Kërko

Me 25 janar Kisha kremton festёn e Kthimit të Shën Palit Apostu

Konvertimi Shën Palit në rrugën e Damaskut ku qe shituar prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar, nga Sauli farize i bindur, që persekutonte në korpin mistik, Kishёn, u rilind si person feja. Pali, nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit, shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit të Jezu Krishtit

R. SH. - Vatikan

Më datën  25 janar, kalendarik kishtar kremton festën e Kthimit të Shën Palit Apostull, që na kujton vegimin, thirrjen dhe misionin, nga të cilat buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti e bëri të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij.

Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar, të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, Kishën, vë në dukje në mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e ngjall personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit, shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në dëshmimin e fesë në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.

Udha e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i ardhshëm nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën ai madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.

Kështu arriti tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.

Prandaj Apostulli i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta e burokratike, por plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt.
Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi. Gjetiu Pali Apostull mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt Zot, që është burim energjie e gjallërie përherë të re.

Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit. Bashkësitë e Mbledhjet tona liturgjike – porosiste Apostulli - duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.

Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet që nga shekulli VI, ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet më 29 qershor, hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X, e na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të Palit Apostull, i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt tjerë” si dhe “Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u thirrur apostull”.

Konvertimi i Shën Palit, nuk kufizohet vetëm në planin etik, si kthim nga imoraliteti në moralitet, e as në planin intelektual, si ndryshim i mënyrës së kuptimit të realitetit. Kemi të bëjmë me përtëritjen rrënjësore të njeriut, që i ngjet rilindjes. Një shndërrim i tillë bazohet mbi pjesëmarrjen në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Jezusit, që ndez atë zjarr apostolik, i cili e shtyn Apostullin, e me të çdo besimtar, të pohojë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2,20).

Atëherë ngadhënjimi i Krishtit do të jetë i plotë, na kujton Apostulli, duke theksuar se kështu profecitë e lashta vërtetohen, vdekja mundet përfundimisht e me të, edhe mëkati, sepse vdekja përpihet në fitore, e çdo i pagëzuar mund të marrë pjesë në këtë fitore e të nisë rrugën e shndërrimit të vet, që arrin kulmin në fundin e kohëve.

 

25 janar 2023, 09:29