krishtit dhe, ashtu si i lumi dom Jaku, t’i qëndrojnë Atij gjithmonë besnik.  

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Jak Bushati, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

 

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

 

12 shtator 2023, 09:13