Çmimi Nobel për Letërsinë 2022, shkrimtares franceze Annie Ernaux
R. SH. - Vatikan
Tejet i merituar, por edhe i papritur, pavarësisht se emri i Ernaux u përsërit shumë ditët e fundit. Në pritje të çmimit. Sepse mënyra sesi shkruan Annie Ernaux nuk është aspak konvencionale. Përkundrazi. Ajo ndihmoi, si askush tjetër, në përmbysjen e kanuneve letrare tradicionale: asnjë nga romanet e saj nuk mund të quhet vërtet “roman”. Në të gjitha veprat ndjehet fort origjinaliteti! E reja, në letërsi!
Është hera e gjashtëmbëdhjetë që Çmimi i jepet një shkrimtari francez.
Motivacioni i Akademisë Suedeze
Annie Ernaux, pra, shkrimtarja franceze me origjinë nga Lilebona, fitoi çmimin Nobel për Letërsinë 2022.
Në motivacionin e Akademisë Suedeze nënvizohet “guximi dhe mprehtësia klinike me të cilën shkrimtarja zbulon rrënjët, zvjerdhjet dhe frenat kolektive të kujtesës personale”. Ernaux, e intervistuar nga televizioni suedez, e komentoi çmimin duke e quajtur “nder i madh” dhe “përgjegjësi po aq e madhe”.
Komenti i Macron
“Annie Ernaux ka 50 vjet që shkruan romanin e kujtesës kolektive dhe intime të vendit tonë. Zëri i saj ngrihet lart në mbrojtje të lirisë së gruas dhe të harruarve të shekullit”. Kështu e komentoi presidenti francez Emmanuel Macron Çmimin, që iu dha bashkatdhetares së tij, me të cilin Ernaux “hyn në rrethin e çmimeve Nobel në letërsinë tonë franceze”.
Nobeli i gjashtëmbëdhjetë për letrat frënge
Çmimi i Annie Ernaux është Nobeli i gjashtëmbëdhjetë në Letërsi që i jepet një shkrimtari apo shkrimtareje franceze, duke e bërë Francën vendin që e ka marrë disa herë çmimin e krijuar në vitin 1891. I pari francez, që e mori, më 1901, ishte Sully Prudhomme; i fundit, Patrick Modiano, më 2014, ndërsa më 2008, Çmimin e mori Jean-Marie Gustave Le Clézio.
Veprat
Ernaux e krijoi prej kohe stilin e vet, që e dallon nga të gjithë romancierët e tjerë të vendit e të kohës së saj: prozë e matur, me elemente autobiografike shumë të theksuara. Në veprat e saj preken vazhdimisht temat që lidhen me familjen, miqësitë, martesën, ndërthurur me aspekte të jetës kolektive dhe individuale. Paralelisht me ngjarjet më intime dhe personale, Ernaux trajton çështje që kanë të bëjnë me “luftën e klasave”, me një ndërgjegjësim të fituar gjatë adoleshencës, karakterizuar nga një kulturë e pasur dhe e ndërlikuar.
Vepra, që mbi të gjitha, sipas kritikës, i pasqyron më qartë këto tema, është “Les années”, botuar në Itali nga Orma, më 2015 me titullin “Vitet”. Romani, që përshkruan fëmijërinë e autores, deri në vitin 2006, fitoi çmimin Marguerite Duras më 2008, Çmimin François Mauriac, Prix de la langue française dhe Çmimin Evropian Strega, më 2016.
Medalja
Medalja e Akademisë Suedeze paraqet një djalë të ri, ulur nën një dru dafine, që e dëgjon dhe e shkruan këngën e Muzës. Në medalje shkruhet:
Inventas vitam juvat excoluisse per artes - që në përkthim fjalë për fjalë do të thotë: “Krijimet përmirësojnë jetën, që zbukurohet përmes artit”.
Janë vargje nga Eneida e Virgjilit, kënga VI, vargu 663.
Emri i laureatëve gdhendet poshtë figurave, ndërsa teksti “ACAD. SUEC.” që do të thotë “Akademia Suedeze”. Medalja e Çmimit Nobel për Letërsi është punuar nga Erik Lindberg.
Kujtojmë se kandidatët shqiptarë për Çmimin Nobel kanë qenë Atë Gjergj Fishta dhe Martin Camaj; është Ismail Kadare.