Kërko

Milan Kundera dhe lehtësia e të treguarit

Milan Kundera, romancieri i njohur çek, vdiq në Paris, dje më 11 korrik, në moshën 94-vjeçare. Një portret, në përdithsmen e Vatikanit L'Osservatore Romano

R.SH. / Vatican News

Ndërroi jetë në Paris, dje më 11 korrik, në moshën 94-vjeçare shkrimtari i njohur çek Milan Kundera. Një portret, në tçrditshmen e Vatikanit L'Osservatore Roman. Milan Kundera e urrente “skrupulozitetin biografik", d.m.th., fetishizmin biografik të kritikëve, gazetarëve, kolegëve dhe ndjekësve të shkrimtarëve më të famshëm, maninë për të shoshitur jetën private të atyre që i kanë dhënë njerëzimit faqe me bukuri dhe thellësi të madhe e për të kërkuar lidhjen me atë mister të pazbuluar, që e quajmë frymëzim.

Kundera vdiq më 11 korrik, në moshën 94-vjeçare - lajmi për vdekjen e tij u dha nga televizioni publik çek dhe u konfirmua nga një zëdhënës i Gallimard, botuesi i tij francez - po ndoshta homazhi që do të kishte dashur më shumë, ndërmjet shumë nekrologjive, që e kujtojnë në këto orë, është pikërisht respektimi sa më shumë i heshtjes për biografinë e kujtimin e veprave të tij.

Falë artit, siç shkruan shpesh në esetë, romancieri është kryesisht ironik Dhe është e drejtë të mbetet i fshehur mirë pas personazheve të tij. Siç e pohon ai vetë në një dialog, marrë nga “Testamentet e tradhtuara”:

“Zoti Kundera, a jeni komunist?  

Jo, jam romancier.

Jeni disident?

Jo, romancier.

Jeni i së djathës, apo i së majtes? –

As i njërës, as i tjetrës. Unë jam romancier!”.

Dikush mund (për Kunderën duhet) ta përshkruajë botën vetëm përmes zërit dhe fytyrës së aktorëve, që shkrimtari vë në skenën e faqes së librit. Pa hequr dorë nga pyetjet kërkuese, komplekse, të tilla si: “Çfarë është qytetërimi? Çfarë është arti? Çfarë do të thotë të jetosh sipas një ideali? Çfarë do të thotë të duash dikë a të të dojë dikush?...”.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të jenë vetëm narrative, të endura në faqet e romaneve të tij më të famshme - nga e famshmja Lehtësia e padurueshme e qenies”, e shkruar në çekisht, por e botuar për herë të parë në Francë në 1984, e deri te “Pavdekësia”, botuar për herë të parë në Francë, në vitin 1990, në të cilën Goethe dhe Hemingway bisedojnë miqësisht me njëri-tjetrin, duke e bërë të dukshme natyrën e tyre si personazhe. Dhe shqetësimin e tyre për jetëgjatësinë letrare, më shumë e bezdisshme, sesa i mirëpritur. Pa harruar shakanë, e cila me komplotin e saj paradoksal demaskon dhunën e mpirë të sistemeve totalitare.

I lindur në Brno në vitin 1929, që nga viti 1975 Kundera jetoi në Francë, ku iku, pasi kritikoi hapur pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë më 1968; në vitin 1979 iu hoq shtetësia e vendit të tij.  Në qershor të vitit 1967, menjëherë pas letrës së hapur të Solzhenicinit mbi censurën në BRSS, Kongresi IV i Bashkimit të Shkrimtarëve u mbajt në Çekosllovaki. Një kongres ndryshe nga të gjithë të mëparshmet, i paharrueshëm. Milan Kundera, tashmë autor i suksesshëm, pohon:

 

“Nëse shikohet fati i kombit të ri çek, dhe në përgjithësi i kombeve të vogla, bëhet e qartë se mbijetesa e një populli varet nga forca e vlerave të tij kulturore. Kjo kërkon refuzimin e çdo ndërhyrjeje nga “vandalët”, ideologët e regjimit. Prishja e shkrimtarëve me pushtetin është e plotë dhe Pranvera e Pragës do të konfirmojë se deri në çfarë mase rilindja e arteve, letërsisë dhe kinemasë e përshpejtuan shpërbërjen e strukturës politike”.

Megjithatë, në një fjalim të vitit 1983, Kundera akuzon Perëndimin sepse e  ndoqi në heshtje zhdukjen e kulturës së vërtetë në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, të cilat i përkasin Evropës në të gjitha aspektet. E edhe pse  i harruan revoltat e tyre, të mbështetura mbi lidhjen jetike ndërmjet artit dhe politikës, letërsisë dhe popujve!

Kundera ka shkruar 10 romane, tre përmbledhje me poezi si dhe shumë tregime të shkurtra e ese. Vepra më e famshme e Kunderës është ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’, botuar në vitin 1984. Lamtumirë Milan Kundera, gjeniu i butësisë mes jetës dhe artit, i cili përqafoi horizontet universale përmes shkrimeve të tij. Zëri i tij qe ngushëllim në kohë hipokrizie.

12 korrik 2023, 21:05