Imzot Vinçenc Zmajeviç, organizuesi i Kuvendit të Arbërit, në përvjetorin e vdekjes
R.SH. / Vatikan
Si sot më 11 shtator 1745 u nda nga jeta kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Vicko) Zmajeviç (Perast, 23. XII. 1670 – Zarë, 11. IX. 1745), personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18, me origjinë kroate që ruajti rol të rëndësishëm edhe në historinë e Kishës katolike shqiptare, posaçërisht në organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit më 1703, sipas kërkesës së Papës shqiptar, Klementit XI.
Kryeipeshkvi imzot Zmajeviç u mor me organizimin e këtij Takimit të rëndësishëm kishtar të trevave shqiptare, por edhe me hartimin e dokumenteve që ishin rezultati i punimeve të Etërve pjesëmarrës të Kuvendit Kishtar të Arbërit, dokumente që u botuan më 1703 në latinisht e shqip.
Po kështu, imzot Zmajeviçi ndihmoi edhe për përhapjen e shkollave shqipe, për botimin e librave liturgjike e katekistike në gjuhën shqipe, për t’i ndihmuar besimtarët katolikë shqiptarë të njiheshin e thelloheshin në përmbajtjen e doktrinës së krishterë, të përforcoheshin në fenë e tyre në Zotin dhe të kultivonin e ruanin identitetin e tyre kombëtar.