Kërko

L'ITALIA NELLA MORSA DEL CALDO AFRICANO, PRIMI BOLLINI ROSSI L'ITALIA NELLA MORSA DEL CALDO AFRICANO, PRIMI BOLLINI ROSSI

Viktimat e të nxehtit: 61,000 njerëz vdiqën në Evropë në 2022

Me shifrën prej 18 mijë të vdekurish, Italia renditet e para për numrin e vdekjeve nga vapa. Sipas studiuesve, verën e kaluar ka pasur rritje të vdekshmërisë në grupmoshat më të avancuara dhe subjektet më të brishta. Pasojat po i paguajnë veçanërisht gratë dhe të sëmurët

R.SH. Vatican News

Alarm për viktimat e të nxehtit në Evropë. Temperaturat rekord të verës së 2022 shkaktuan më shumë se 61,000 vdekje në kontinent, nga të cilat 18,000 vetëm në Itali, vendi i parë për nga numri i viktimave. E lexojmë në një analizë të Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Francez të Shëndetësisë, botuar në Nature Medicine. Në periudhën kohore 30 maj - 4 shtator 2022, të dhënat flasin për një rritje prej 63 për qind të vdekjeve nga temperaturat e larta tek gratë, me një total prej 35,406 vdekjesh të parakohshme, ose 145 vdekje për milion, krahasuar me 21,667 vdekje ndër meshkujt, ose 93 për milion, me numrin më të lartë në rajonin e Mesdheut.

Numrat në Evropë

Ndërsa anomalitë e temperaturës flasin për Francën si vendi me vlerën më të ngrohtë, me +2,43C mbi vlerat mesatare për periudhën 1991-2020 –  ndjekur nga Zvicra me +2,30C, nga Italia me +2,28C, nga Hungaria me +2,13 C dhe nga Spanja me +2,11 C - numri i vdekjeve vitin e kaluar ndryshon. Në Spanjë, vdekjet e shkaktuara nga i nxehti ishin 11,324, ndërsa Gjermania arriti në 8,173 raste. Duke i renditur të dhënat sipas shkallës së vdekshmërisë nga nxehtësia, Italia zë vendin e parë, me 295 vdekje për milion; e ndjekur nga Greqia, me 280 vdekje për milion; Spanja, me 237 vdekje për milion dhe Portugalia, me 211 vdekje për milion.

Vdekja prek më të brishtët

Sipas klimatologëve, hulumtimi nxjerr në pah nevojën për marrjen e masave të përshtatshme që i frenojnë vdekjet sepse, nënvizojnë shkencëtarët, efektet e krizës klimatike nxjerrin në pah edhe më shumë pabarazitë sociale. Analizat e bëra sipas moshës dhe gjinisë, treguan një rritje të theksuar të vdekshmërisë në grupmoshat më të avancuara dhe, mbi të gjitha, te femrat. Vlerësohet se ka pasur 4,822 vdekje në moshat nën 65 vjeç, 9,226 vdekje ndërmjet moshës 65 dhe 79 vjeç dhe 36,848 vdekje në moshat mbi 79. Realitet që, sipas të dhënave, prek mbi të gjitha ata që janë më të cenueshëm për shkak të shëndetit, kushteve të vështira dhe vetmisë. Vuajnë veçanërisht viktimat e izolimit, që jetojnë në një gjendje veçanërisht të brishtë dhe kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes më të madh.

13 korrik 2023, 15:49