Kërko

Beata Maria Vergine Addolorata, Guido da Siena, 1275-1280 Beata Maria Vergine Addolorata, Guido da Siena, 1275-1280

Më 15 shtator Kisha katolike kujton Zojën e Dhimbshme

Përkujtimi i Zojës së Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve të të Birit Jezus dhe rri afër Tij, lartuar mbi kryq. Maria nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit Jezus, merr pjesë në veprën shëlbimpruese të Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake, mё 15 shtator, na fton sot të kundrojmë Zojën e Dhimbshme, te këmbët e Jezusit mbi kryq. Përkujtimi i sotëm i së Lumes Mari Virgjër të Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve të të Birit Jezus dhe rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvarin e Krishtit përmasën universale. 

Festa e Zojës së Dhimbshme lindi në vitin 1714

Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e  Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën 15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur  kremtimit të liturgjisë të së dielës, e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik të Kishës që  Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit.

Domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik 

Domethënia e këtij kujtimi liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit. Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon; është dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit  tonë Jezu Krishti nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shëlbimpruese të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit.

Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin…. Ky  pra është këndvështrimi teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit: “Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës, flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë e kishte lindur.

Grua, ja biri yt!

E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt mbi Kryq, dëgjoi fjalët që e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare.

E atëherë nuk mund të mos lindë pyetja: çfarë lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?. Ka shumë lidhje dhe kuptim. Na tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.

15 shtator 2022, 10:54