Kërko

Takimi GUTERRES-ZELENSKIY-ERDOGAN Takimi GUTERRES-ZELENSKIY-ERDOGAN 

Ukraina pas takimit Erdogan-Zelensky-Guterres

Hipotezë për armëpushim të përkohshëm dhe për një takim ndërmjet presidentit rus Putin e atij ukrainas Zelensky. Kievi kërkon më parë tërheqjen e rusëve. Problem, çështja e centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s

R.SH. – Vatikan

 E mbytur, e shtypur, e asgjësuar pothuaj krejtësisht nga armët, diplomacia ngre edhe një herë kryet e përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës ukrainase. E bën këtë në një ditë si ajo e djeshmja (18 gusht) plot me takime. Fillimisht ai ndërmjet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, pastaj takimi tripalësh në Lviv ndërmjet Zelensky-t, Guterres dhe presidentit turk Recep Tayyp Erdogan, për rreth dyzet minuta, me Turqinë e “sulltanit”, që luan rolin e mjeshtrit të madh të ceremonisë në konfliktin ndërmjet Moskës dhe Kievit, duke mbushur vendin e lënë bosh nga “aktorët” e tjerë, Evropa në krye.

Hipoteza e armëpushimit të përkohshëm

 Në bisedën me presidentin ukrainas Zelensky, Erdogan hipotizoi një armëpushim të përkohshëm, por edhe mundësinë e një takimi në Turqi ndërmjet Zelensky-t dhe presidentit rus Vladimir Putin. Sipas burimeve turke, me këtë hipotezë është dakord edhe Kremlini, i cili, deri tani, nuk e ka dashur. Sipas burimeve ruse, dy liderët mund “të diskutojnë hapat për t’i dhënë fund luftës”. Koha do të tregojë nëse do të ndërmerret kjo udhë, ndërsa presidenti Erdogan feston protagonizmin e tij në luftën ukrainase, pas marrëveshjes së mëparshme për grurin, me një marrëveshje për rindërtimin e Ukrainës, nënshkruar pikërisht dje. Edhe presidenti Zelensky e quajti vizitën e kreut të Ankarasë “një mesazh të fuqishëm përkrahjeje nga ana e një vendi të rëndësishëm” si Turqia.

Çështja e centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s

 Mbetet çështja shqetësuese e centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s, impanti më i madh i Evropës, që kontrollohet nga ushtria ruse. Moska e Kievi hedhin e presin akuzat për sulme drejtuar njëri-tjetrit. Dje, kërkesa e Zelensky-t për Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Guterres, ishte: “OKB-ja të garantojë sigurinë e Zaporizhzhia-s, çmilitarizimin e saj dhe çlirimin e plotë nga trupat ruse”. Si Erdogan, ashtu edhe Guterres, u shprehën qartë se askush nuk do një Çernobil tjetër.

Qëndrimi i Moskës: “jo” zonës së çmilitarizuar

 Por Moska nuk e ka ndërmend të lëvizë nga qëndrimi i vet. Zëvendësi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtem ruse, Ivan Nechaev, deklaroi se Kremlini i konsideron “të papranueshme” propozimet ukrainase për një zonë të çmilitaruar rreth centralit bërthamor. Sipas Moskës, Kievi provokon për të shkaktuar ndonjë “incident”, në mënyrë që t’ia veshë fajin Rusisë. Impianti është bombarduar nga forcat ukrainase në 12 raste, denoncon Moska, e cila nuk është dakord as t’i paraqesë IAEA-s, Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, pamje që dëshmojnë se nuk ka disllokuar armatime në afërsi të centralit. Rusia nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbylljes së impiantit, por, sipas Kievit, kjo do ta rriste “rrezikun për një katastrofë bërthamore”, që do të prekte edhe Gjermaninë, Moldavinë, Poloninë, Rumaninë e Sllovakinë.

Eksportimi i grurit do të intensifikohet para dimrit

 Kapitull tjetër: gruri. Zelensky dhe Guterres diskutuan për eksportin e grurit, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që mundësoi shpërndarjen e grurit në vende të tjera. Guterres deklaroi se OKB-ja do ta rrisë eksportin para së të vijë dimri.

19 gusht 2022, 16:38