Shenjtorët e javës 20 – 27 nëntorit
R.SH. Vatikan
E diel 20 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të tretë C, sipas kalendarit liturgjik. Gjithnjë me 20 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Gjelazin I, papë
Të hënën më 21 nëntor, kalendari përkujton festën e Kushtimit të Zojës Mari a të Paraqitjes së Lumes Virgjër Mari në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja Mari iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës Bekuar në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.
Po më 21 nëntor, në festën e Paraqitjes së Zojës në tempull, Kisha lutet për bashkësitë monastike , do të thotë të murgeshave që jetojnë në mbarë botën.
Të martën më 22 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Çeçilien, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të mërkurën më 23 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Klementin I papë e martir, shën Kolombianin abat dhe shën Feliçitën martire. Liturgjia e ditës na kujton vejushën e Ungjillit. Lëmosha e saj është më e madhja, sepse nuk dha vetëm tepricat, por gjithçka kishte mbas shpirtit. Zoti i pranon dhuratat tona, kur i japim gjithçka i përket.
Të enjten më 24 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Andreun Dun-Lak, meshtar e shokëve të tij martirë e Shën Krizogonin, martir. Liturgjia e ditës na kujton fjalët që thotë Jezusi për rrënimin e Tempullit, duke kumtuar kështu se gjithçka kalon e se fundi i botës është pashmangshëm. Urojmë të mos e gjejë asnjërin nga ne të papërgatitur.
Të premten më 25 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire; shën Moisiun, martir; shën Pjetrin e Aleksandrisë, ipeshkëv e martir dhe të Lumët Luigji e Maria Beltrame Kuatroki, bashkëshortë. Liturgjia e ditës na siguron se fati i dishepullit të Jezusit nuk mund të ndryshojë nga ai i Mësuesit. E megjithatë ia vlen të shkëputesh nga çdo dashuri tokësore, për të fituar gëzimin e pasosur të dashurisë së Zotit.
Të shtunën më 26 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Siriakun papë; Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestrin, abat, themelues i Silvestrinëve. Kur flet për fundin e botës, Jezusi nuk nënvizon aq atë që do të ndodhë në fund të fundit. Thekson kryesisht se kush dëshiron ta ndjekë pas, duhet ta jetojë çdo ditë të jetës, si të ishte e fundmja.
Të dielën e ardhshme më 27 nëntor, bie e Diela e parë e Kohës së Ardhjes, ciklit të parë A, me të cilën Kisha katolike romake fillon një Vit të Ri liturgjik. Gjithnjë më 27 nëntor, kalendari përkujton shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e dielës së I të Ardhjes thërret: t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Eja o Zot Jezus! Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka që i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë.