Kërko

Toka, planet për t'u ruajtur Toka, planet për t'u ruajtur

Ambienti: WWF, popullsia e faunës së egër ka rënë me 69%

Që nga viti 1970, kafshët e egra janë reduktuar me 69%. Alarmin e jep WWF (World Wide Fund for Nature – Fondi Botëror për Natyrën) në një raport mbi shëndetin e planetit. Në rrezik për zhdukje, edhe njeriu

R.SH. – Vatikan

Në Raportin e fundit Botëror për Shëndetin e Planetit, organizata e OKB-së WWF (World Wide Fund for Nature – Fondi Botëror për Natyrën)  e bën të qartë se nuk mund të ketë ardhmëri pozitive për natyrën, pa njohur dhe respektuar të drejtat e popujve indigjenë dhe të bashkësive lokale në mbarë botën. “Të dhënat e Raportit mbi Gjallesat e Planetit japin dramatikisht alarmin për shëndetin e keq të biolarmisë globale dhe konfirmojnë se koha në dispozicion për të ndryshuar kurbën e hemorragjisë natyrore, që dallon epokën tonë, tani po mbaron – pohoi sot presidenti i WWF Itali, Luciano Di Tizio, gjatë paraqitjes së raportit në Romë. - Pa një ndryshim strukturor në politikat, ekonomitë, zakonet tona, pothuajse asnjë nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të OKB-së nuk mund të arrihet. Për ta kthyer mbrapsht këtë prirje dhe për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të shëndetshme për të gjithë, brenda vitit 2030, duhet përgjysmuar ndikimi global i prodhimit dhe i konsumit. Duhet transformuar rrënjësisht kultura dhe shoqëria”.

Raporti, në të cilin denoncohet se nga viti 1970, bota ka humbur 69% të faunës së egër, dëshmon se duke rritur përpjekjet për të pasur një mënyrë më të qëndrueshme prodhimi dhe konsumi, që e respekton natyrën, pa e keqpërdorur ushqimin e, duke dekarbonizuar me shpejtësi të gjithë sektorët, do të arrihet në zbutjen e krizës së dyfishtë të klimës dhe të natyrës. WWF i fton politikanët të impenjohen për t’i transformuar ekonomitë, duke vlerësuar si duhet burimet natyrore.

“Po e dëmtojmë botën. Vazhdojmë të mendojmë se asaj do t’i vijë fundi, por bota nuk do të përfundojë, pasi ka aftësi përshtatëse të jashtëzakonshme. Jeta do të ekzistojë gjithsesi, janë speciet që ka rrezik të zhduken e ndër to, edhe njeriu”, denoncoi Luciano di Tizio. “I vetmi avantazh që kemi, në krahasim me tigrat, luanët dhe peshqit, që kanë nevojë për ne, përndryshe nuk shpëtojnë dot, është se ne mund të shpëtojmë me forcat tona, por duhet ta kuptojmë urgjencën e ndërhyrjes në këtë drejtim”.

13 tetor 2022, 17:41