Kërko

Nata e festës së Shëna Ndout. Kremtim i madh në Laç e Gjakovë

Shembulli i Shëna Ndout që jetoi duke ndihmuar të munduarit, duke mbrojtur të vërtetën e të drejtën, mund të ngjallë edhe sot e kësaj dite dëshirën për ta dhuruar vetveten, duke ecur në gjurmët e Shenjtit, që vijon të ndikojë fuqimisht mbi jetën e mijëra njerëzve në të katër anët e botës. Kisha na fton që të gjithë të mund të përsërisin fjalët e Shëna Ndoun, që i shqiptoi kur po jepte shpirt: “Po shoh Zotin tim!”, duke shtuar se duhet ta shikojmë Zotin në fytyrën e çdo vëllai e të çdo motre

R.SH. - Vatikan

Nata e festës së Shëna Ndout të Padovës, rregulltar françeskan e doktor i Kishës, që kremohet solemnisht më 13 qershor. Kremtim i madh në Padovё, Laç dhe Gjakovë. Shenjti mrekullibërës, Antoni lindi në Lisbonë e vdiq në Padovë, nderohet e festohet nga besimtarët e mbarë botës, e po kështu, edhe sivjet kremtohet e nderohet edhe nga besimtarët shqiptarë kudo, posaçrisht në Laç dhe Gjakovë.

Shembulli i Shëna Ndout, që jetoi duke ndihmuar të munduarit, duke mbrojtur me pasion të vërtetën e të drejtën, mund të ngjallë edhe sot e kësaj dite dëshirën për ta dhuruar vetveten, duke ecur në gjurmët e Shenjtit, që vijon të ndikojë fuqimisht mbi jetën e mijëra njerëzve në të katër anët e botës. Kisha na fton që të gjithë të mund të përsërisin fjalët ee Shëna Ndoun, që i shqiptoi kur po jepte shpirt: “Po shoh Zotin tim!”, duke shtuar se duhet ta shikojmë Zotin në fytyrën e çdo vëllai e të çdo motre, duke u ofruar të gjithëve ngushëllimin, shpresën e mundësinë e takimit me Fjalën e Zotit, spirancë për gjithë jetën tonë.

Shëna Ndout të Padovës, në trevat shqiptare, i kushtohen shumë Kisha e Shenjtërore, ndër to po përmendim dy: atë në Laç të Shqipërisë dhe në Gjakovë të Kosovës, ku sonte e nesër besimtarë nga të gjitha viset shqiptare ngarendin për të marrë pjesë në kremtimet e Meshëve të Shenjte e në lutjet drejtuar Zotit përmes ndërmjetësimit të Shëna Ndout, për nevoja shpirtërore e trupore.

Më 13 qershor kalendari Kishtar përkujton shën Antonin e Padovës. Nderimi ndaj shën Antonit të Padovës i kalon qarqet e Kishës katolike e shkon shumë më gjerë. Figura e vepra e tij kanë zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër ortodoks, budistë e mysliman. Prandaj me të drejtë quhet shenjt universal – shenjti i botës. Shën Antoni apo shëna Ndou i Padovës ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga Zoti e nga të gjithë pa dallim.

Shëna Ndout të Padovës

O i lumi e i mrekullueshmi shenjti shëna Ndue,
ndër këmbë të tua po bimë,
e me gjithë fuqi të zemrës sonë
po të lutemi të na nxjerrësh prej Tënzot
hir e forcë që të ndjekim në përvujtëri shenjtë,
ça është aq e këndshme para Zotit,
e aq e dobishme për shpirt.
O shenjti i bardhë,
ti që je i mëshirshëm e dorëdhënë me gjithkënd,
dëgjo lutjen tonë e na plotëso dëshirën e zemrave tona.
Bën o Hyj, që e kremtja e kushtuar shëna Ndout,
Dëshmitarit tënd e Dijetarit,
të gëzojë Kishën tënde,
kështu që kjo, e forcuar prej hirit tënd shpirtëror,
të meritojë e të kapet në gëzime të pambaruara. Amen

12 qershor 2023, 11:17