Kërko

Më 1 dhjetor kalendar kujton Shën Charles de Foucauld

Shën Charles De Foucauld, prift francez, “i varfër ndër të varfër” e “vëlla universal”, siç e quante veten, në fillim të shekullit të kaluar mbolli farët e Fjalës së Zotit në zemër të Saharës. Në të mund të shikojmë profetin e kohës sonë, që diti të nxjerrë në dritë esencalitetin dhe universalitetin e besimit

R. SH. - Vatikan

Më 1 dhjetor, Kisha katolike, mes shumё shenjtorёsh, përkujton edhe Shën Charles de Foucauld, priftin francez, “i varfër ndër të varfër” e “vëlla universal”, siç e quante veten, i cili në fillim të shekullit  të kaluar mbolli farët e Fjalës së Zotit në zemër të Saharës.  Në të mund të shikojmë profetin e kohës sonë, që diti të nxjerrë në dritë esencalitetin dhe universalitetin e besimit. Njihet edhe si frymëzues i një sërë shoqatash e vëllazërish laike dhe jo vetëm, ndër të cilat edhe “Motrat e vogla të Jezusit”, që shërbejnë prej kohësh në të gjitha trevat shqiptare, përfshirë arbëreshët e Italisë

Shën Charles de Foucauld u përpoq të ndërtonte një vëllazërim që kishte të bënte me të gjithë njerëzit, pa dallim. Megjithëse vepra tij e plotë nuk është studiuar në mënyrë të mjaftueshme, me siguri nuk gabojmë nëse pohojmë se, në oshënarin e krishterë të vrarë më 1 dhjetor të vitit 1916 në Tamanrasset, kemi një prej figurave më domethënëse të kalimit nga shekulli XIX në shekullin XX.

Në metamorfozën globale të marrëdhënieve ndërmjet popujve para luftës së Madhe, biografia e Charles de Foucauld – në përkujtim të të cilit më 1 dhjetor kremtohet përvjetori i vdekjes – përshkruan një aftësi të veçantë që kishte ta bashkonte kulturën duke përpunuar kundërshtitë në një shkallë të gjerë e duke marrë mbi vete rreziqet e çdo tejkalimi. Rezultati do të jetë propozimi i idealit të vëllazërimit universal, evokimi i të cilit për nga dendësia vështirës që mund të tejkalohen. Sot janë jashtëzakonisht aktuale mendimet dhe nismat e oshënarit francez, i cili u drejtohej, pa paragjykime, të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e të pafeve.

Shën Charles e Foucauld lindi në Strasburg më 15 shtator 1858. Nisi shumë shpejt karrierën ushtarake, të cilën u detyrua ta braktiste, për shkak të revoltës së Oranit. Iu kushtua, atëherë, zbulimeve gjeografike në vende të ndryshme të botës. Më 1886 u kthye në Francë. U vendos në Paris, ku nisi të kërkonte me etje Zotin, duke e gjetur ndër veprat e tij. Shkruan: “Në atë çast që fillova të besoj se ka një Zot, kuptova edhe se nuk mund të bëja tjetër, veçse të jetoja për Të; thirrjen time për rrugën rregulltare e ndjeva në të njëjtin ças me thirrjen e fesë.

Kështu ai nisi t’i kushtohet plotësisht Zotit, duke rizbuluar një fe të thjeshtë, të përqendruar te Jezusi – sakrament i amshuar i Kishës. Vendosi t’i qëndrojë besnik Zotit dhe urdhërimeve të Tij, duke ecur në rrugën e lutjes e të përvujtërisë. Me këshillin e atit dhe drejtuesit të tij shpirtëror, Atë Huvelin-it, më 1888 vizitoi viset shenjte të Palestinës e të Jerusalemit.

Në janar 1889 trokiti në trapën e Zojës së Bekuar të Dëborës, në dioqezën e Viviers. U bë murg trapist me emrin Alberico Maria. Më 1901 u shugurua meshtar dhe u vendos në Bénis-Abbés, në kufijtë ndërmjet Algjerisë e Marokut, ndërsa më 1910 ndërtoi një heremitazh në majën qendrore të malit Haggar. Nisi kështu jeta e re rregulltare e Vëllait Charles de Foucauld, që mediton gjatë e, që t’i krijojë popullsisë së Saharës mundësinë për t’i njohur drejtpërdrejtë të vërtetat e krishtera, shkruan veprat: “Ungjilli i pranishëm ndërmjet të varfërve të Saharës” (1903) dhe “Rregullorja e Vëllezërve të vegjël të Zemrës së Krishtit” (1902).

Përveçse për formimin shpirtëror, mendon edhe për mbrojtjen e të varfërve nga sulmet e bandave të banditëve, që vinin nga Tripolitania. Shpirti tij hyn në lidhje të ngushtë me Zotin përmes përshpirtërisë së përqendruar tek Krishti i Kryqëzuar. Përsos statutet e fondacionit dhe të Kongregatës së 'Vëllezërve të Vegjël të Jezusit'. Më 1968 miratohen nga Selia e Shenjtë disa kongragata mashkullore e femërore të frymëzuara nga At de Foucauld: listë tepër e gjatë për t’u përmendur. Jeton me moton: “Feja është ajo që na bën t’i besojmë nga thellësia e shpirtit të gjitha dogmat e saj, të gjitha të vërtetat që na mëson përmes Shkrimit Shenjt e Ungjillit, me një fjalë, gjithçka na propozohet nga Kisha....”.

Jeta e At Charles de Foucauld mbaroi tragjikisht më 1 dhjetor të vitit 1916: ai u vra gjatë një sulmi të kusarëve në shkretëtirë, duke lënë pas një pasuri të vërtet shkrimesh, që flasin për përshpirtërinë e tij, e cila mund të përmblidhet në këto fjalë: “Sado i trishtuar të jem, kur gjunjëzohem tek këmbët e elterit dhe i them Zotit tonë Jezus Krisht: Zot, ti je pambarimisht i lumtur e nuk të mungon asgjë” – nuk mund të mos shtoj: “Atëherë edhe unë jam i lumtur e nuk më mungon asgjë! Më mjafton lumturia jote!”. E kjo është e vërteta, kështu duhet të jetë për të gjithë, nëse e duam Zotin tonë!

Charles de Foucauld ishte martir dhe papa Benedikti XVI më 13 nëntor 2005 e shpalli të lum. Papa Françesku e shpall Shenjt më 15 maj 2022.

Lutja e shën Charles de Foucauld:

Mbi tokën mbarë

Ardhtë Mbretëria Jote...

Ardhtë në çdo shpirt.

Gjithë njerëzit

Të shërbefshin ty, o Zot,

Sundoftë hiri yt mbi çdo shpirt

Si i vetmi Zotëri.

E njerëzit mbarë

Jetofshin përmes Teje

Jetofshin për Ty,

Të humbur tek ti...

Është kjo më e madhja lumturi

Për gjithë njerëzimin: e ashtu qoftë!

Veç këtë dëshiroj,

Për vete e për të tjerët

01 dhjetor 2022, 09:42