Drama e vdekjeve të heshtura në Mesdhe, në raportin e Kombeve të Bashkuara
R.SH. - Vatikan
Në përvjetorin e nëntë të mbytjes në Lampedusa (Itali) të anijes-simbol i lundrimeve të dëshpëruara të emigrantëve dhe refugjatëve, numri i atyre që humbën jetën në rrugën e Mesdheut i ngjan një buletini lufte. Flitet për 25 mijë viktima, pas ngjarjeve të 3 tetorit 2013, të cilat, me 368 vdekje të konfirmuara, duket se tronditën shumë ndërgjegje duke nxitur shumë nismat e organeve të OKB-së
Gati 25,000 emigrantë dhe refugjatë humbën jetën vetëm gjatë nëntë vjetëve në dete. 84% e viktimave u zhdukën pikërisht në rrugën qendrore të këtyre ujërave, nga më aktivet dhe më të rrezikshmet në nivel global. Në kalendarin e vitit 2022 u shënuan më se 1,400 njerëz të vdekur ose të zhdukur - lexojmë në një raport të Kombeve të Bashkuara, publikuar në prag të 3 tetorit, Ditës Kombëtare të Kujtesës dhe Mikpritjes, përvjetor i mbytjes së anijes më 2013, në brigjet e Lampeduzës, që u mori jetën 368 njerëzve, ndërmjet të cilëve, 83 gra dhe nëntë fëmijë e që na kujton edhe shqiptarët e shumtë që “u varrosën” në ujërat e detit në përpjekjen për të ikur nga një vend, që nuk u jepte më as bukën e përditshme!
Nga Lampeduza, britma e Kombeve të Bashkuara
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) janë të pranishëm sot në Lampeduza me Komitetin e 3 Tetorit, organizatat e civilëve, përfaqësues të vendeve lokale, kombëtare dhe evropiane. Institucionet qeveritare po kujtojnë të gjithë ata që humbën jetën në përpjekjen e dëshpëruar për të gjetur siguri dhe mbrojtje në Evropë. Organizatat marrin pjesë edhe në veprimtaritë organizuar nga Komiteti i 3 Tetorit, në kuadër të projektit “Welcome Europe”.
Thirrje drejtuar qeverive
“Është e papranueshme që fëmijë, gra dhe burra, njerëz që ikin nga luftërat, dhuna dhe persekutimet, të vazhdojnë të humbasin jetën në Mesdhe", padit Chiara Cardoletti, përfaqësuese e UNHCR-së për Italinë, Selinë e Shenjtë dhe San Marinon. “Evropa duhet të pajiset me një mekanizëm më parashikues dhe efikas, të udhëhequr nga shteti, për kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve në det dhe për t’u siguruar atyre që mbërrijnë mundësinë ta rindërtojnë jetën me dinjitet”.
Në pritje të krijimit dhe zbatimit të një mekanizmi të tillë, IOM, UNHCR dhe UNICEF ritheksojnë se sa e çmuar është puna e shpëtimit në det nga Roja Bregdetare Italiane, OJQ-të dhe komandantët e anijeve tregtare. Organizata e Kombeve të Bashkuara thekson edhe një herë rëndësinë e zgjerimit të kanaleve të sigurta dhe të rregullta të strehimit dhe të migrimit, që të sigurohen mundësi të sigurta për kalimin e detit dhe mikpritjen e brigjeve të dëshiruara!
Urgjencë për të miturit
Është e nevojshme të sigurohet një sistem i aftë për të identifikuar menjëherë kategoritë më të ligshta që kapëcejnë detin, duke përfshirë të mitur të huaj të pashoqëruar, viktima të trafikimit dhe për të siguruar për ta ndihmë të specializuar. Edhe sot, ndërmjet refugjatëve dhe emigrantëve që kalojnë Mesdheun, numërohen shumë të mitur, kryesisht vajza, shpesh ndër subjektet më të ekspozuara ndaj rrezikut të shfrytëzimit dhe dhunës. “Pritja e përshtatshme, kujdesi në rastet më të cenueshme, rifillimi i shkollës dhe pranimi në radhët e shoqërisë, duke përfshirë luftën kundër diskriminimit, mbeten çelësi për t’u hapur portat e reja, në shoqërinë e re”.