Kërko

Kënga Epike Shqiptare dhe Kosova

Ambasadorja Lendita Haxhitasim, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali në bashkëpunim me Institutin Qendror për Trashëgiminë Tingullore e Audiovizuale italiane ICBSA, organizoi më 26 tetor 2022 tryezën e rrumbullakët kushtuar temёs: "Kënga Epike Shqiptare mes Dokumenteve Arkivore dhe Praktikës"

R.SH. - Vatikan

Shpalosja e folklorit, Kangëve epike tё Kreshnikëve, pёr t’u njohur me vlerat e mirëfillta tё njё populli, ky synimi i tryezёs  "Kënga Epike Shqiptare mes Dokumenteve Arkivore dhe Praktikës" organizuar me iniciativën e Ambasadores Lendita Haxhitasim, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali në bashkëpunim me Institutin Qendror për Trashëgiminë Tingullore dhe Audiovizuale italiane ICBSA, të mërkurën me datë 26 tetor 2022, në Romë.

Ambasadorja Lendita Haxhitasim dhe Drejtori i Institutit ICBSA, Dott. Antonello De Berardinis, përshëndeten ambasadorё tё vendeve tё ndryshme, studiues e miq duke i falënderuar pёr pjesëmarrjen e tyre nё kёtё ngjarje kulturore. Në vijim u prezantua aktiviteti i kësaj tryeze, do tё thotё paraqitja e veprёs, nё anglisht “Këngët Popullore, Këngët e Ëmbla” (Wild Songs, Sweet Songs ), një përmbledhje e epikës shqiptare nga koleksioni i Milman Parry dhe Albert Lord, edituar nga Prof. Nicola Scaldaferri me autorët Prof. Zymer U. Neziri, Victor A. Friedman dhe John Kolsti, botuar nga Universiteti prestigjoz i Harvardit.

Tryeza e rrubullakёt u moderua, sё bashku me prezantimin e rezultateve të hulumtimeve mes dokumenteve historike dhe praktikës nё fushёn e epikёs, nga Profesor Giovanni Giuriati, Universiteti la Sapienza i Romёs; studiuesi i njohur arbëresh Profesor Francesco Altimari, nga Universiteti Kalabrisë, i cili mes tjerash kujtoi rёndёsinё e kёsaj fushe nё transmetimin e traditёs e njёkohёsisht nё ruajtjen e identitetit tё njё populli, qё ishte nёn pushtimin otoman, i cili nuk kishte tё drejtёn e mёsimit tё gjuhёs shqipe dhe nё gjuhёn shqipe. Prof Altimari ka dhёnё njё kontribut  të çmueshёm në studimet e etno muzikologjisë, historisë dhe gjuhës shqipe .

Profesor Zymer Ujkan Neziri, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kujtoi vlerёn historike qё pёrfaqёson kjo vepёr, e cila pasqyron njё numёr tё jashtёzakoshёm këngësh epike tё trevave shqiptare; Profesor Nicola Scaldaferri, edhe ai arbёresh, nga Universiteti i Studimeve të Milanos, kujtoi punёn e çmueshme qё kanё bёrё autorёt e librit, tё cilёt kanё pёrshkuar vise tё ndryshme shqiptare pёr tё takuar persona e gjetur kёngёt epike, njё ndёr ta ishte edhe françeskani At Bernardin Palaj.

Kujtojme se folklori shqiptar, përkatësisht poezia epike, kangët për kreshnikët dhe proza gojore, sidomos përrallat ka qene  hulmtuar, mbledhur dhe  botuar nga Eterit françeskane At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti me  titull “ PRRALLA  KOMBTARE” në dy vëllime.  Keto vepra janë botimi më komplet dhe më i  vlefshëm i përrallës shqiptare si për nga cilësia ashtu edhe për nga sasia,  që ishte botuar  deri në atë kohë. Vëllimi  II  me  titull ‘Kangë Kreshnikësh dhe Legenda' i serisë pesëmbëdhjetë vëllimëshe të ‘Visareve të kombit’ janë mbledhë dhe redaktua nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, një nga perlat e  krijimtarisë gojore epike.

Prof. Scaldaferri në paraqitjen e veprёs, nё anglisht, 'Wild Songs, Sweet Songs'  nёnvizoi bukurinё dhe vlerёn e tekstit tё kёngёve epika shoqёruar nga tingujt  e lahutës, si mjet qё ka mbajtur gjallё historinё e traditës gojore me atё tё njё populli, si ai shqiptar. Surpriza e kësaj mbrëmje, ishte interpretimi i jashtëzakonshëm i lahutarit të njohur nga Rugova, z. Ise Muriqi (Isa Elezi Lekgjekaj), i cili pёr disa minuta u ofroi tё pranishmёve tingujt e asaj lahute qё ka pёrcjell, gjatё historisё, deri mё sot kёto vepra epike e jo vetёm.

Ambasadorja e Kosovёs nё Itali, Haxhitasim në fjalën e saj nёnvizoi se është pikërisht ndërthurja dhe bashkëveprimi mes studimeve e hulumtimeve akademike të poezive homerike dhe gjurmimeve në terren, që dëshmon edhe njëherë se Kosova ishte e mbetet një laborator krijimtarie, duke qenë zemra e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë iliro-dardan në Evropë. Republika e Kosovës, edhe pse ende nuk është anëtare e UNESCO-s, organizatës më prestigjoze botërore që lindi dhe u krijua për të promovuar ruajtjen e paqes dhe dialogut ndërkulturor, ajo synon t'i bashkohet këtyre vlerave dhe elementëve themeluese, pasi jemi të bindur se për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, ajo duhet të bazohet në shtyllat e arsimit, shkencës, kulturës, dhe bashkëpunimit midis kombeve, veçanërisht në rajonin tonë.

Nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit tё dёgjojmё Ambasadoren e Republikës së Kosovës Lendita Haxhitasim:

Nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit tё dёgjojmё Ambasadoren e Republikës së Kosovës Lendita Haxhitasim

Aktiviteti i lartpërmendur qe një ndërthurje ndërdisplinore me profesorë italianë, arbëreshë dhe nga Kosova, si prania e Profesorit Zymer Ujkan Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka dhёnё njё kontribut tё jashtëzakonshëm për studimet folkloristike dhe Eposin e Kreshnikëve, ta dёgjojmё Prof Nezirin nё  mikrofonin e dom David Gjugjёs:

Ta dёgjojmё Prof Nezirin nё mikrofonin e dom David Gjugjёs
28 tetor 2022, 12:35