Kërko

Në luftën kundër varfërisë, OKB-ja bën thirrje për pezullimin e borxhit të jashtëm

Pandemia, inflacioni, luftërat… Gjatë tre viteve të fundit, në mbarë botën, më se 165 milionë njerëz janë bërë të varfër, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, që u publikua sot, më 14 korrik. Numri i njerëzve, që jetojnë me më pak se 64 euro në muaj, në të gjithë planetin, ka arritur kështu në më se 700 milionë. Në raportin e saj, OKB-ja e lidh drejtpërdrejt shtimin e numrit të të varfërve me borxhin e jashtëm të vendeve në zhvillim

R.SH. – Vatikan

Pikërisht në vendet në zhvillim, të cilat kanë borxhe të jashtme të larta, numri i njerëzve të varfër po rritet me shpejtësi: këtë vë në dukje raporti i UNDP-së (Programi i OKB-së për Zhvillimin), që u paraqit sot, 14 korrik. Këto vende, pa shumë mundësi ekonomike, duhet të zgjedhin ose të shlyejnë borxhin, ose të ndihmojnë popullsinë. Megjithëse shuma e borxhit është më e ulët se në vendet e pasura, vërehet në raport, ajo rritet më tepër, sepse shtetet e varfwra paguajnë më shumë interes, për shkak të taksave më të larta.

Rreth 3,3 miliardë njerëz, gati gjysma e njerëzimit, theksohet më tej, jetojnë në vende, që shpenzojnë më shumë për të paguar interesin e borxhit sesa për arsimin. Për këtë arsye, Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për pezullimin e shlyerjes së borxhit, në mënyrë që fondet e destinuara për të të përdoren për financimin e masave shoqërore.

Sistem i vjetëruar

Sipas llogaritjeve të raportit, për të nxjerrë këta 165 milionë vetë nga varfëria, do të kushtonte rreth 14 miliardë dollarë në vit, ose më pak se 4% e interesit, që paguajnë çdo vit vendet në zhvillim.

“Kemi një kosto njerëzore për mosveprimin në ristrukturimin e borxhit sovran të vendeve në zhvillim”, shton raporti. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, flet për një "sistem të vjetëruar", që pasqyron "dinamikën koloniale të kohës kur u krijua".

Në mesazhin Urbi et Orbi të Pashkëve 2020, Papa Françesku pati kërkuar përsëri të anulohej borxhi i vendeve më të varfra, në kuadrin e pandemisë së koronavirusit, e cila tashmë po rëndonte shumë mbi sistemet ekonomike dhe shoqërore të tyre. Por, edhe sot, pavarësisht nga impenjimi në këtë drejtim, ky problem nuk është zgjidhur ende.

14 korrik 2023, 15:36