Kërko

Ta njohim Biblën e ta shfletojmë: do të na bëjë menjëherë për vete!

Koleksion shkrimesh, mbajtur të shenjta nga hebrenjtë dhe të krishterët, Bibla të nxit ta shfletosh, ta meditosh e ta jetosh! Vijon të jetë prej shekujsh Libri më i famshëm, më i diskutuar, më i lexuar dhe më i rëndësishëm në “Bibliotekën” vigane të njerëzimit. Bibla e parë e shtypur doli në Mainz, nga shtypshkroja e Johannes Gutenberg, duke nisur nga 23 shkurti 1453. U bë menjëherë Libri më i përkthyer në botë

R.SH. - Vatikan

Bibla është përmbledhje shkrimesh, të shenjta për hebrenjtë dhe të krishterët tejet interesante për të gjithë! Emri ‘bibbia’ vjen nga greqishtja ‘biblìa’, domethënë rrotulla, siç ishin librat në lashtësi, që më vonë u zëvendësuan me fjalën “Libri”.  Për të krishterët ndahet në Besëlidhjen e Vjetër dhe të Re. 

Besëlidhja e Vjetër, ose Bibla Hebraike, është koleksioni i librave të shenjtë të hebrenjve: kemi të bëjmë me vepra të një lloji shumë të ndryshëm, të shkruara në një periudhë shumë të gjerë kohore. Përshkruajnë historinë e popullit të Izraelit në kohët e lashta, ligjet dhe idetë e tij fetare. Në vend të kësaj, në qendër të mesazhit të Besëlidhjes së Re është historia e Jezusit të Nazaretit dhe besimi në ringjalljen e Tij pas vdekjes. Për autorët e Besëlidhjes së Re, Jezusi është Mesia (në greqisht Christòs “i Shenjtëruar”), domethënë “i dërguari nga Perëndia”, që pritej aq shumë nga judenjtë.

Studimi i Biblës

Bibla është libër besimi, por edhe objekt studimi për historianët. Interpretimi fetar i Biblës shërben për të kuptuar Fjalën, që Zoti dëshiron t’i thotë lexuesit të çdo kohe, ndërsa interpretimi shkencor kërkon të zbulojë kuptimim që pati teksti biblik për njeriun, që e shkroi, në një çast të caktuar historik dhe brenda një kulture të caktuar. Ky interes për kuptimin origjinal të Biblës vjen nga lashtësia, vijon në mesjetë e zhvillohet posaçërisht në epokën moderne, me Humanizmin.

Nxitje për leximin e Biblës

Vetë emri “Bibël” të nxit për ta shfletuar e për ta medituar Librin më të famshëm, më të diskutuar dhe më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Libër ku gjejmë Zotin, etërit tanë të parë, e doemos, vetveten!

Bibla e  parë e shtypur doli në Mainz, nga shtypshkroja e Johannes Gutenberg, duke nisur nga 23 shkurti 1453. U bë menjëherë Libri më i përkthyer në botë: në fillim të shekullit tonë ishte i përkthyer në 366 gjuhë. Përkthim që vijon në të gjitha skajet e skutat e tokës, edhe në viset më të panjohura e gjuhët më pak të folura.

E është edhe i vetmi libër që ka shtegtuar jashtë kufijve të Tokës. Një Bibël e vogël në anglisht, më 7 gusht 1971, u mbart në Hënë nga astronauti David Scott, komandanti i Apollo 15.

Paradoksalisht, betimi mbi Bibël konsiderohej i pahijshëm edhe nga vetë Jezusi.

Bibla është tronditëse, por askush deri më sot nuk ka arritur ta shkatërrojë, ta zhdukë, ta shndërrojë. Mbeti Libri më i dashur, më i lexuar, por edhe  më i urryer në botë.

I djegur nga mbreti Ioiachim (shek. VI para Krishtit) dhe shumë të tjerë pas tij, i ndaluar në mesjetë dhe ende sot në shumë vende të botës, i vënë në dyshim nga filozofët e shekujve 18 dhe 19, vijoi e vijon të përkthehet.

Që nga fillimi i vitit 1999, Bibla ekzistonte në 366 gjuhë dhe Dhiata e Re në 928 gjuhë.

Sipas të dhënave të Vitit 2004, realizuar nga Besëlidhja Biblike Universale, Bibla është përkthyer e tëra ose pjesërisht në 2.355 gjuhë. Gjuhët kryesore të botës janë 3.000, por numërohen deri në 6.700 gjuhë të vogla e të mëdha. Në vitin 2004 Besëlidhja Biblike Universale nisi përkthimin e Biblës në më se 600 gjuhë!

 Meqenëse po flasim për “kuriozitete” ia vlen të kujtojmë se në rrëfimin për vdekjen e Lazrit, gjejmë versetin më të shkurtër në të gjithë Biblën: “Jezusi qau”.

Bibla më e vogël: shkencëtarët izraelitë kanë krijuar kopjen më të vogël të Biblës, në formë të një pllake të vogël ari me një mikroçip.

Bibla e Mbretit Xhejms, e porositur nga sovrani anglez dhe botuar në 1611, është varianti zyrtar i Kishës Anglikane. U përgatit nga një komision i përbërë prej shumë studiuesish (rreth pesëdhjetë) e, sipas disa hamendjeve, në të vu dorë edhe William Shakespeare.

Mëkati i rrjedhshëm

Është gjëndja e fajit dhe e së keqes që e merr çdo njeri nga Adami për shkak të vazhdimësisë natyrore. Njeriu, për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, do të kish mbetur përgjithmonë i përjashtuar nga Parajsa, sikur Zoti, për ta shpëtuar, të mos kishte premtuar dhe të mos e kishte dërguar nga Qielli Birin e vet, Jezu Krishtin, Shëlbuesin e njeriut e të njerëzimit!

Shtatë mëkatet mortare

Shtatë mëkatet mortare, që të hapin rrugën e ferrit, janë:  “Krenia, epshi, koprracia, zilia, zemërimi, përtacia dhe grykësia”. U klasifikuan për herë të parë shtatë shekuj pas vdekjes së Krishtit. Ishin disa murgjër të hershëm të krishterë që e bënë këtë klasifikim, i cili nuk gjindet në Bibël. 

Pjetri ishte burrë i martuar

“Atëherë Jezusi, duke hyrë në shtëpinë e Pjetrit, pa që vjehrra e tij ishte në shtrat me ethe. (Mateu 8:14).

Më i shituri, më i lexuari e më i vjedhuri!

Bibla është libri më i shitur: në mbarë botën shiten çdo minutë  mesatarisht 47 kopje të Biblës. Është libri më i famshëm, më i lexuari por edhe më i vjedhuri në botë.

14 shtator 2022, 15:03