Në Betlehem, një qendër e re pritjeje për shtegtarët
R.SH. - Vatikan
U përurua ditët e fundit, në zonën e shenjtërores së Fushës së Barinjve në Beit Sahour, pranë Betlehemit, qendra e re e pritjes së shtegtarëve (Pilgrim Center).
Me këtë rast u bekuan themelet e kapelës së Shën Françeskut të Asizit dhe Shna Ndout të Padovës, që njihet edhe si “Kapela e Palestinës”. Strukturën e përuroi kujdestari i Tokës së Shenjtë, At Francesco Patton, i shoqëruar nga autori i projektit, At Marcelo Ariel Cichinelli; famullitari i Tokës së Shenjtë, At Ibrahim Faltas; Presidenti i Fondacionit të Tokës së Shenjtë Françeskane, At Peter Vasko dhe eprori i Campo dei Pastori, At José Maria Falo Espés. Në ceremoni morën pjesë Ministrja e Turizmit dhe Antikiteteve të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rula Maay'ah dhe Nayef Gaby Mauge, anëtar i familjes Bethlehemite, që financoi ndërtimin e Kapelës Palestineze.
Ky i fundit foli në emër të kushëririt të tij, Kamal Anton Issa Hazboun, i cili, sipas Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, në vazhdën e një tradite familjare që nis nga fillimi i shekullit të kaluar, i dhuroi vendit të tij një ndërtesë kulti, për t’u lutur me palestinezët dhe me brezat e ardhshëm të besimtarëve, vendas dhe të huaj. Atë Patton shprehu kënaqësinë e tij për ngritjen e shenjtërores dhe rëndësinë që ka për Kujdestarinë lidhur me pritjen e shtegtarëve. Nga ana e tij, ministri i turizmit nënvizoi ndikimin pozitiv që do të ketë struktura e re për zonën, edhe në drejtim të punësimit dhe të perspektivës së lulëzimit së turizmit fetar në Palestinë.
Kapela e Palestinës, që i kushtohet shën Françeskut të Asizit dhe Shëna Ndout të Padovës, u dhurua nga familja Hazboun e Betlehemit. Para ritit të bekimit të themeleve, brenda një grope dyshemeje u vendos një zarf me monedha të llojeve të ndryshme, një kryq, Rregulla françeskane, fjalimi i mbajtur nga kujdestari dhe një fletë me nënshkrimet e të pranishmëve. Gjesti simbolik ishte dëshmi për pasardhësit, në rast të gërmimeve arkeologjike të shekujve që do të vijnë.
Zgjerimi dhe përditësimi i kantierit me ndërtesa dhe kapela të reja u bë i nevojshëm, shpjegon kujdestari, për shkak të vështirësive në pritjen e një numri në rritje të besimtarëve në ambientet para-ekzistuese të pritjes. Por dhe për kremtimet liturgjike, në një kohë kur shtegtarët kërkojnë më shumë hapësirë, për t’i shijuar më mirë ngjarjet e mëdha, si Mesha gjatë kretimeve të Krishtlindjeve. Prej këndej, me kalimin e viteve, u bë gjithnjë më urgjente nevoja për këtë Kapelë. Projekti përfshin rishikimin e zonës së manastirit të Fushës së Barinjve përmes restaurimit të zonës arkeologjike dhe ndërtimit, në disa faza, të dhjetë kishave kombëtare - pesë të sipërme dhe pesë të poshtme - një sakresti dhe një zonë pritjeje e çlodhjeje për shtegtarët.