Kërko

Pjesëmarrësit në takimin për klimën Cop15, në Montreal Pjesëmarrësit në takimin për klimën Cop15, në Montreal

Cop15, në Montreal, marrëveshje historike për të shpëtuar planetin

Pjesëmarrësit në takimin për klimën Cop15, në Montreal, vendosën të bëjnë një “pakt të ri paqeje me natyrën”. Marrëveshja, quajtur “Kunming-Montreal Global Biodiversity Frameëork”, synon përmbysjen e dhjetra viteve veprimtarie shkatërruese të njeriut kundër ambientit, që kërcënon speciet, ekosistemet dhe pasuritë themelore për njerëzimin

R.SH. – Vatikan

         Një "pakt paqeje me natyrën", që synon të mbrojë tokat, oqeanet dhe speciet nga ndotja, degradimi e kriza klimatike. Kështu u quajt marrëveshja historike e arritur nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin (Cop 15), takim në Montreal të Kanadasë, që përvijoi një impenjim më të madh për të shpëtuar ekosistemet, me financime të reja.

         E quajtur “Korniza Globale e Biodiversitetit Kunming-Montreal”, marrëveshja synon të ndryshojë dekada të veprimtarisë së njeriut, që ka shkatërruar ambientin dhe kërcënon speciet, ekosistemet dhe pasuritë thelbësore për njerëzimin, përfshirë mbrojtjen e 30% të planetit deri në vitin 2030, restaurimin e 30% të zonave të degraduara detare dhe tokësore deri në vitin 2030 dhe njohjen e të drejtave të popujve autoktonë.

Marrëveshja zhbllokon edhe 30 miliardë dollarë ndihmë vjetore ambientale për vendet në zhvillim, sipas bocës së publikuar nga Kina, e cila mban presidencën e Cop15.

Pikat kryesore të Marrëveshjes

         Delegatët e 196 vendeve të pranishme u morën vesh për të krijuar, deri në vitin 2030, zona të mbrojtura në mbi 30% të planetit. Masa konsiderohet e barazvlefshme me biolarminë e objektivit të Marrëveshjes së Parisit për klimën. Aktualisht, mbrohen me ligj vetëm 17% e tokës dhe 10% e zonave detare.

         Teksti u jep garanci popujve indigjenë, kujdestarë të 80% të biolarmisë së mbetur në Tokë, si edhe propozon restaurimin e 30% të tokave të degraduara dhe përgjysmimin e rrezikut, që vjen nga pesticidet. Kina ka propozuar të përfshijë në planet për të ardhmen edhe objektivin që brenda vitit 2025, të caktohen "të paktën 20 miliardë dollarë" në vit si ndihmë ndërkombëtare për biodiversitetin dhe "të paktën 30 miliardë, brenda vitit 2030".

         Nuk ka kohë për të humbur. Sipas shkencëtarëve, 75% e ekosistemeve të botës kanë pësuar dëme nga veprimtaria e njeriut dhe mbi një milion specie kërcënohen nga zhdukja. Një katastrofë, sepse se gjysma e PBB-së së botës varet nga natyra. Marrëveshja e mëparshme, nënshkruar në Japoni në vitin 2010, nuk arriti pothuajse asnjë nga qëllimet e saj, kryesisht, për shkak se i mungonin mekanizmat e zbatimit dhe të kontrollit. Pikërisht për këtë, duke besuar se njerëzimi është kthyer në një lloj “arme të zhdukjes në masë”, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ftoi që në fillim palët të nënshkruajnë një “pakt paqeje me natyrën”.

19 dhjetor 2022, 15:21