Kërko

G20 në Bali, Indonezi G20 në Bali, Indonezi

G20, Bali: Pekini firmos deklaratën përfundimtare, duke dënuar pushtimin rus të Ukrainës

Në tekst ka disa përjashtime, por është hera e parë nga shpërthimi i konfliktit që kinezët firmosin një dokument me kaq rëndësi. Miqësia “pa kufi” ndërmjet Kinës dhe Rusisë duket gjithnjë e më pak e fortë. Pekini bën thirrje për përmbajtje pas raketës së rënë në territorin polak

R.SH. – Vatikan

Udhëheqësit e vendeve anëtare të G20-ës "dënojnë fuqishëm agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe kërkojnë tërheqjen e saj të plotë, pa kushte, nga territori ukrainas". Kjo është një nga frazat më të rëndësishme të deklaratës përfundimtare të samitit të Balit, në Indonezi, ku sot përfunduan dy ditët e takimit ndërmjet krerëve të shteteve dhe të qeverive të 20 vendeve më të industrializuara të botës. Deklarata erdhi menjëherë pas bombardimeve të djeshme ruse në territorin ukrainas.

Bie në sy gjesti i jashtëzakonshëm i Kinës, e cila e ka nënshkruar dokumentin, madje, së bashku me vetë Rusinë. Deri tani, qeveria kineze nuk ka mbajtur asnjëherë qëndrim zyrtar për dënimin e sulmit rus kundër Ukrainës. Gjatë këtyre ditëve me takime diplomatike, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për zgjidhjen paqësore të krizës, e cila duhet të fillojë nga armëpushimi. Gjithashtu, ai u shpreh kundër përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë, megjithëse, nuk i bëri asnjë kritikë të drejtpërdrejtë Kremlinit.

Deklarata e përbashkët përmban disa përjashtime, pa të cilat Kina nuk do të kishte dhënë pëlqimin e saj. Teksti nënvizon se "shumica e anëtarëve dënojnë fuqishëm luftën në Ukrainë dhe pohojnë se ajo po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore, duke keqësuar problematikat ekzistuese të ekonomisë botërore". Në një pjesë tjetër të tekstit saktësohet se ka edhe “pikëpamje të tjera e vlerësime të ndryshme në lidhje me situatën dhe sanksionet [kundër Rusisë]”.

Sipas disa analistëve, miratimi i tekstit paraqet gjithsesi një pikë kthese, sepse në fund të fundit, G20-a - duke përfshirë Rusinë dhe Kinën – e konsideron Moskën agresore dhe Kievin viktimë. Miqësia "pa kufi", për të cilën patën folur me pohe e bujë Xi Jinping dhe Putin, në prag të pushtimit rus, duket gjithnjë e më pak e qëndrueshme.

Në një përpjekje për bilancim, në Bali, diplomacia kineze u përpoq ta nxirrte Rusinë nga izolimi. Dje, në një takim ballë për ballë me homologun e tij rus Lavrov, ministri i jashtëm kinez Ëang Yi pohoi se vlerëson qëndrimin e Rusisë ndaj armëve bërthamore. Agjensia kineze e lajmeve Xinhua vë në dukje deklaratën ruse se "një luftë atomike nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë".

Por, megjithëse nuk e thotë haptazi, Pekini i frikësohet rrezikut për një zgjerim të mundshëm të konfliktit. Në konferencën e sotme për shtyp, duke iu referuar rënies së një rakete ende të paidentifikuar në territorin polak, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi se, në rrethanat aktuale, të gjitha palët duhet të "qetësohen dhe të përmbahen”, duke shmangur kështu shkallëzimin e luftës.

16 nëntor 2022, 15:31