Kërko

“Unbroken”, projekti për rehabilitimin e të plagosurve të luftës në Ukrainë

Në audiencën e përgjithshme të mërkurën më 7 dhjetor, Papa u takua me kryetarin e bashkisë së Lviv Andriy Sadovyy dhe mjekun Oleg Samcuck, të cilët i dhuruan një kryq të veçantë dhe paraqiten iniciativën për ofrimin e një të ardhme edhe në kohë konflikti. Të dy ishin mysafirë të Radio Vatikanit

R.SH. -Vatikan

Një kryq me copa metalike. Është dhurata që delegacioni nga Ukraina i bëri Papës në fund të audiencës së përgjithshme, mbajtur të mërkurën që kaloi mç 7 dhjetor, në sallën Pali VI, në Vatikan. Një kryq që ka një histori të veçantë - kështu shpjegoi kryetari i bashkisë së Lviv Andriy Sadovyy në mikrofonat e Radio Vatikanit - sepse copa e ngulitur është ajo që goditi Anastasia, një vajzë 13-vjeçare e shpëtuar për fat të mirë nga mjekët. "Ky kryq - nënvizon kryetari Sadovyy - është një mënyrë për t'i treguar botës se çfarë po ndodh në Ukrainë". Papa Françesku e bekoi dhe i dëgjoi detajet e nismës “Unbroken”, një projekt i lindur në spitalin më të madh të qytetit, që synon të ndihmojë viktimat e luftës.

Udha drejt rilindjes

“Unbroken”, fjalë për fjalë “i paprekur”, është emri i iniciativës së lindur në Lviv. Doktor Oleg Samcuck, i cili foli edhe ai në mikrofonat e Radio Vatikanit, tha se projekti i mbështetur nga autoritetet politike dhe Ministria e Shëndetësisë, synon të ndihmojë civilët, ushtarët dhe fëmijët e prekur nga pasojat e luftës. “Që nga fillimi i konfliktit – thotë ai – çdo ditë vijnë shumë të plagosur, përveç punës së zakonshme që bëjmë në spital, merremi edhe me trajtimin e traumave. Para luftës në objektin tonë kërkoheshin teknika të avancuara të trajtimit, tani skenari ka ndryshuar, është zhvilluar reanimacioni dhe sot spitali është i mbipopulluar. Janë 300% më shumë ndërhyrje, numri i pacientëve që trajtohen në spital është dyfishuar, mjekët dhe infermierët punojnë me një mbingarkesë të madhe”. Hapi i parë është stabilizimi i pacientëve të cilët më pas, falë një bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transferohen edhe atje për të marrë trajtime më specifike. Ky pasazh nënkupton fushën e dytë të ndërhyrjes: trajtimin psikologjik të plagëve të luftës dhe për rrjedhojë përpjekjen për të hedhur themelet për rindërtimin e personit dhe të vendit.

Lviv projektuar drejt së nesërmes

Kryetari i bashkisë së Lviv, Sadovyy, duke folur për situatën aktuale, kujton se “gjatë këtyre 9 muajve të luftës kanë qenë 5 milionë njerëz që kanë kaluar nëpër qytet për t'u shpërngulur diku tjetër. Sot ka 150,000 persona të zhvendosur brenda vendit”. Sipas kryebashkiakut, janë 11 mijë të plagosur që ka trajtuar spitali i qytetit ku lindi projekti “Unbroken”, por janë rreth 5 mijë që presin të marrin protezën. Sadovyy shpall synimin e tij të ndërtimit të një fabrike për t'i prodhuar ato dhe për këtë arsye i fton vendet dhe organizatat ndërkombëtare të investojnë në qytetet e çliruara të Ukrainës për t’i ndihmuar njerëzit të fillojnë të jetojnë përsëri.

09 dhjetor 2022, 15:21