Kërko

Salikimet e Elizabeth II: Welby, “kujdesi i saj për njerëzit, rrënjosej në ndjekjen e Krishtit”

“Madhëria e Saj premtoi, që në moshën njëzet e një vjeçare, se do t’ia kushtonte jetën shërbimit të kombit dhe të Komonuelthit. Rrallëherë është mbajtur kaq mirë ndonjë premtim”. Me këto fjalë e filloi predikimin primati anglikan, Justin Welby, në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth. Kryeipeshkvi i Canterbury-t foli për besimin e sovranes, për jetën e saj, gjithnjë në shërbim të së mirës. U bë, kështu, shembull i rrallë i udhëheqjes se krishtere

R.SH. - Vatikan

Mbretëria e Bashkuar u ndal për funeralin solemn të Elizabeth II. Funerali shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II u mbajt në Westminster Abbey, në prani tё 500 liderëve dhe monarkëve botërorë, nga presidenti amerikan Biden - tek kryeministri i Ishujve Kuk, Mark Brown. Pothuajse e gjithë familja mbretërore, e pranishme. Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, përfaqëson Papën Françesku

“Ndërsa të pushtetshmit zakonisht lartohen në jetë, e harrohen sapo  vdesin, për ata që i shërbejnë Zotit, vdekja është dera e lavdisë. Porta e Parajsës!”. “Madhëria e Saj premtoi, që në moshën njëzet e një vjeçare, se do t’ia kushtonte jetën shërbimit të kombit dhe të Komonuelthit. Rrallëherë është mbajtur kaq mirë ndonjë premtim”. Me këto fjalë e filloi predikimin primati anglikan, Justin Welby, në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth.

Kryeipeshkvi i Canterbury-t foli për besimin e sovranes, për jetën e saj, gjithnjë në shërbim të së mirës. U bë, kështu, shembull i rrallë i udhëheqjes së krishterë. Ndryshe nga shumë të fuqishëm, që zakonisht interesohen më tepër për famën e për suksesin. Primati anglikan Justin Welby kujtoi se edhe mbreti Charles ka të njëtën dashuri për Zotin dhe nënshtetasit e Nënës së tij. “Dëgjuam - vijoi - leximet e sotme, nga të cilat Jezusi na flet e na kujton se është udha, e vërteta, jeta. Shembulli që na dha Mbretëresha nuk buronte nga pozita, e aq më pak, nga ambicja e saj, por nga Ai, të cilin kishte vendosur ta ndiqte” - nënvizoi Kryeipeshkvi - për të kujtuar, më pas atë që po i zë vendin, të Birin: “E di - siguroi - se Madhëria e Tij Mbreti  ka të njëjtin besim e të njëtën shpresë tek Jezusi, tek Krishti në të cilin besonte pa asnjë lëkundje e ëma, e se ka të njëjtat ndjenja shërbimi dhe detyre”.

Betim para Krishtit

Në vitin 1953 Mbretëresha nisi t’i shërbejë kurorës, duke u lutur në heshtje, pikërisht këtu, në gjunjë para këtij altari të lartë. Këtu u betua për besnikëri ndaj Zotit, para se të tjerët të betoheshin për besnikëri ndaj saj. Shërbimi që i bëri një morie njerëzish të këtij kombi dhe të vendeve të Komonuelthit, ishte i rrënjosur në Krishtin, të cilin ajo e ndoqi besnikërisht pas gjatë gjithë jetës, me të mirat e të vështirat e saj, sepse as të pushtetshmit nuk mund të shpëtojnë nga dhimbjet e trazirat, që shkakton jeta mbi dhe, derisa njeriu niset për rrugën e tij të fundme, “në të cilën Mbretëresha e Popullit pati e ka gjithnjë pranë  Krishtin”.

Populli pranë Mbretëreshës

Mbretëria e Bashkuar u ndal, në heshtje, e prekur thellë në shpirt, për funeralin solemn të Elizabeth II, që u shua më 8 shtator në Skoci, në moshën 96-vjeçare. Në një Londër të blinduar nga Scotland Yard, që kreu operacionin më të madh të sigurisë përballë një lumi njerëzish, i cili vërshonte përgjatë ujërave të Tamizit, më se një milion - duke garantuar sigurinë e udhëheqësve dhe personaliteteve, ardhur nga e gjithë bota për funeralin shtetëror, sot, e hënë, 19 shtator, në Westminster Abbey.

“Të paktë liderët që përcillen në banesën e fundme me kaq dashuri, si kjo që  pa mbarë bota këto ditët e fundit”, tha në predikimin e tij kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, primat i Bashkimit anglikan.

Herët në mëngjes salla funebre në Westminster Hall u mbyll për publikun, ndërsa dyert e abacisë ishin ende hapur për të lehtësuar hyrjen e rreth 2,000 të ftuarve, ndërmjet të cilëve, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, që përfaqësoi Papën Françesku, si dhe presidenti i Shqipërisë, zoti Bajram Begaj me Zonjën. Të pranishëm, ndërmjet tjerësh, shumë mbretër evropianë, si Mbreti Felipe dhe Mbretëresha Letizia e Spanjës, por edhe perandori Naruhito dhe perandori Masako i Japonisë; pastaj presidenti amerikan Joe Biden me zonjën e parë Jill, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kreu i shtetit italian Sergio Mattarella, presidenti francez Emmanuel Macron, nënpresidenti kinez Wang Qishan...

Ndërkohë, njerëzit vazhdonin të grumbulloheshin në qendrën tregtare dhe në parqet e kryeqytetit britanik, për të ndjekur transmetimin drejtpërdrejt nga ekranet e vendosura posaçërisht për këtë funeral. Në orën 10.44 me orën lokale, sipas ceremonialit, procesioni doli nga salla e Westminsterit, për t’u drejtuar nga abacia, me arkivolin e sovranes të vendosur mbi një shtrat topash, me kurorën perandorake, me një skeptër, një glob të artë dhe një kompozim lulesh, shoqëruar nga marinarët e Marinës Mbretërore. Procesionin e ndiqnin anëtarët e familjes mbretërore, Mbreti Charles III dhe Windsors të tjerë, Anna, Eduardi dhe Andrea, së bashku me princat William dhe Harry, të cilët më pas u bashkuan brenda abacisë me  mbretëreshën bshkëshorte Camilla dhe pjesëmarrësit e tjerë, ndërmjet të cilëve, princat George dhe Charlotte. Liturgjinë e kryesoi i nderuari David Hoyle, dekan i abacisë, me lutje ekumenike, i shoqëruar nga Kardinali Vincent Gerard Nichols, Kryeipeshkëv Metropolit i Westminsterit. Në fund të ritit, procesioni i fundit nëpër Londër. Pastaj transferimi i arkivolit në Windsor për varrim.

19 shtator 2022, 18:29