Kërko

 San Zaccaria Profeta San Zaccaria Profeta

Mё 6 shtator kalendari kujton Shёn Zakarinё, profet

Zakaria, që do të thotë "Zoti kujton", është profeti më i cituar në Besëlidhjen e Re tё Biblёs, pas Izaisë. I përket fisit të Levit. thirret në shërbesën profetike në vitin 520. Përmes vizioneve e shëmbëlltyrave, shpall thirrjen e Hyjit për pendim, një kusht ky që premtimet e Zotit të mund tё realizohen.

R.SH. - Vatikan

Mё 6 shtator kalendari kishtar kujton Shёn Zakarinё profet ( shek.. VI para K.). “YHWH u kujtua”: ky është kuptimi i emrit Zakari, një nga tre profetët e kohës pas mërgimit të izraelitëve (të tjerët janë Agjeu dhe Malakia). 

Zakaria u thirr në shërbesën profetike në vitin 520 para Krishtit, dy muaj pas predikimit tё parё tё Agjeut. Përmes vegimeve dhe shëmbëlltyrave, Zakaria e shpall thirrjen e Hyjit për pendim, një kusht ky që premtimet e Zotit të mund tё realizohen. Profecitë e tij kanë të bëjnë me të ardhmen e Izraelit të rilindur, të ardhmen e afërt dhe të ardhmen mesianike. Zakaria nxjerr në pah karakterin shpirtëror të Izraelit të rilindur, shenjtërinë e tij.

Veprimi i Hyjit në këtë vepër shenjtërimi do të arrijë plotësinë me mbretërinë e Mesisë. Kjo rilindje është fryti ekskluziv i dashurisë së Zotit dhe plotfuqisë së Tij. Besëlidhja e konkretizuar në premtimin mesianik bërë Davidit e rifillon rrugën e saj në Jeruzalem. Profecia u realizua fjalë për fjalë në hyrjen solemne të Jezusit në qytetin e shenjtë

Kështu, së bashku me një dashuri të pakufishme për popullin e tij, Zoti i bashkon tё gjithё popujt, të cilët, të pastruar, do të bëhen pjesë e mbretërisë hyjnore. Zakaria i përket fisit të Levit, i lindur në Galaad, në pleqëri u kthye nga Kaldea në Palestinë, thuhet se kishte bërë shumë mrekulli, duke i shoqëruar me profeci me përmbajtje apokaliptike, siç është fundi i botës dhe gjykimi i dyfishtë hyjnor. Vdiq në moshё tё shtyrё e qe varrosur pranë varrit të Agjeut profet.

06 shtator 2022, 09:20