Kërko

Vetrate delle Chiese gotiche Vetrate delle Chiese gotiche

Shenjtorët e javës 23 – 30 tetor

E diel 23 tetor Kisha kremton të Dielën e 30-të gjatë vitit kishtar ‘C’. Po më 23 tetor kalendari kujton edhe shën Gjon Kapestranin e shën Severinin. Ungjilli nga Luka propozon shëmbëlltyrёn e publikanit e fariseut, nё tё cilёn Jezusi na tregon se Zotit nuk i pëlqen lutja e krenarëve dhe e atyre që e konsiderojnë veten të drejtë e mё tё mirё se tё tjerёt. Përkundrazi, Zoti e dëgjon lutjen eklithmën që ngrihet nga zemra e atyre që vuajnë në shpirt e trup. Po sot Bie Dita 96-tё Botërore Misionare


R.SH. - Vatikan

E diel 23 tetor, Kisha kremton të Dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, ciklit tё tretё ‘C’. Gjithnjë më 23 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjon Kapestranin e shën Severinin. Po sot Bie Dita 96-tё Botërore Misionare.

Ungjilli i kёsaj sё diele nga Luka propozon shëmbëlltyrёn e publikanit dhe tё fariseut, nё tё cilёn Jezusi na tregon se Zotit nuk i pëlqen lutja e krenarëve dhe e atyre që e konsiderojnë veten të drejtë e mё tё mirё se tё tjerёt. Përkundrazi, Zoti e dëgjon lutjen dhe klithmën që ngrihet nga zemra e atyre që vuajnë në shpirt e trup dhe para Tij e njohin veten si mëkatar. T'i afrohemi gjithmonë Zotit me përulësi të thellë dhe besim të plotë.

Të hënën më 24 tetor, kalendari përkujton shën Antonin Maria Klaret e shën Luigjin Guanella. Liturgjia e ditës na sjell mësimin e Jezusit i cili na kujton se masa e gjykimit hyjnor do të jetë e njëjtë me atë që kemi përdorur në jetën tonë për t’i gjykuar të tjerët.

Më martën më 25 tetor, kalendari përkujton shën Krispinin e shën Gaudencin. Liturgjia e ditës na kujton se jeta është dhuratë nga Hyji e nuk na përket neve. Ne jemi vetëm mbarështues të saj, e kush ta ketë mbarështuar me urti, do të shpërblehet sipas planit të Zotit, që është burim i dritës, i gëzimit e i shëlbimit.

Të mërkurën më 26 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të enjten e ardhshme më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.

Të premten më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar pёrkujton festёn e shenjtorëve Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.

Të shtunën që vjen më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Liturgjia e ditës na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme

Të dielën e ardhshme më 30 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 31 gjatë vitit kishtar, ciklit tё tretё, e gjithnjë më 30 tetor kalendari kishtar do të përkujtojë festën e shën Gjermanit, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

23 tetor 2022, 09:41