Kërko

Studentë në Pekin Studentë në Pekin

Pekin: në universitete, pankarta kundër diktaturës; zhduket 'protestuesi vetmitar'

Nuk ka asnjë lajm për të riun Zhang Sheng që ekspozoi, në Universitetin e Pekinit, deklarata në favor të përfundimit të një partie të vetme. Pas shtypjes së protestave të vitit të kaluar, sloganet politike u ridukën në kryeqytetin kinez. U zgjodh i njëjti vend, ku studentët qenë mbledhur për të kërkuar përfundimin e politikave zero-Covid

R.SH. - Vatikan

Një i ri është zhdukur, pasi javën e kaluar përhapi  trakte, me thirrje për fundin e hegjemonisë së partisë së vetme dhe lavdata për revolucionin në Universitetin e Pekinit. Djaloshi protestoi para mensës së kampusit, në të njëjtin vend ku studentët u mblodhën nëntorin e kaluar për të kërkuar fundin e politikave zero-Covid. I pyetur për historinë e zhdukjes së të riut, universiteti i kryeqytetit nuk pranoi të jepte kurrfarë informacioni.

Fotot që qarkulluan në internet më 22 qershor, tregojnë një të ri që, duke protestuar jashtë mensës së studentëve, kapet dhe tërhiqet zvarrë nga forcat e sigurisë. Studenti mban në duar një kartelë, ku shkruhet: "Braktiseni diktaturën njëpartiake, përqafoni sistemin shumëpartiak!". Nën kartelë,   pseudonimi "Hobbie Septem" i përdorur në YouTube dhe në Twitter. Në një kartelë të dytë, vendosur në tokë, shkruhej: "Fillon revolucioni demokratik".

Duke pasur parasysh qarkullimin e madh të figurave në internet dhe në rrjetet sociale, si dhe zhdukjen e papritur të djaloshit, për të cilin nuk ka më asnjë lajm, shumëkush ka nisur të shqetësohet për fatin e tij dhe për sigurinë e vet personale. Përmes gjurmimit në rrjetet sociale është zbuluar identiteti i vërtetë i të riut. Quhet Zhang Sheng dhe në postimet e tij mbështet vazhdimisht revolucionin demokratik dhe protestat pro-demokratike në Hong Kong.

Pasi Pekini i goditi vitin e kaluar demonstratat, duke arrestuar disidentët, autorë të sloganeve të qarta politike - himnet për demokracinë dhe thirrjet për fundin e hegjemonisë njëpartiake u dukën sërish në Pekin, kryeqytet i vendit të pafundmë. Tetorin e kaluar, pak para Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës, Peng Lifa vendosi pankarta në urën Sitong, pranë universiteteve kryesore të Pekinit, duke bërë thirrje për t'i dhënë fund diktaturës dhe politikës zero-Covid, si dhe për shkarkimin e "liderit suprem” Xi Jinping. Vetëm aktivizmi kundër-lockdown shkaktoi një sërë protestash mbarëkombëtare në vitin 2022, duke i detyruar autoritetet kineze t'i japin fund politikës bazuar mbi kufizime. Në atë kohë, protestuesit tregonin një libër të bardhë, që u bë simbol i protestës, e cila më vonë u quajt "Lëvizja e Librit së Bardhë".

Para përvjetorit të masakrës së Sheshit Tienanmen, më 4 qershor, autoritetet e Pekinit hoqën tabelën rrugore, ku shkruhej "Ura e Sitong-ut". E zhdukën edhe objektin nga harta dixhitale e  kryeqytetit. 

Nuk është për t’u çuditur: komunistët nuk janë të aftë vetëm për të bërë krime mizore, por edhe, e sidomos, për t’i falsifikuar, që të mos mbeten në historinë e njerëzimit, si kujtimet më të shëmtuara!

26 qershor 2023, 15:50