Kërko

 Beato Serafin Koda, martire della Chiesa albanese Beato Serafin Koda, martire della Chiesa albanese

I Lumi At Serafin Koda, martir, në festën liturgjike që përkon me përvjetorin e vdekjes

At Serafin Koda lindi në Janjevë të Kosovës, në gjirin e familjes së vet, që frekuentonte shenjtëroren e vogël të shën Antonit në Gjakovë drejtuar nga françeskanёt, lindi thirrja pёr idealin françeskan, dhe e gjithë jeta e At Serafinit do të jetë një ndërthurje midis thjeshtësisë ungjillore si shën Serafini nga Montegranaro dhe forcës së dëshmisë si shën Gjon Pagëzuesi

R.SH. - Vatikan

Më 11 maj kalendari kishtar kujton tё Lumin  shqiptar At Serafin Koda, ofm, në festën liturgjike që përkon me përvjetorin e vdekjes së tij shkaktuar nga regjimi komunist nё Shqipёri.

At Serafini nё lindje dhe nё pagёzim u quajt me emrin Gjon. Nga Serbёt mbiemri shqiptar i familjes Koda u ndrushua nё atё serb Glasnoviç. Mё pas u klthue nё origjionalin Koda. I lumi At Serafin Koda, françeskan, u dallua nga thjeshtësia, përvujtëria dhe varfëria e Shën Françeskut të Asizit. U arrestua dhe u burgos në Lezhë më 13.10.1946 në kuvendin e kthyer në spital nga regjimi komunist nё Shqipёri. Pa gjyq dhe pa dënim, vdiq për shkak të torturave në Lezhë si sot më 11.05.1947.

Mbi figurёn, shembullin, porosinё dhe lutjen e tё Lumit At Serafin Koda, meshtar françeskan e martir i Krishtit në kohën e regjimit komunist nё Shqipёr tё ndjekim dom Gjovanin Kemal Kokona:

Dom Gjovanin Kemal Kokona

Sot ndërsa përkujtojmë të Lumin martir At Serafin Koda, do të shohim pikërisht se martirizimi nuk është gjë tjetër përveçse një ecje e përditshme në shenjtëri, një rritje e pandërprerë “në dije, në moshë e në hir”.

Ky frat “i thjeshtë” lindi në Janjevë të Kosovës më 25 prill 1893 nga prindërit e tij, Gaspri dhe Antonjeta, prindër që vinin nga familje me traditë të lashtë katolike, e në pagëzim i vunë emrin Gjon. Në gjirin e familjes së vet, që frekuentonte shenjtëroren e vogël të shën Antonit në Gjakovë drejtuar nga fretërit minorë, thirrja e tij do të bëhej gjithnjë e më e qartë. Kjo i nxiti prindërit e tij që ta dërgonin në seminarin françeskan në Shkodër, për të vazhduar ndërkohë gjimnazin. Gjoni, me të mbaruar gjimnazin, i tërhequr gjithnjë e më shumë nga ideali françeskan, kërkoi dhe u pranua të bëhej pjesë e Urdhrit të Fretërve Minorë me hyrjen në noviciat në kuvendin e Rubikut dhe me ritin e veshjes rregulltare. Në këtë moment ai do të marrë emrin Serafin. Marrja e këtij emri nuk është një rastësi, por është një program më vete. Me këtë emër ai sheh si model të thirrjes së tij pikërisht fratin e thjeshtë kapuçin shën Serafinin nga Montegranaro. Dhe e gjithë jeta e Atë Serafinit do të jetë një ndërthurje midis thjeshtësisë ungjillore si shën Serafini dhe forcës së dëshmisë si shën Gjon Pagëzuesi.

Dërgohet në Graz të Austrisë për studimet teologjike, në përfundim të të cilave do të bëjë kushtet e përjetshme, për t’u shuguruar më pas meshtar më 30 qershor 1915, festa e Martirëve të Parë të Romës. Është për t’u theksuar se gjatë viteve të formimit të tij si frat minor, por edhe më vonë, thirrja e tij do të përforcohet nga njohja dhe takimet me dy bashkëvendës të tij, edhe ata fretër minorë, të vdekur më vonë në famë martirizimi: shërbëtori i Hyjit, At Luigj Paliq dhe At Shtjefën Gjeçovi, që të dy të vrarë nga serbët, i pari në Janosh të Gjakovës më 7 mars 1913 dhe i dyti në Zym të Hasit më 14 tetor 1929.

Pas shugurimit meshtarak, At Serafini do të kthehet në Shqipëri, ku pas një periudhe si mësues i klerikëve të rinj në Rubik, do të jetë i angazhuar në shërbim baritor në Zym, në Rajë-Mërtur, Dushman, Bizë, Prekal, Bushkash, Vukël e në Lezhë nga viti 1941 e deri në vdekje. Gjithashtu, në vitin 1941 do të zgjidhet edhe Definitor i Provincës, si edhe do të jetë me detyrën e ekonomit të Provincës.

Me një trup mesatar dhe të mbushur, me flokë gështenjë, At Serafin Koda për nga karakteri ishte gjithmonë i qetë, i qeshur, i kujdesshëm, shumë i butë dhe në të njëjtën kohë i komunikueshëm, mikpritës dhe i vendosur; shumë i vlerësuar si nga fretërit, ashtu edhe nga populli i çdo besimi. Ishte shumë i ekuilibruar. Nuk qeshte pa vend dhe nuk fliste kur nevojitej të heshte. Ishte shumë i zellshëm dhe i palodhur në kryerjen e misionit të tij si meshtar dhe famullitar. Predikimet e tij të thjeshta, por të mprehta, nguliteshin në mendjen dhe zemrën e besimtarëve.

Në kohë të turbullta e kujtojnë që i nxiste besimtarët në qëndrueshmëri duke u thënë: “Mos i harroni mundimet e Zotit” e, kur përndjekja komuniste po bëhej gjithnjë e më e egër, u jepte kurajë njerëzve me fjalët: “Mos u trishtoni, sepse feja në Krishtin do të kthehet edhe më e fortë”. At Serafini ishte guximtar, sepse zellin e tij baritor e ushqente lutja. Ai u referohej gjithmonë mundimeve të Krishtit dhe, përveçse i besohej Nënës së Tij, Zojës së Bekuar, kishte edhe një devocion të veçantë për Shën Antonin. Në lidhje me devocionin ndaj Zojës, i nxiste besimtarët e vet duke u caktuar “kushtime” apo “sakrifica” të vogla gjatë muajit maj, pikërisht si shprehje e këtij devocioni të ngrohtë, të fortë e të gjallë.

At Serafini e jetoi varfërinë françeskane në plotësi dhe me dinjitet, duke iu përkushtuar Hyjit dhe të afërmit kudo që ai shërbeu e sidomos në famullitë e varfra; të varfra jo thjesht materialisht, por shpesh edhe shpirtërisht, si, për shembull, ajo e Bizës, ku, siç theksohet në relacionin e vitit 1923, “popullsia është shumë indiferente dhe qëndron shumë larg Kishës” dhe famullitari shumë herë “të dielën nuk mund ta shpjegojë ungjillin, sepse [njerëzit] nuk shkojnë në Meshë”. Me gjithë këto “dëshpërime” baritore, At Serafini nuk dorëzohet, por fillon vetë të japë mësim duke shpresuar “të bëjë diçka me fëmijët”.

Kalvari i tij nuk do të jetë i lehtë. Si famullitar në Rajën e pushtuar nga serbët do të mbahet prej tyre në burg për më shumë se një vit, por edhe si famullitar në Dushman do të arrestohet nga qeveria e Ahmet Zogut, e cila në këtë mënyrë do që të dominojë e t’u shtjerë frikën banorëve të asaj krahine. Prandaj edhe ardhja e komunizmit nuk ishte diçka e re për të. Fjalët e tij vazhduan të ishin: “Mos u shqetësoni, sepse këta shkojnë e vijnë. Kurse Hyji do të jetë përgjithmonë!”.

Pas konfiskimit të kuvendit dhe të Kishës së Lezhës, u detyrua të strehohej në një barakë rrëzë kodrës. Megjithëkëtë, njerëzit e regjimit mezi prisnin rastin për ta zhdukur dhe shfrytëzuan kështu ditën e emrit të tij, 12 tetor, ku sipas traditës si meshtarët, ashtu edhe besimtarët i shkonin për vizitë për ta uruar. Këtë moment feste e përdori regjimi për ta akuzuar se kishte dashur të organizonte një aktivitet politik kundër tij.

Më 13 tetor e arrestuan dhe e burgosën në stallën e kuvendit të fretërve të konfiskuar dhe atje e torturuan barbarisht. Mes të tjerash e futën në një bidon plot me ujë të ftohtë deri në grykë e u përpoqën ta mbysnin duke i dëmtuar keqas trakenë e duke ia plasur venat. Në ato momente, siç dëshmon Marije Ndoj Jaku, e cila në atë kohë shërbente në spital (ish-kuvendi i fretërve), At Serafini ndërsa nga burgu e sollën te spitali, duke parë shtatoren e Zojës, i drejtohet Asaj me atë zërin e tij të sfilitur nga torturat: “O Zojë, shpejto e më jep ngushëllimin tënd!”.

Kështu, në moshën 54-vjeçare, pa hetuesi, pa asnjë arsye, pas shtatë muajsh torturash çnjerëzore, ia morën frymën. I mbuluar me plagë dhe djegie si Lazri i Ungjillit ia dorëzoi shpirtin Atit të Amshueshëm në mëngjesin e datës 11 maj 1947, duke ushtruar kështu, në braktisjen më të plotë, detyrën e fundit, sigurisht më të lavdishmen, të mbarështimit të tij meshtarak, që qe me siguri mbarështimi më pjellor për ardhjen e Mbretërisë së Hyjit.

Vdekja e dhunshme qe vula më e shkëlqyer e misionit të tij të jetuar me pasion përpara një diktature, e cila ndihej e fortë vetëm me përdorimin e një urrejtjeje të pashpjegueshme. Në fshehtësi, Kol Çupi, Lazër Gaspri dhe Marije Ndoja e varrosën trupin e At Serafinit, duke mbjellë aty, si shenjë njohjeje, një pemë ulliri. Në vitin 1992, falë dëshmisë së Marije Ndoj Jakut, fretërit minorë, me ndihmën e fra Vincenzo Focà-s dhe nën udhëzimin e Atë Konrrad Gjolajt, filluan gërmimet duke gjetur kështu eshtrat e At Serafinit e duke i rivarrosur me dinjitet në kishën e “Dom Lleshit” apo më saktë në kishën e “Zojës Nunciatë” në Lezhë, shenjë e gjallë e vërtetësisë së fjalëve të At Serafinit: “Këta [komunistët, çdo diktaturë] shkojnë e vijnë. Hyji do të jetë përgjithmonë!”.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Serafin Koda,

meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

11 maj 2023, 09:35