Kërko

Shenjtorët Ana e Joakini, bashkëshortë që i falën njerëzimit Marinë!

Shën Ana e Joakini duke qenë pa fëmijë e në perëndim të jetës, simbas mendësisë hebreje, shikoheshin si çift të cilit i mungonte bekimi hyjnor. E pikërisht për këtë çift, do të flitej në gjithë rrjedhën e historisë njerëzore”. Sepse, në pleqërinë e pashpresë, u bënë gjyshërit e Mesisë së shumëpritur

R.SH. / Vatican News

Duke qenë pa fëmijë e në perëndim të jetës, simbas mendësisë hebreje, shikoheshin mëshirshëm si çift të cilit i mungonte bekimi hyjnor. Ky, mentaliteti i kohës, kur çdo strehë duhet të kishte gëzimin e fëmijëve, domethënë vazhdimësinë e jetës! Me këtë sy i shikonin hebrenjtë bashkëshortët Joakinin e Anën, që do t’i falnin botës Nënën e Shëlbuesit, Marinë Virgjër. Sepse, pasi ishin lutur shumë, pa dobi, e kishin nisur të plakeshin, domethënë të humbisnin çdo shpesë për vazhdimësinë e gjakut, Zoti u dhuroi Hirin aq të dëshiruar.  Kjo nuk është gojëdhënë, po mrekulli që zbriti nga qielli  me pamjen e një Engjëlli, i cili iu duk papritë Anës dhe i la në prag premtimin aq të ëndërruar: "Ana, Zoti e dëgjoi lutjen tënde. Do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh e për pasardhësit e tu do të flitet në gjithë rrjedhën e historisë njerëzore”".

Kulti i prindërve të Virgjërës-Nënë

Kulti i prindërve të Virgjërës Mari arriti vonë në Perëndim. Hyri me ndrojtje në Kisha, në plangje e në zemra rreth viteve 900-1000, ndërsa në Lindjen e Krishterë në shekullin e VI kishin nisur manifestimet liturgjike përkatëse, veçanërisht në lidhje me festat mariane si Zënia e Virgjërës dhe Lindja e Krishtit.

Dy emra të skalitur në kujtesën e njerëzimit

Ishte Papa Gregori XII ai që e caktoi festën e tyre liturgjike më 26 korrik 1584. Festë e dy njerëzve, “që vijnë të na vizitojnë” çdo 26 korrik nga analet e lashta të historisë: Emri i Anës vjen nga hebraishtja Hannah (hir) ndërsa Gioacchino do të thotë, përsëri nga hebraishtja, "Zoti të bën të fortë". Edhe pse ka pak lajme për Shën Anën dhe për më tepër nuk vijnë nga tekste zyrtare dhe kanunore, kulti i saj është jashtëzakonisht i përhapur si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Thua ka çift më të lum në historinë e njerëzimit?

Heshtja e Ungjijve kanonikë

Në mënyrë paradoksale, ky çift i lum nuk ka asnjë gjurmë në historinë e shëlbimit të Ungjijve kanonikë. Ndërsa për të flitet shumë në Protoevangeliumin e Shën Jakobit, ungjill apokrif i shekullit të 2-të. Përpunimet e mëvonshme të këtij dokumenti shtuan gradualisht hollësira të tjera, të cilat i diktonte vetëm kushtimi.

Kush ishin Ana e Joakini?

Ana ishte izraelite nga fisi i Judës, e bija e priftit betlemit Mathan, pra me prejardhje nga fisi i Davidit. "Protoungjilli  Shën Jakut" tregon se Joakini, shoku i jetës i Anës, ishte një burrë i devotshëm, shumë i pasur dhe se jetonte pranë burimit Piscina Probatica të Jeruzalemit. Një ditë, ndërsa  sillte blatimet e tij të bollshme në tempull, si çdo vit, kryeprifti Ruben e ndaloi e i tha: "Nuk ke të drejtë ta bësh blatimin i pari, sepse nuk ke pasardhës". Joakini e Ana ishin bashkëshortë të lum, që e donin vërtet njëri-tjetrin, por nuk kishin fëmijë e tani, duke pasur parasysh moshën e tyre, mendohej se të gjitha shpresat për të tundur një djep qenë shuar.

Sipas mendësisë së hebrejve të asaj kohe, kryeprifti shikonte mbi ta mallkimin hyjnor. Sepse mallkim quhej asokohe shterpësia. Bariu plak, i pasur, e donte fort të shoqen e as nëpër mend nuk i shkonte të merrte një tjetër për të pasur fëmijë; prandaj, i pikëlluar nga fjalët e kryepriftit, shkoi në arkivin e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit për të verifikuar nëse ajo që tha Rubeni ishte e vërtetë dhe pasi u bind se të gjithë njerëzit e devotshëm kishin pasur fëmijë, u mërzit aq, sa nuk kishte guxim të kthehej më në shtëpi. Atëhere u tërhoq në trojet e tij malore dhe për dyzet ditë e dyzet netë i kërkoi ndihmë Zotit mes lotëve, lutjeve dhe agjërimeve. Nga ky sterilitet vuante edhe Anna, të cilës i shtohej edhe vuajtja nga kjo ‘arratisje’ e të shoqit; ndaj vijoi të lutej me gjithë zemër, duke i kërkuar Zotit t'u dhuronte një djalë. Gjatë lutjes, iu duk një engjëll dhe i tha: "Ana, Ana, Zoti e dëgjoi lutjen tënde! Do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh e për pasardhësit e tu do të flitet në shekuj".

Gjyshja e Krishtit

Kështu Zoti ia dëgjoi lutjen Gruas, historia e së cilës do të skalitej përgjithmonë në historinë e njerëzimit! I fali një foshnjë, një vajzë. Pas disa muajsh Anna lindi. Shkruhet në Protoungjillin e Shën Jakut: "Pas ditëve të nevojshme u pastrua, e mëkoi foshnjën dhe e quajti Mari, domethënë "e dashura e Zotit".

26 korrik 2023, 12:12