Kërko

Inteligjenca Artificiale Inteligjenca Artificiale

Sekretari i OKB-së: të trajtohen seriozisht rreziqet e Inteligjencës Artificiale

Shtetet anëtare të OKB-së duhet t’i bëjnë ballë "përhapjes së shpejtë të lajmeve të rreme dhe të urrejtjes" në ekosistemin dixhital: këtë kërkon Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ndërsa publikohet një raport të ri për të promovuar plotësinë dhe vërtetësinë e informacionit në platformat dixhitale

R.SH. – Vatikan

Sekretari i OKB-së, António Guterres, u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të marrin parasysh seriozisht rreziqet, që mund të vijnë nga Inteligjenca Artificiale (AI), veçanërisht nga e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale gjenerative, një sistem, që mund të krijojë në mënyrë autonome tekste, imazhe dhe lloje të tjera mediash. Guterres nënvizon se zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale nuk duhet t'i shpërqendrojë njerëzit nga dëmi "i rëndë", që po i shkaktojnë botës ata, të cilët e përdorin teknologjine dixhitale për të “përhapur urrejtje dhe gënjeshtra në hapësirën dixhitale”. Kështu, nxiten “konfliktet, vdekja dhe shkatërrimi”, paralajmëron ai, duke theksuar se gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi në platformat dixhitale po kërcënojnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe po minojnë shëndetin publik dhe veprimet për përballimin e ndryshimeve klimatike.

Keqpërdorimi i hapësirës dixhitale

Ndërsa platformat e mediave shoqërore i kanë mbështetur bashkësitë njerëzore në kohë krizash, duke u bërë zëri i të mënjanuarve, po ajo teknologji është kthyer shpesh edhe në burim frike e jo shprese, deklaron Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. “Platformat dixhitale po keqpërdoren për të përgënjeshtruar shkencën dhe për të përhapur dezinformim dhe urrejtje ndër miliarda njerëz,” pohon ai. Më pas, ai bën thirrje për ndërhyrje të qartë dhe të koordinuar kundër atij, që e quan "kërcënim të madh, aktual, global". Pjesë e kësaj përpjekjeje janë politikat e OKB-së mbi integritetin e informacionit në platformat dixhitale. Kohët e fundit u bë i njohur një doracak, ku përmblidhen ato e ku “paraqitet kuadri për një përgjigje të bashkërenduar ndërkombëtare” kundër rreziqeve në mediat dixhitale.

Zgjidhja e problemit

Integriteti i informacionit ka të bëjë me saktësinë, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e lajmeve të publikuara. E gjithë kjo kërcënohet tani nga keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes, “që ndikon edhe në përparimin e njerëzimit”, thuhet në doracakun e politikave të OKB-së. “Ndërsa, nga njëra anë, mediat tradicionale mbeten burim i rëndësishëm lajmesh për shumicën e njerëzve në zonat e konfliktit, nga ana tjetër, urrejtja e përhapur në platformat dixhitale ndez dhe nxit dhunën”, thuhet në raport.

Propozimet e përfshira në doracak “synojnë të krijojnë shtigje për t’u ndjekur, në mënyrë që qeveritë të bashkohen për të promovuar faktet e vërteta, duke denoncuar komplotet dhe mashtrimet e duke mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të informacionit”, nënvizon Guterres. Sekretari i OKB-së thekson se të gjitha qeveritë e vendeve anëtare duhet të impenjohen për media të lira, duke u siguruar që edhe në platformat dixhitale të ketë më tepër transparencë dhe kontroll për respektimin e të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht, denoncon Guterres, dezinformimi sjell fitime masive, prandaj, për të pasur media dixhitale me informacion të sigurt, duhet luftuar fenomeni në rrënjë, duke zhdukur terrenin për afaristët e lajmeve të rreme. Ky raport është një nga 11 të tjerët, që përgatisin Samitin e OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në shtator.

Papa Françesku për lajmet e rreme

Papa Françesku e ka trajtuar shpesh problemin e dezinformimit, sidomos në enciklikën “Fratelli tutti”, duke deklaruar se sfera dixhitale ka aftësinë të përdorë mekanizma të holla e mashtruese për "manipulimin e ndërgjegjes”, duke e lehtësuar kështu, "përhapjen e lajmeve të rreme”. Gjithashtu, Deklarata për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar të shtunën, në Vatikan, nga laureatët e Çmimit Nobel, kërkon: “Të ndalohet manipulimi i teknologjisë dhe i Inteligjencës Artificiale. T'i jepet përparësi vëllazërimit e jo thjesht zhvillimit teknologjik, që vëllazërimi të mund të depërtojë përmes këtij të fundit". Edhe në Mesazhin për Takimin e parë Botëror mbi Vëllazërimin Njerëzor, Papa thekson se "vëllezërit dhe motrat janë spiranca e së vërtetës në detin e stuhishëm të konflikteve, që krijohen nga gënjeshtrat". Pikërisht për këtë arsye, OKB-ja e konsideron forcimin e integritetit të informacionit si “përparësi urgjente të bashkësisë ndërkombëtare".

14 qershor 2023, 12:33