Kërko

Strasburg Strasburg

Eye2023: 10 mijë të rinj në Strasburg për të imagjinuar të ardhmen e Evropës

Edicioni i pestë për European Youth Event. Të rinj e të reja nga i gjithë kontinenti mblidhen për të diskutuar mbi politikën, ambientin, arsimin, qëndrueshmërinë, të drejtat, ndërsa vijon lufta në Ukrainë. Ftesa e kryetares së Parlamentit të BE-së: "Merrni pjesë dhe votoni, e ardhmja e Evropës varet nga ju"

R.SH. – Vatikan

“Takimi Evropian i Rinisë (European Youth Event) për këtë vit ka rëndësi të veçantë, pasi është i fundit para zgjedhjeve evropiane të vitit 2024. Thirrja ime për të gjithë pjesëmarrësit: ta çojnë këtë përvojë në vendet, qytetet dhe fshatrat e tyre. Të përfshihen në të. Ta përhapin mesazhin e Evropës. Të votojnë. E, t’i bindin edhe miqtë e familjarët të votojnë. Sepse në fund të fundit, e ardhmja e Evropës varet prej tyre”. Me këto fjalë, Roberta Metsola, kryetare e Parlamentit Evropian, u uroi sot mirëseardhjen 10 mijë të rinjve nga e gjithë Evropa në Takimin Evropian të Rinisë, që mbahet në Strasburg sot e nesër, pra, më 9 e 10 qershor (këtu programi).

Fshati Eye

Takimi Evropian i Rinisë (Eye2023) do të ketë më se 300 veprimtari, si debate, diskutime, mundësi për të krijuar rrjete, shfaqje artistike, aktivitete sportive dhe seminare. Programi është hartuar nga Parlamenti Evropian në bashkëpunim me institucionet e tjera të BE-së, me organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe me organizatat rinore. Ngjarja organizohet nga Parlamenti Evropian në Strasburg, ndërsa një pjesë e programit do të zhvillohet në ajër të pastër, në të ashtuquajturin “fshati EYE”. Të rinjtë marrin pjesë edhe online. Kryetarja Roberta Metsola hapi sot veprimtaritë, në orën 10.30, në selinë e Parlamentit. Gjatë këtyre dy ditëve, të rinjtë do të kenë mundësi “të diskutojnë për idetë e tyre me politikanë dhe vendimmarrës, me ekspertë dhe aktivistë”, thuhet në një notë. Në program parashikohen edhe çaste feste, koncerte, diskutime ndërmjet të rinjve për të shkëmbyer përvojat e tyre arsimore dhe profesionale, si dhe qëndrimet për perspektivat shoqërore e politike.

Demokracia dhe vlerat

“Duke pasur parasysh zgjedhjet evropiane, që do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor 2024, pjesëmarrësit do të debatojnë mbi përparësitë kryesore aktuale si drejtësia klimatike, ngrohja globale dhe strategjia e ruajtjes së biolarmisë në Bashkimin Evropian. Do të flasin edhe për Vitin Evropian të Kompetencave dhe mbi nevojën për t'iu përshtatur tranzicionit ekologjik e teknologjik; do të diskutojnë për mësimet e nxjerra nga pandemia Covid-19 dhe për mënyrën e trajtimit të pabarazive shoqërore e të përjashtimit në Evropë”. Në qendër të vëmendjes, pa dyshim, mbrojtja e vlerave të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, roli i Evropës në një botë gjithnjë në ndryshim, lufta në Ukrainë, politika e migracionit dhe nevoja që të rinjtë të impenjohen e të marrin pjesë aktivisht në jetën evropiane.

Rezultatet e diskutimeve

Pas seancës së fundit, të shtunën, në orën 16.30, “idetë, aspiratat dhe shqetësimet e të rinjve do të pasqyrohen në një Raport, i cili do t'u shpërndahet të gjithë deputetëve. Disa nga pjesëmarrësit do të kenë mundësinë t’i zhvillojnë më tej idetë, që duken më të mira dhe do t’i paraqesin ato drejtpërdrejt para eurodeputetëve, gjatë një seance EYE të planifikuar në vjeshtën e vitit 2023". Ky i 9 dhe i 10 qershorit është edicioni i pestë i EYE, akronim i European Youth Event, i zgjedhur jo rastësisht, sepse në anglisht do të thotë “Sy”, pra, syri i të rinjve mbi çështjet e Evropës dhe mbi të ardhmen e saj.  Çdo vit, të rinj nga mosha 16 deri në 30 vjeç, mblidhen në Strasburg për të shkëmbyer mendime e për t’u konfrontuar me ekspertë, aktivistë, influencer dhe vendimmarrës.

09 qershor 2023, 13:32