Kërko

 Gesù Cristo  e gli apostoli Gesù Cristo e gli apostoli

Fjala e Zotit e dielës së 11-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu (Mt 9,36-10,8) e përqendruar në misionin, nis fjalimin e dytë nga pesë fjalimet e mëdha në të cilët Mateu ungjilltar përmbledhë thëniet dhe mesazhin e Jezusit, “fjalimin misionar”. I paraprin konstatimi i nevojës që njerëzit kanë për një fjalë të së vërtetës dhe për ata që e komunikojnë atë. Në pjesën e Ungjilli të kësaj së diele gjejmë listën e të Dymbëdhjetë apostujve dhe disa sugjerime për misionin.

R.SH. / Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë Fjalën e Zotit të Dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë ‘A’, sipas kalendarit liturgjik të Kishës katolike romake.

Fjalëa e Zotit të Dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë ‘A’,

Pas solemniteteve që pasojnë kohën e Pashkëve, në të cilat kemi medituar mbi të Shenjtueshmen Trini të Zotit dhe jemi ushqyer me Trupin dhe Gjakun e Shenjtënueshëm të Krishtit, Zotit tonë, me këtë të diele rifillojmë sekuencën e të dielave gjatë Kohës së zakonshme, sipas kalendarit liturgjik. Kështu, kjo e dielë e 11-të, i kushtohet themelimit të Kolegjit Apostolik (Ungjilli, Mateu 9,36 - 10,8). Mateu e vendos zgjedhjen e të Dymbëdhjetë apostujve, në kontekstin e grupit të dishepujve (9,37), në kapitullin 10, pas Pagëzimit (3,15-17), Tundimeve (4,1-11), Fjalimit të parë të madh të Mësuesit Jezus shqiptuar para turmës së popullit “mbi mal”, vend teologjik (5-7), disa mrekullive (8-9). Thirrjet e individëve, tashmë pjesërisht të rrëfyera (4,18-22; 9,9), kanë shënuar hyrjen në komunitet, ku në kohën e duhur përforcohet e piqet thirrja për një mision të caktuar.

Marku, në pasazhin paralel (3,14-15), na thotë se Jezusi "i emëroi të Dymbëdhjetët, që të jenë me Të dhe t'i dërgojë të predikojnë, e ta kenë pushtetin t’i dëbuar djajtë": asnjë karizëm a mision nuk mund të lulëzojë pa "qëndruar" e ecur pas Krishtit Zot, i cili i pari na pa dhe na bekoi me Dhuratën e Jetës (Zanafilla 1), na zgjodhi dhe mendoi për ne, që në fillim, thirrjen e veçantë që e pranuam në kohën e duhur; në të, çdo ditë, ne ripërtërijmë "po-në" tonë dhe e ofrojmë jetën tonë "me gëzim", edhe në mes të vështirësive dhe tundimeve.

Ungjilli i Mateut, "Ungjilli i Mbretërisë dhe i Kishës", i vëmendshëm për të ndriçuar Misterin e Popullit të Zotit të shoqëruar nga Barinjtë e tyre, të vendosur nga Krishti, i vë një theks të fortë thirrjes misionare dhe dërgimit të të Dymbëdhjetëve dhe zbulon arsyen e thellë: Jezusi " Kur par turmën e popullit, Jezusi ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet që nuk kanë bari". Vetëm Ai është Bariu (Gjoni 10) dhe ne të gjithë jemi "të tijtë, populli i tij dhe grigja e kullotës së tij" (Psalmi 99); Ai preket nga "dhembshuria" e një dashurie të madhe, e përcaktuar në tekstin grek me termin që përshkruan barkun e nënës dhe që në Besëlidhjen e Vjetër, me korrespondentin e tij hebraik, tregon gjithmonë mëshirën e Hyjit për bijtë e tij. Nga kjo dashuri, Jezusi përbën "punëtorët" për "të korrat e bollshme" dhe i fton të gjithë dishepujt, të gjithë ne, të "luteni" pandërprerë që Ati, zotëria i të korrave, "të dërgojë punëtorë".

Barinjtë tanë, pasuesit e apostujve, të investuar nga hiri shërbyes me të njëjtën fuqi si Zoti Jezus, janë një dhuratë e madhe për Kishën: nëpërmjet duarve të tyre ripërtërihet flija e Krishtit dhe shpëtimi i fuqishëm që Ai realizoi (krh. Leximi i 2-të , Romakëve 5) dhe shfaqet e njëjta dashuri që Hyji, në agimin e historisë së Popullit të Premtuar, pati për Izraelin, të cilit i dhuroi Moisiun, që pati një mision të veçantë. Ai, ndërsa të tjerët “ndalojnë përballë malit”, ai mund “të ngjitet te Zoti”, i cili “e thërret nga mali” dhe e dërgon që t’ua shpallë mrekullitë e tij “të të zgjedhurve”. Edhe ne, si Izraelitëve, Zoti na "ngre mbi krahë shqiponje, na çon pranë vetes", na "zgjedh" si "Mbretëri" dhe "Popull të Shenjtë" të tij (Leximi I, Dalja 19).

                                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi Pare, Dal 19, 2-6

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, populli i Izraelit arriti në shkretëtirë të Sinait, aty ngulën tëbanishtën kundruall malit. Moisiu u ngjit te Hyji. Zoti e thirri prej malit e i tha: “Thuaj kështu shtëpisë së Jakobit e kumtoj izraelitët: Ju vetë patë se çka u bëra egjiptianëve. Sesi juve ju kam bartur mbi krahët e shqiponjave e ju kam sjellë deri tek unë. Prandaj, nëse do të ma dëgjoni fjalën e do ta mbani besëlidhjen time, ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, - e imja është mbarë toka. Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’ua thuash bijve të Izraelit.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 100

Ne jemi populli i tij,

delet e kullotës së tij.

Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbeni Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

 

Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.

 

Sepse i mirë është Zoti,

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.



Leximi dytë Rm 5,6-11

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, kur ne ishim ende të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë, ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij, kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij!

Dhe jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.



Aleluja! Aleluja!

Është afër Mbretëria e qiellit:

kthehuni e besoni Ungjillit.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 9,36-10.8

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. Atëherë u tha nxënësve të vet: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.” Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t’i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë.

Emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu, tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.

Shi këta të dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe u urdhëroi: “Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është ngjat!’ Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XI GJATË VITIT: JU DO TË JENI PRONA IME!

(Dal 19, 2-6; Ps 100 (99); Rom 5, 6-11; Mt 9, 36 – 10, 8)

Në leximin e parë kemi dëgjuar një pjesë shumë të rëndësishme në teologjinë hebraike. Bëhet fjalë për çastin kur Hyji po e përgatiste popullin e Izraelit për dhuratën e Urdhërimeve që do t’ua jepte vetëm tri ditë më vonë. Megjithatë, para se t’ua dorëzonte këtë dhuratë të jashtëzakonshme, Ai donte t’i ndërgjegjësonte ata për kuptimin e vërtetë të thirrjes që kishin përballë Zotit e përballë botës.

Por na duhet të bëjmë një parashtesë, para se të thellohemi në tekstin e leximit të parë. Kur flasim për popullin e zgjedhur të Izraelit, menjëherë na vjen instinktivisht të mendojmë se bëhet fjalë për ndonjë privilegj që Zoti kishte vendosur t’ia bënte këtij populli përballë të gjithë popujve të tjerë. Atëherë, me të drejtë, mund të shtrojmë pyetjen se si ka mundësi që Hyji të bëjë dallime në mes të popujve? A mundet një prind të bëjë dallime mes fëmijëve të vet? E vërteta është se Hyji gjithnjë është marrë shumë me të gjithë popujt. Të gjithëve Ai u ka folur në thellësinë e ndërgjegjes së tyre dhe shpesh ka bërë që ata t’u afrohen me intuitën e logjikës shumë të vërtetave të mëdha të cilat, më vonë, Ai do t’i konfirmonte në Zbulesën e Tij.

Por me popullin e Izraelit Hyji ka vendosur të flasë në një mënyrë shumë të veçantë, e cila nuk do të thotë aspak më të lehtë. Vetëm këtij populli Hyji kishte vendosur t’i fliste. Edhe këtu jo të gjithëve, por vetëm disa patriarkëve e profetëve në mënyrë të veçantë, të cilët ishin si urë lidhëse mes Hyjit dhe popullit. E thamë se kjo mënyrë e të vepruarit e Hyjit nuk i bënte më të lehta gjërat, sepse, siç e dimë, shpesh herë populli i zgjedhur largohej nga Besëlidhja e bërë me Hyjin. Megjithatë, Hyji, në mëshirën e vet, përsëri e falte popullit e zgjedhur dhe e vazhdonte veprën e Tij shëlbimprurëse. Por këtë Hyji e bënte me një qëllim shumë të qartë: sikurse patriarkët, profetët e gjyqatarët ishin ura lidhëse mes Hyjit dhe popullit, ashtu edhe mbarë populli i zgjedhur duhej të bëhej urë lidhëse mes Hyjit dhe mbarë botës. Tani e kuptojmë më mirë atë rreshtin e leximit të parë që thotë: «Ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, - e imja është mbarë toka.»

Megjithatë, për ta kuptuar më mirë teologjinë e madhe të këtij rreshti, na duhet të shpjegojmë edhe një traditë që qarkullonte në popullin hebre në atë kohë. Ndodhte shumë shpesh që një bari të çonte në kullosë jo vetëm grigjën e vet, por edhe dhentë e familjeve të tjera. Me qindra ishin dhentë që kulloste bariu, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ishte e tij, prona e tij. Kjo pronë e veçantë, në hebraisht quhej segulah. Pikërisht këtë term përdor Hyji në hebraisht edhe kur i thotë Izraelit se ai është prona e tij: i thotë se ai popull është segulah i Tij. Është si t’i thoshte: Të gjithë popujt e botës janë të mitë, por ty të kam zgjedhur për vete në mënyrë të posaçme, që kështu të arrijë të “kullosë” të gjitha dhentë e tjera. Vetëm kështu e kuptojmë plotësisht atë rresht i cili, pa këtë shpjegim, do të dukej i palogjikshëm: «Ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, - e imja është mbarë toka.» Në shqip nuk ekziston, me sa duket, një fjalë që përkthen saktësisht fjalën hebraike segulah, prandaj neve ai rresht na tingëllon pa ndonjë forcë të madhe teologjike.

Hyji, pra, dëshiron ta ftojë Izraelin të kuptojë se arsyeja e vërtetë për të cilën po ia dhuron Dhjetë Urdhërimet, është që ta çojë drejt shëlbimit këtë popull, por nëpërmjet tij të arrijë shëlbimin edhe të mbarë popujve të botës. Kështu kanë kuptim fjalët e Zotit që vijojnë menjëherë pas: «Ju do të jeni për mua një mbretëri prifërinjsh e një popull i shenjtë.» Sikurse priftërinjtë kanë detyrën që, më anë të kultit, të krijojnë lidhjen mes Hyjit dhe popullit të pranishëm, ashtu duhet të bëjë me krejt jetën e tij mbarë populli i zgjedhur, duke krijuar lidhjen mes Hyjit dhe mbarë botës.

Në këtë frymë mund ta kuptojmë më mirë edhe Ungjillin e sotëm, ku Jezusi vendos që të zgjedhë dymbëdhjetë apostujt: dëshi­ronte që me anë të tyre të arrinte tek të gjithë popujt e botës.

Vetë fakti se Jezusi zgjedh pikërisht dymbëdhjetë, ishte dome­thënës: sikurse ishin dymbëdhjetë fiset e Izraelit, ashtu duhej të ishte dymbedhjetë edhe numri i atyre që do të bëheshin kolonat e Kishës, Izraelit të Ri. Prandaj edhe kur Juda do të vetëvritej, apostujt menjë­herë shpejtuan ta zëvendosojnë atë me Shën Matinë, për të plotë­suar pikërisht numrin dymbëdhjetë. E, sikurse Hyji dikur e kishte zgjedhur Izraelin jo se ishte më i miri ndër të gjithë popujt e botës, por ngaqë dëshironte ta ftonte të bashkëpunonte bujarisht me të në dobi të të gjithë popujve, ashtu edhe Jezusi nuk zgjodhi si apostuj të vet njerëz të dalluar për mençurinë apo shenjtërinë e tyre. Në mes tyre ishte Mateu, tagrambledhësi i njohur, ishin Pjetri, Andreu, Jakobi e Gjoni që ishin thjesht peshkatarë. Dy të fundit, madje, Jezusi i kishte quajtur edhe Boanerges, siç na tregon Shën Marku në Ungjillin e tij, «që do të thotë: Bijtë e rrufesë» (3, 17), mbase për shkak të karakterit të tyre të rrëmbyeshëm. Në mes tyre ishte edhe Juda, të cilit nuk mund t’i kihej shumë besë, sikurse edhe ndodhi në fund. Për të tjerët dimë shumë pak. Edhe vetë fakti që dimë pak, na lë të kuptojmë se nuk ishin shumë të njohur më parë në shoqërinë që i rrethonte. Por Jezusi nuk i thirri se ishin më të mirë se të tjerët; i thirri ngaqë e dinte se ajo ishte e vetmja mënyrë që ata vetë të mund të shëlboheshin (nëse do të bashkëpunonin bujarisht) dhe të mund të bëheshin urë lidhëse për shëlbimin e mbarë botës. Patjetër se kjo urë lidhëse e Jezusit nuk ishin vetëm apostujt, por të gjithë nxënësit që besuan në Të kur Ai u Ngjall së vdekuri, përfshi këtu patjetër edhe Zojën e Bekuar, por kjo bashkësi që më vonë do të quhej Kishë, nuk do të vonojë që ta përkufizojë veten edhe si «apostolike», pra e themeluar mbi dëshminë e dymbëdhjetë apostujve.

Kemi shumë për të mësuar nga kjo, sepse gabimisht shumëkush mund të mendojë se kjo pjesë ungjillore flet për bukurinë e thirrjes. Patjetër që thirrja ka edhe bukurinë e vet, por më fort është rasti të flitet për vetëdije: vetëdije se për çfarë Jezusi thërret pranë vetes. Ai thërret për shëlbimin e atij që është i thirrur dhe që, njëkohësisht, ta bëjë të thirrurin urë lidhëse për turmat.

E turmat janë vërtet shumë, gjithnjë. Edhe Jezusin e përmallonin turmat që kërkonin Hyjin në ndjekjen e Tij: «Kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.» Edhe sot dhe gjithnjë Jezusi e ndjen këtë dhembshuri për turmat e popujve që ende presin Ungjillin e Tij, por që, për shumë arsye, nuk u ka arritur. Prandaj duhen lutje, shumë lutje, që përhapja e Ungjillit të vazhdojë e që ata të cilët Jezusi i thërret, ta gjejnë forcën që të përgjigjen me bujari të zemrës: «Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.» porosit Jezusi sot në Ungjill.

Vetëm një pyetje mund t’i bëjmë vetes të gjithë tani, pa përjashtim: A lutemi ndonjë herë, më gjithë shpirt, për këtë merak të madh të Zemrës së Jezusit?

Ungjilli i sotëm, pastaj, përfundon duke thënë se Jezusi i dërgoi apostujt fillimisht vetëm nëpër Izrael. Ishte ky një “trajnim” shumë i vogël, për misionin që më vonë do t’i priste kur do t’i dërgonte në mbarë botën. E, kur Jezusi dërgon, garanton edhe forcën e pranisë së Tij shëruese e liruese: «Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas jepni!»

Mund ta imagjinojmë tani atë grigjë të vogël prej dymbëdhjetë vetash që endet nëpër Izrael duke bërë shenja të tilla të mëdha e duke predikuar atë që Jezusi u kishte porositur: «Mbretëria e Hyjit është ngjat.» Ishte vërtet një segulah, një pronë e vogël e veçantë, me anë të së cilës Jezusi po arrinte tek i gjithë populli izraelit. Më vonë kjo segulah u bë mjeti i Jezusit për të arritur të gjithë popujt e botës. Kjo segulah tani është Kisha. Ajo gjithnjë mbetet e vogël, në krahasim me turmat e botës, por ka në vetvete praninë e Krishtit të Vdekur e të Ngjallur. Këtë prani shëruese e liruese ajo ia përcjell gjithnjë botës në forma të ndryshme, duke u bërë kështu në dobi të botës, «mbretëri priftërinjsh e një popull i shenjtë».

E, kur bota ta akuzojë Kishën për padenjësi, ajo, duke pranuar përvujtërisht se gjithnjë ka nevojë të përtërihet e të kthehet kah Zoti i saj, gjithësesi mund të pëgjigjet pa mëdyshje me fjalët e Shën Palit: «Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin, në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit tani fituam pajtimin.»

Dom Dritan Ndoci

17 qershor 2023, 11:35