Kërko

Fundraising for the restoration of the old cemetery in Rzeszow Fundraising for the restoration of the old cemetery in Rzeszow

Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit

Para enigmës së vdekjes, shumëkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. Kisha e quan vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse na do pafund. U ngjalla e tani jam gjithnjë me ty – na thotë Zoti Jezus – e dora ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes.

R.SH. - Vatikan

Më 2 nëntor, në ditën e përkujtimit të të gjithë të vdekurve, Kisha na fton t’i lutemi Zotit për të gjithë ata qё kanë ndërruar jetë e posaçёrisht pёr ata “që askush nuk i kujton” dhe na kujton se vdekja nuk është fjala e fundit, sepse njeriu është paracaktuar për një jetë të pa kufi, që ka rrënjët e veta dhe plotësimin e vet në Hyjin. Kështu në ditën kur përkujtojmё besimtarët e vdekur, pёrmes uratёve Kisha na fton  t’ia besojmё Hyjit tё Jetёs tё gjithё ata njerëz që e kanë lënë këtë botë për amshim. Zoti e pret mbarë njerëzimin, të cilin e ka shëlbuar me gjakun e çmueshëm të Jezu Krishtit, që vdiq për shpërblimin e mëkateve tona njerëzore

Prandaj më 2 nëntor, Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit. Besimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar. E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Kishës i cili, me fjalët e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë me Zotin.

Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të krishtera, i nxiste besimtarët “të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14). Edhe sot është e nevojshme të ungjillëzohet realiteti i vdekjes e i jetës së pasosur, që shpesh herë u nënshtrohet besëtytnive e sinkretizmave; sepse e vërteta e krishterë nuk duhet të vihet në rrezik, duke u ngatërruar me mitologji të natyrave të ndryshme. 

Por njeriu modern shumë shpesh mundohet të harrojë se do të vdesë një ditë, duke jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte. Njeriu modern e pret përsëri këtë jetë të pasosur, apo mendon se ajo i përket mitologjisë, së cilës nuk i beson më askush? Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe i jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, i cili qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.

E, pra, Zoti vijon të ekzistojë, edhe kur nuk i besojmë: e me të, edhe jeta e përtejme. Prandaj Kisha na fton t’i përkujtojmë besimtarët e vdekur me Meshë, lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të pastruar, të pranohen në jetën e amshuar. Por ç’ është kjo jetë e amshuar? Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos, një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bashkon pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët marrin pjesë në të njëjtën Dashuri

Para enigmës së vdekjes, shumëkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. E duke folur për kujtimin e të vdekurve, Kisha e quan vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse na do pafund.

U ngjalla e tani jam gjithnjë me ty – na thotë Zoti Jezus – e dora ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Atje ku nuk mund të të shoqërojë më askush e ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, atje do të të pres, që ta shndërroj, për ty, errësirën në dritë.

Përkujtimi i të vdekurve lidhet me një nismë të Shën Odilonit, abat i Klyni, në shekullin X. Asokohe nga kjo abaci vareshin një mijë manastire benediktine, e kjo ndihmoi që nisma të përhapej shumë shpejt në të katër anët e Evropës veriore. Më pas, në vitin 1311, Roma e shpalli përkujtimin e të vdekurve, festë zyrtare. Por, pavarësisht nga kjo, Kisha, që në kohët e para të krishterimit, i ka kujtuar gjithnjë të vdekurit me përshpirtëri të thellë, me meshë e me vepra bamirësie.

02 nëntor 2022, 10:46