Kërko

Manifestim në Nju Jork në favor të grave iraniane Manifestim në Nju Jork në favor të grave iraniane

Iran, nata e dymbëdhjetë e protestave. 75 viktima ndër manifestuesit

Në vendin aziatik sapo përfundoi një natë e re protestash, që filluan pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, arrestuar nga policia morale për mbajtjen e hixhabit në një mënyrë, që nuk përkon me rregullat e Republikës Islamike. Numri i viktimave në sheshe ka arritur në 75, sipas organizatave ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, i kërkoi presidentit iranian Raisi të mos përdorë forcën kundër protestuesve

R.SH. – Vatikan

Dita e 12-të e protestave në Iran, pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, arrestuar nga policia morale për mbajtjen e hixhabit jo sipas rregullave të Republikës Islamike. Faktikisht, faji i saj ishte se i dukeshin flokët jashtë shamisë. Ngjarja shkaktoi indinjatë të thellë brenda vendit e në gjithë botën. Në ato pak video që arrijnë të dalin nga Irani, pavarësisht nga ndërprerjet e vazhdueshme të lidhjes në internet, shohim një grua pa hixhab, në mesin e një proteste në lagjen Narmak të Teheranit. Të tjera gra presin flokët e heqin shaminë në Sanandaj, kryeqendra e provincës veriperëndimore të Kurdistanit, vendlindja e Mahsa-s, ndërsa në jug, në Shiraz, duket një burrë, që proteston kundër liderëve të Republikës Islamike.

Më se 70 viktima dhe 1200 arrestime zyrtare

Bashkësia ndërkombëtare bën thirrje për të ndalur përdorimin e forcës, por qeveria iraniane vazhdon të përdorë grushtin e hekurt kundër protestuesve, akuzuar si “rebelë”, që “minojnë sigurinë dhe pronën publike”. Kështu, u arrit në 75 viktima, sipas organizatave humanitare (qeveria pranon pak më shumë se 40), dhe në 1200 arrestime zyrtare aktivistësh, avokatësh e gazetarësh, si gra, ashtu edhe burra. Gjithnjë sipas qeverisë iraniane, protestat kanë përfunduar, por “mediat perëndimore, kritike ndaj Iranit, vazhdojnë të flasin për një atmosferë të përflakur, duke u bërë thirrje personaliteteve të njohura për ta mbajtur gjallë protestën”.

Është arrestuar edhe vajza e ish-presidentit Rafsanjani

Ministri i Shëndetësisë së Iranit akuzoi demonstruesit se kanë shkatërruar 72 autoambulanca, të cilat, sipas opozitës, në të vërtetë janë përdorur për transportimin e forcave të sigurisë. Është arrestuar edhe vajza e ish-presidentit iranian Rafsanjani, Fazeh Hashemi, 69 vjeçare, gazetare dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Në një takim, gjatë asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm, Guterres, “i theksoi presidentit iranian Raisi nevojën për të respektuar të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes, manifestimin paqësor dhe mundësinë për krijimin e shoqatave”. I kërkoi edhe një proces të shpejtë hetimor, “të paanshëm dhe të saktë” për vdekjen e Mahsa Aminit.

28 shtator 2022, 14:04