Kërko

Shkolla e sulmuar në Ugandë Shkolla e sulmuar në Ugandë  (AFP or licensors)

Uganda, milicët islamikë masakrojnë të rinjtë në një shkollë

Gjatë sulmit të natës së kaluar nga Forcat Demokratike Aleate, grup rebelësh myslimanë, që mbolli terror në shkollën e mesme Lhubirira, u masakruan 41 vetë, duke përfshirë 38 nxënës, dhe u rrëmbyen disa nxënëse.

R. SH. - Vatikan

Të paktën 41vetë, duke përfshirë 38 nxënës, janë viktima të sulmit nga rebelët e Forcave Demokratike Aleate (ADF) në një shkollë të Ugandës perëndimore, pranë kufirit me Republikën Demokratike të Kongos. Shkolla, me pronësi private, ndodhet në rrethin Kasese të Ugandës. U vranë disa djem dhe u  rrëmbyen shumë vajza.

Tragjedia në shkollë

Kryebashkiaku Selevest Mapoze i qytetit Bwera pohoi se ndërmjet viktimave të sulmin në shkollën e mesme Lhubiriha, ishin 38 nxënës, një roje dhe dy anëtarë të bashkësisë vendase, të cilët u qëlluan jashtë objektit. Zëdhënësi i policisë, Fred Enanga, njoftoi se trupat e të vdekurve u transferuan në spitalin Bwera. Tetë vetë të tjerë, që shpëtuan gjallë, ndodhen në gjendje kritike, në objekt. Sipas autoriteteve, përgjegjës për tragjedinë janë Forcat Aleate Demokratike (ADF), një grup rebel islamik i akuzuar për shumë sulme kundër civilëve gjatë viteve të fundit, veçanërisht kundër bashkësive në zonat e largëta të Kongos lindore. Javën e kaluar, pranë kufirit me Ugandën, u sulmua një fshat, banorët e të cilit ikën për disa ditë, për t’u rikthyer më pas përsëri në shtëpitë e tyre.

Kërkimi i studentëve të rrëmbyer

Sipas disa burimeve, rreth njëzet studentë u rrëmbyen nga milicët gjatë sulmit. Burime të tjera pohojnë se ishin vetëm gjashtë. Ushtria e Ugandës  pohon - në një deklaratë - se trupat brenda Republikës Demokratike të Kongos "po ndjekin" rebelët e Forcave Demokratike aleate "për të shpëtuar njerëzit e rrëmbyer". Policia njoftoi se trupat e Ugandës i identifikuan sulmuesit në Parkun Kombëtar Virunga, i njëjti ku u vra në një pritë ambasadori italian Luca Attanasio. Joe Walusimbi, një zyrtar që përfaqëson presidentin e Ugandës në zonën Kasese, lajmëroi Associated Press me telefon se autoritetet po përpiqen të verifikojnë numrin e viktimave dhe të rrëmbyerve. “Disa trupa janë djegur, e tani nuk mund të njihen”, pohoi me trishtim.

17 qershor 2023, 15:05