Kërko

Takim i Papës Françeskun me Princin e atëhershëm të Uellsit, tani mbreti Karli III, në vitin 2019 Takim i Papës Françeskun me Princin e atëhershëm të Uellsit, tani mbreti Karli III, në vitin 2019

Karli III: të pranishëm, në emër të Papës, kardinali Parolin dhe nunci Buendia

Në qendër të kurorëzimit të Karlit III është lutja, nga lutja e heshtur e mbretit para altarit kryesor në hapje, vendosur aty për të shprehur dëshirën e mbretit që të duket qartë se, së pari, besnikëria e tij është për Zotin, e deri tek lutja publike e vojimi me bagmin, tek bekimet dhe kungimi. Kushdo, që do ta ndjekë kurorëzimin, nuk do të ketë asnjë dyshim se feja dhe shpresa e krishterë janë baza e jetës sonë, nënvizon kardinali Nichols, kryeipeshkëv i Uestminsterit, në L'Osservatore Romano

R.SH. – Vatikan

Miliona njerëz në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në botë, po përgatiten të ndjekin kurorëzimin e mbretit Karli III, nesër, më 6 maj, ceremoni madhështore, që bashkon aspektin kishtar me atë civil. Kurorëzimi do të kremtohet në Abacinë e Uestminsterit, ku si përfaqësues i Papës Françesku do të jetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, si edhe nunci apostolik i sapoemëruar, kryeipeshkvi Maury Buendia, për herë të parë brenda kishës, në një ceremoni, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kishave të tjera. Kujtojmë se në kurorëzimin e mbretëreshës Elizabeta II, para Koncilit II të Vatikanit, përfaqësuesi papnor kishte një vend të caktuar jashtë kishës, pasi në të nuk mund të hynte asnjë person, që nuk ishte anglikan. Kohët kanë ndryshuar e nesër, nga ana katolike, do të jetë i pranishëm brenda abacisë edhe kryeipeshkvi i Uestminsterit, kardinali Vincent Gerard Nichols.  

Mbreti, i cili do të kurorëzohet së bashku me Kamilën, bashkëshorten e tij, do të jetë monarku i 40-të, që do të marrë kurorën në abacinë e Uestminsterit, duke filluar nga viti 1066. Dita e nesërme do t’i tregojë botës tradita, që datojnë më se një mijë vjet më parë. Detajet e planit, për të cilin janë bërë edhe prova, përfshihen të gjitha në operacionin e quajtur “Golden Orb” i cili parashikon masa të jashtëzakonshme sigurie.

Detajet e kuriozitetet e shpjeguara nga kardinali Nichols

Është pikërisht kardinali Nichols, që në një artikull publikuar sot nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, shpjegon disa nga detajet e kuriozitetet e lidhura me ceremoninë.

Fjalët hyrëse të kurorëzimit të mbretit Karli III, nënvizon kardinali, janë shumë domethënëse. I pari që flet është një korist, i cili thotë: "Madhëri, si bij të Mbretërisë së Zotit, ju mirëpresim në emër të Mbretit të Mbretërve", dhe mbreti Karl përgjigjet: "Në emrin dhe sipas shembullit të Tij, nuk vij për t’u shërbyer, por për të shërbyer”. Ceremonia që pason është thellësisht e krishterë në çdo ndjenjë dhe veprim, duke ndërthurur historinë dhe risinë, veprimin dhe fjalën, muzikën dhe lutjen e heshtur.

Në arkivat e Pallatit Lambeth ka të dhëna për kurorëzimin e mbretërve dhe të mbretëreshave, që datojnë në shekullin e 11-të. Në ato kurorëzime ka katër elemente të vazhdueshme: vojimi i monarkut, kurorëzimi, dorëzimi i shpatës së drejtësisë dhe marrja e kungimit. Të gjitha këto elemente janë të pranishme edhe në këtë kurorëzim, pasuruar me shumë gjeste të tjera tradicionale, ndër të cilat dorëzimi i globit dhe i skeptrit, si edhe i dhuratave të tjera. Është ceremoni, që shpreh pasurinë e traditës, vazhdimësinë dhe stabilitetin.

Risitë e kurorëzimit të Karlit III

Por është edhe plot risi, duke e ndërthurur traditën me elemente, që shprehin ndryshimet në shoqërinë britanike të sotme. U jepet një rol përfaqësuesve të feve të tjera, siç është shpërndarja e dhuratave. Do të dëgjohet muzikë korale e re, e sapokompozuar, kënduar në gjuhët e ndryshme të ishujve të Mbretërisë së Bashkuar. Janë ftuar njerëz të çdo shtrese shoqërore, së bashku me krerë të shumë kombeve. I pranishëm, krejt spektri i besimeve të krishtera, disa prej të cilave do të luajnë rol aktiv. Në përfundim të ceremonisë, para se të largohet nga Abacia e Uestminsterit, Mbreti do të përshëndetet nga krerët fetarë të besimeve të tjera, të cilët do t'i drejtohen atij si "të afërm në fe” e, do të marrin një shenjë njohjeje prej tij.

Historia e këtyre trojeve është e lidhur ngushtë me historinë e katolikëve. Deri në shekullin e 16-të kurorëzimi ishte katolik. Për katërqind vitet e fundit, shërbimin e ka kryer dhe vijon ta kryejë Kisha e Anglisë, anglikane. Por kësaj radhe, shumë aspekte të kurorëzimit të Karlit III pasqyrojnë dhe forcojnë marrëdhëniet thellësisht të ndryshuara ndërmjet dy Kishave.

Siç dihet, Papa Françesku i dhuroi mbretit Karl një relike të Kryqit të vërtetë të Krishtit. Relikja është vendosur në një kryq argjendi, i cili do të mbahet në krye të procesionit të parë të ditës së kurorëzimit. Vetë ceremonia përmban shumë gjurmë të origjinës së saj katolike: këndimi i Kyrie-s, Veni Sancte Spiritus, Te Deum-it dhe Gloria-s, me një përshtatje të shekullit të 16-të, shkruar nga William Byrd për katolikët, që u kthyen në anglikanë.

Mbreti lutet publikisht

Vetë kardinali Nichols, kryeipeshkëv i Uestminsterit, është ftuar të marrë pjesë në bekimin e mbretit të sapokurorëzuar, hap tjetër përpara në shërimin e plagëve të lashta të përbashkëta. Historia jonë, - vijon kardinali Nichols në gazetën l’Osservatore Romano - në fakt, është histori ndarjesh e kjo është e dukshme në kurorëzimin e nesërm. Në qendër të traditës është betimi i mbretit para vojimit dhe kurorëzimit. Ai e bën atë, duke iu përgjigjur pyetjeve: “A do të bëni gjithçka është në pushtetin tuaj për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar në fenë e reformuar protestante, siç përcaktohet me ligj? A do të kujdeseni dhe a do ta ruani të pacenueshëm institucionin e Kishës së Anglisë, si edhe doktrinën, kultin, disiplinën dhe mbarështimin e saj, siç përcaktohet me ligj në Angli?" Pastaj, mbreti bën të ashtuquajturin Accession Declaration Oath.

Mbreti Karli apo Çarls deklaroi kohët e fundit se ai e bën këtë betim si anëtar plotësisht i përkushtuar dhe i devotshëm i Kishës së Anglisë. Tha gjithashtu se kjo detyrë solemne është kushtetuese për të, por ai ka edhe detyra të tjera, shprehur në mënyra më pak solemne por njëlloj të kryera me sinqeritet. Shpjegoi se është detyrë të ruhet ushtrimi i lirisë së fesë në Mbrëtërinë e Bashkuar, si edhe mirëpritja e njerëzve të besimeve të tjera fetare dhe të të gjitha feve.

Një nga risitë më të dukshme të këtij kurorëzimi është se mbreti lutet publikisht, që të gjithë ta dëgjojnë. Kjo lutje do të bëhet menjëherë pas betimit. Mbreti thotë: “O Hyj, bëj të jem bekim për gjithë bijtë e tu, të çdo feje e bindjeje, që së bashku të zbulojmë rrugët e mirësisë dhe të udhëhiqemi në shtigjet e paqes, për Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen".

Në këtë kurorëzim, pra, do të duket qartë jeta e ndërlikuar britanike, me historinë, traditat, ndryshimet moderne dhe transformimet e saj. Por kremtimi është shprehje e saktë dhe besnike e fesë dhe e shpresës së krishterë. Në qendër të tij është lutja, nga lutja e heshtur e mbretit para altarit kryesor në hapje, vendosur aty për të shprehur dëshirën e Karlit III që të duket qartë se, së pari, besnikëria e tij është për Zotin, e deri tek lutja publike e tek vojimi me bagmin, tek bekimet dhe kungimi. Kushdo, që do ta ndjekë kurorëzimin, nuk do të ketë asnjë dyshim se feja dhe shpresa e krishterë janë baza e jetës sonë, vë në dukje kardinali Nichols.

Më thonë se, - përfundon prelati - duke përjashtuar Shtetin e Vatikanit, ka vetëm një vend tjetër në botë ku kurorëzimi i kreut të shtetit bëhet me ceremoni fetare. Në Angli është traditë e lashtë, që kontribuon fuqishëm në ndjenjën e identitetit dhe të vazhdimësisë së kësaj shoqërie moderne të ndërlikuar dhe në gjithçka që i sjell ajo botës në përgjithësi.

Zoti e bekoftë mbretin Karl.

05 maj 2023, 15:45