Kërko

 vetrate Chiesa vetrate Chiesa

Shenjtorët e javës më 16 - 23 korrik

E diel, korrik, Kisha katolike romake kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar të ciklit të parë 'A'. Gjithnjë më 16 korrik, kalendari kishtar përkujton festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës ndër shqiptarë e njeh me emrin Zoja Karmë dhe shën Marinë Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës.

R.SH. - Vatican News

E diel, korrik, Kisha katolike romake kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar të ciklit të parë 'A'. Gjithnjë më 16 korrik, kalendari kishtar përkujton festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës ndër shqiptarë e njeh me emrin Zoja Karmë dhe shën Marinë Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës.

Ungjilli i kësaj së Diele të 15-të, gjatë vitit kishtar, nga Mateu (Mt 13, 1-23 ) na propozon shëmbëlltyrën e farës që hedh bujku në arë. Jezusi flet për një farë, që prodhon pak a shumë fryt, sipas tokës, ku bie.  Kjo shëmbëlltyrë i flet edhe sot secilit nga ne, ashtu si u fliste Jezusi njerëzve dymijë vjet më parë. Na kujton se ne jemi trualli, ku Zoti hedh pa u lodhur kurrë farën e Fjalës së Tij e të dashurisë së Tij.

Të hënën  më 17 korrik, kalendari përkujton shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozit, ipeshkëv; shën Aleksin e shën Leonin IV, papë. Liturgjia e ditës na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.

Të martën më 18 korrik, kalendari përkujton shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federiku. Liturgjia e ditës na kujton se mënyra si sillet Jezusi, e bën t’i ngjasë gjithnjë më shumë shërbëtorit të Hyjit, kumtuar nga Izaia profet: me butësinë e tij i ndihmon njerëzit në mjerimet e tyre fizike e shpirtërore, në sa tashmë kanë nisur të komplotojnë kundër tij.

Të mërkurën më 19 korrik, kalendari përkujton shën Simakun, papë. Liturgjia e ditësna kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të enjten më 20 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë profet dhe të shën Aurelin e Kartagjenës. Shën Elia është pajtor qiellor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, dhe në Krythë afër Ulqinit. Liturgjia e ditës na kujton se nëse e kalojmë jetën duke besuar Zotin, në Të do të gjetëjmë lirinë e plotë të shpirtit.

Të premten më 21 korrik, kalendari përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedian-en romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka

Të shtunën më 22 korrik, kalendar përkujton shën Marinë Madalenë, nxënëse e Zotit Jezus, që jetoi me moton: Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria Magdalenë kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”. Kjo festë kremtohet edhe nga Etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë. 

Të dielën që vjen më 23 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 16-të gjatë vitit, të ciklit të parë 'A', e gjithnjë më 23 korrik, bie përkujtimi i së shën Brigjidës, rregulltare, Pajtore qiellore e Evropës. “Dashuria ime është i Kryqëzuari” ishte motoja e saj. Karizma e shën Brigjidës ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.

16 korrik 2023, 09:01