Kërko

Lufta në Ukrainë Lufta në Ukrainë

Ukrainë, Caracciolo: shkallëzim i mundshëm me armë tejet vdekjeprurëse

Drejtori i revistës italiane gjeopolitike “Limes” e sheh thirrjen e rezervistëve rusë si shenjë dobësie të Moskës dhe paralajmëron se mund të ketë një shkallëzim të konfliktit. Ai përshkruan një situatë, që mund t’u shpëtojë nga duart të dy krerëve, si presidentit Putin, ashtu edhe presidentit Zelensky. Vetëm SHBA-të kanë peshën diplomatike për të ndërmjetësuar për paqen, nënvizon Caracciolo

R.SH. – Vatikan

Një shkallëzim i konfliktit në Ukrainë mund ta shtyjë Moskën të përdorë armë edhe më ekstreme. Kështu e analizon drejtori i revistës italiane gjeopolitike “Limes”, Lucio Caracciolo, mobilizimin e rezervistëve, deklaruar nga presidenti rus Vladimir Putin. Sipas ekspertit gjeopolitik, situata në terren, me avancimin e ukrainasve dhe referendumet e republikave separatiste, në një farë mënyre mund t’u shpëtojë nga duart të dy liderëve. Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, ai komenton nëse gjesti i presidentit Putin është shenjë dobësie apo shënon një shkallëzim të ri në konfliktin Rusi-Ukrainë

Jemi përballë të dyjave, shenjë dobësie dhe shkallëzim njëkohësisht, pasi nga këndvështrimi rus është në rrezik vetë ekzistenca e shtetit. Vërtet, presidenti Putin përmendi përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, që doktrina ruse i parashikon në rastin e një kërcënimi ekzistencial. Pra, mobilizimi i ushtarëve të tjerë do të thotë se Rusia po e humb luftën në terren, të paktën nuk është në gjendje ta fitojë atë dhe është gati të përdorë të gjitha mjetet e mundshme.

Të mendosh se mund të përdoren armët bërthamore është çmenduri, tha Papa Françesku në audiencën e sotme. As kërcënimi bërthamor nuk çon në rinisjen e bisedimeve të paqes, prandaj, perspektiva e një marrëveshjeje largohet, ndërsa të dyja frontet përpiqen për fitoren ushtarake…

Tani objektivat e të dyja vendeve kanë ndryshuar: Rusia mendonte fillimisht se do të fitonte shpejt dhe do të aneksonte një pjesë të madhe të Ukrainës, gjë që tani është e pamundur; ndërsa ukrainasit mendonin vetëm të shpëtonin lëkurën, por tani kanë shkuar më larg nga sa imagjinonin. Prandaj, jemi në një situatë që, në një farë mënyre, nuk arrijnë ta kontrollojnë as të dy liderët (Zelenski dhe Putin, sh.r.). Thirrja e Papës është shumë e rëndësishme, por gjërat në terren po zhvillohen me një logjikë tjetër. Meqë, në këtë çast, Ukraina dhe Rusia po luftojnë për ekzistencë, ka mundësi që kush ka armën bërthamore, pra Rusia, të marrë edhe vendime ekstreme.

Thirrja e 300 mijë rezervistëve rusë, si do të pritet prej popullit, sipas jush? Sidomos nga të rinjtë, që mund të përfundojnë në front, prandaj, mund të kundërshtojnë?

Kjo, ka mundësi, por, nga sa dihet, situata e brendshme është ende mjaft nën kontroll. Edhe ata që nuk janë dakord me Putinin, kur thërret atdheu, priren të shtrëngohen rreth flamurit. Referendumet në republikat separatiste janë të përgatitur mirë, prandaj do të japin rezultate plebishitare në favor të bashkimit me Rusinë. Kjo do të thotë se Moska do t’i aneksojë ato territore, që aktualisht, nuk i kontrollon krejtësisht, prandaj, do të vazhdojnë luftimet. Problemi është se për Moskën nuk do të jenë më territore të pushtuara, por territore ruse. Kështu që rusët, teorikisht, mund të bëjnë ç’të duan, edhe të përdorin armë ekstreme.

Si do të përgjigjet Perëndimi e ç’do të ndodhë në terren?

Sinqerisht, nuk shoh unitet të madh në Perëndim. Për shembull, qëndrimi i Gjermanisë nuk është ai i Polonisë dhe turqit janë në mes. Shihet edhe se mirëkuptimi i Rusisë me Kinën dhe Indinë po prishet. Jemi pak në fazën secili për vete, askush për të gjithë. Ndërmjetësimi i mundshëm për paqen mund të vijë vetëm nga SHBA-të: nuk ka zgjidhje tjetër. Vetëm Amerika mund të ndërmjetësojë, meqë kontrollon qeverinë ukrainase dhe konsiderohet i vetmi bashkëbisedues i besueshëm nga Moska.

21 shtator 2022, 16:07