Kërko

Fetë kundër dhunës. Takimi ndërkombëtar i Shën Egjidit "Guximi i paqes" në Berlin

Takimi ndërkombëtar që mbahet në Berlin, mbledh së bashku liderë fetarë, politikanë dhe njerëz të kulturës deri më 12 shtator. Në ceremoninë inauguruese, presidenti gjerman Steinmeier përsëriti nevojën për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen, duke akuzuar Moskën se nuk dëshiron paqe. Sipas Andrea Riccardit duhet të besojmë në një alternativë ndaj luftës.

R.SH. / Vatikan

Në Berlin, nga 10 deri më 12 shtator, janë mbledhur së bashku qindra liderë të krishterë të besimeve të ndryshme, rabinë hebrenj, myslimanë sunitë dhe shiitë, eksponentë budistë dhe eksponentë të feve të tjera aziatike, me përfaqësues të botës së kulturës dhe institucioneve, nga mbi 40 vende të ndryshme të botës. Bota.

Takimi i 37-të është vazhdim i udhëtimit që filloi në Asizi më 1986 pas një intuite të Gjon Palit II e sivjet ka si temë “Guximi i paqes”, të besojmë se lufta ka një alternativë dhe të investojmë më shumë në dialog e diplomaci. Ky është edhe synimi i këtij takimi ndërkombëtar në Berlin që ka promovuar Komuniteti i Shën Egjidit në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Kishën Ungjillore të Gjermanisë Berlinit.

Pas asamblesë inauguruese të këtij takimi pasojnë 20 panele dhe manifestimi përfundimtar më 12 shtator te Porta e Brandenburgut, ku do të lexohet mesazhi i Papës Françeskut dhe do të shpallet Apeli për Paqe. Njerëz të shumtë kanë ardhur nga vende të ndryshme evropiane - shumë të rinj - dhe mijëra të tillë nga të gjitha kontinentet që po ndjekin online punimet e këtij takimi. Ndër temat e konfrontimit ndërmjet liderëve fetarë e politikë, burrave e grave të mendimit laik, janë lufta në Ukrainë, lufta kundër armëve bërthamore, migrimi, muret që duhen shembur, ndryshimet klimatike, të drejtat e fëmijëve, emergjencat humanitare, burgu, lutja, martirët, inteligjenca artificiale etj.

Fetë u janë dorëzuar demonëve të dhunës

Sipas Imzot Bätzing (ipeshkvijtë gjermanë), "autokritika është një detyrë e fesë tonë. Fetë duhet të përballen me komponentët e dhunshme dhe ekstremiste brenda tyre. Besimtarët e të gjitha besimeve janë “bashkëpunëtorë të paqes”. “Ne demonstrojmë këtu në Berlin – pohoi Imzot Bätzing – se fetë gjithnjë e më shumë duan ta bëjnë frymën e paqes të tyren dhe të jetojnë gjithnjë e më me vendosmëri me këtë frymë!”.

“Ne, përfaqësuesit e feve, zakonisht kemi një mendim të lartë për fuqinë paçebërëse të fesë tonë dhe ndoshta të të gjitha feve. Këtu në Evropë, por edhe në pjesë të tjera të botës, shumë njerëz janë skeptikë për këtë. Ata i shohin fetë më tepër si një pengesë në rrugën drejt një të ardhmeje më paqësore. Jam i bindur se nuk duhet t'i hedhim poshtë shumë shpejt këta zëra kritikë.

Përkundrazi, ne jemi të thirrur të bëjmë një autokritikë, dhe kjo nuk duhet të jetë thjesht një manovër taktike, por është një detyrë e fesë tonë”, tha Imzot Georg Bätzing, president i Konferencës Episkopale Gjermane, duke folur dje pasdite në Berlin në Asamblenë inauguruese të Takimit Ndërkombëtar të promovuar nga Komuniteti i Shën Egidit. “Një autokritikë e tillë – shtoi presidenti i ipeshkvijve gjermanë – nuk mund të mos vërejë se të gjitha fetë, në momente të ndryshme të historisë së tyre, i janë nënshtruar demonëve që çojnë në dhunë dhe të mos jemi paçebërës. Për ta kuptuar këtë, mjafton thjesht t’i hedhim një sy situatës së tashme.

Fetë shohin përforcimin e atyre rrymave që kërcënojnë t’i margjinalizojnë fetë e tjera. Kështu, fetë duhet të përballen me komponente të dhunshme dhe ekstremiste brenda tyre, që në formën e organizatave terroriste, hedhin rajone të tëra të botës në kaos. Dhe sot është gjithashtu e qartë se një Kishë e krishterë legjitimon një luftë kundër një vendi fqinj, sikur dëshmon lufta në Ukrainë. E ko është e papranueshme”.

Besimtarët e të gjitha besimeve janë “bashkëpunëtorë të paqes”. “Ne demonstrojmë këtu në Berlin – përfundoi Imzot Bätzing – që fetë gjithnjë e më shumë duan ta bëjnë këtë frymë paqeje të tyren dhe të jetojnë gjithnjë e më me vendosmëri me këtë frymë!”

11 shtator 2023, 12:18