Kërko

Rebelimi i Wagner Rebelimi i Wagner  (AFP or licensors)

Tërheqja e Wagner-it, shoqëruar nga duartrokitjet e turmës

Brigada e udhëhequr nga Prigozhin u largua nga Rostovi dhe Voronezhi, kur ishte vetëm 200 kilometra larg Moskës. Nuk dihet se ku është kreu i milicisë, i cili do të pritet në Minsk. Sipas NYT, SHBA-të i prisnin planet e rebelimit. Kievi fillon ofensivën në frontin lindor, ndërsa bombardimet ruse vazhdojnë.

R. SH. - Vatikan

Yevgeny Prigozhin, kreu i brigadës Wagner, nuk do të ndiqet penalisht për tentativën e rebelimit. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit e tij, pasi për disa orë, para tërheqjes, vendosur kur milicët ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës, kishin menduar për suksesin e 'puçit'. Prighozin, për të cilin aktualisht nuk ka asnjë lajm, do të strehohet në Bjellorusi, presidenti i së cilës, Lukashenko, ndërmjetësoir për përfundimin e krizës. Njerëzit e tij, destinacioni i të cilëve nuk dihet ende, u larguan ndërkohë nga Voronezhi dhe Rostovi, të duartrokitur nga turma.

NYT: Shtetet e Bashkuara e dinin

Rebelimi i Wagnerit nuk do të ketë ndikim mbi luftën – bëri të ditur Kremlini - por shumica mendon ndryshe, ndërsa nënvizon mungesën e thellë të stabilitetit të Rusisë, për shkak të rebelimit, ndonëse të dështuar. Ndërkohë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, New York Times (NYT) pohon se autoritetet amerikane ishin prej kohe në dijeni të planeve të Prigozhin.

Ofensiva e Kievit

Kievi, në çastin e pështjellmit krijuar nga Wagner, nisi në frontin lindor ofensivën, e cila do të kishte çuar dje në çlirimin e pozicioneve në Donbass të pushtuara nga rusët në vitin 2014, veçanërisht të disa pjesëve të  vetëshpallura Republikë Popullore e Donetskut. E ky "është vetëm fillimi", premtoi dje Presidenti Zelensky. Sot në mëngjes pati shpërthime të forta në rajonin e Zaporizhzhia-s, pas një alarmi për sulm ajror në qytet dhe në zonën përreth. Në Kherson, ku bombat ruse goditën një ndërtesë 5-katëshe, u vra një ukrainas 71 vjeçar, ndërsa gjatë natës rusët goditën 9 fshatra në rajonin Sumy dhe në qytetin Nikopol, në rajonin Dnipropetrovsk. Ndërkohë gjatë sulmit të djeshëm me raketa kundër një ndërtese banimi 24-katëshe në Kiev, mbetën të vrarë pesë vetë të tjerë.

25 qershor 2023, 14:29