Kërko

Dita e OKB-së për Paqen: arsimi, mjet për të luftuar kundër diskriminimeve

Me rastin e përvjetorit, që Kombet e Bashkuara e kremtojnë më 21 shtator, Aleanca Strategjike e Universiteteve Kërkimore Katolike, e koordinuar nga Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit, nënvizon rëndësinë e arsimit për promovimin e kulturës së paqes. Këtë vit, Dita përqendrohet në temën e racizmit dhe të pabarazive, që rrjedhin prej tij

R.SH. – Vatikan

Këtë vit, Dita e sotme Ndërkombëtare e Paqes, e themeluar nga OKB-ja në vitin 1981, përqendrohet mbi temën e racizmit. 21 shtatori është data, në të cilën Kombet e Bashkuara i ftojnë të gjitha vendet e botës të pezullojnë çdo armiqësi dhe të ndalojnë çdo dhunë, të organizojnë veprimtari edukative dhe nisma, që ndërgjegjësojnë për çështjen e paqes në të gjitha nivelet e jetës shoqërore. Në një deklaratë me rastin e kësaj Dite, Aleanca Strategjike e Universiteteve Kërkimore Katolike (SACRU) vë në dukje se racizmi është çështje aktuale, që mund të luftohet përmes edukimit, konsideruar mjet për promovimin e kulturës së paqes. Aleanca është një rrjet prej tetë universitetesh katolike, në katër kontinente, të koordinuara nga Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit, që bashkëpunojnë me qëllim promovimin e edukimit global për të mirën e përbashkët dhe të punës kërkimore ndërdisiplinore, frymëzuar nga mësimet e doktrinës shoqërore katolike.

Diskriminimet e sotme

“Shpesh mendohet se racizmi është diçka, që i përket së shkuarës dhe nuk ekziston më në shoqëri. Fatkeqësisht, diskriminimi racor vijon – theksohet në një notë të rrjetit universitar - dhe shfaqet në forma të ndryshme: konflikte, pabarazi në strehim, ushqim, furnizim me ujë të pijshëm, arsim, si edhe në punësim”. Aleanca thekson se pandemia Covid-19 dëshmoi se disa grupe etnike janë prekur më rëndë se të tjerët, ndërsa lufta në Ukrainë iu shtua konflikteve të shumta në mbarë botën, që shkaktojnë emigrimin e njerëzve e, shpesh, diskriminimin e tyre në kufij.

Mënyra të ndryshme për t’i bërë ballë racizmit

Ekspertët e Aleancës Strategjike të Universiteteve Kërkimore Katolike theksojnë se arsimi luan një rol themelor në luftimin e pabarazive racore. Janë të nevojshme politika, që çrrënjosin shkaqet e racizmit dhe të diskriminimit, duke siguruar të drejta të barabarta për të gjithë. Racizmi nuk është vetëm diskriminim, bazuar në origjinën etnike të një personi, por është edhe gjenerator i pabarazive shoqërore dhe ekonomike. Për shembull, 83% e njerëzve në Afrikë, në prill të këtij viti, nuk kishin marrë ende asnjë dozë vaksine kundër Covid. Edhe kjo është “një formë dhune, që pengon arritjen e paqes, njëlloj si krizat shoqëroro-ambientale dhe konfliktet e armatosura”.

Paqja është e mundur

Drejtësia dhe diplomacia, që ndreqin gabimet e bëra, janë mjete thelbësore për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, pa diskriminim racor. Gjithnjë duke kërkuar të vërtetën, duhet t’u njihet dinjiteti i njëjtë njerëzor si viktimave, ashtu edhe fajtorëve, si të fyerëve, ashtu edhe autorëve të fyerjes, pohon Aleanca universitare, e cila pranon se kjo është sfidë tejet impenjative, por mund të sjellë një paqe tejet pozitive.

21 shtator 2022, 12:02