Kërko

 Vetrate delle Chiese gotiche Vetrate delle Chiese gotiche

Shenjtorët e javës 14 – 21 gusht

Më 14 gusht Kisha Katolike kremton të Dielën 20-të të vitit kishtar, po në këtë ditë përkujtohen shën Masimilian Kolbe, martir gjatë nazizmit. Po sot bie me 14 gusht edhe nata e festës së Të Ngjiturit të Virgjrës Mari në Qiell, Zojës së Madhe

R.SH. - Vatikan

Sot e diel, 14 gusht, Kisha katolike romake kremton të Dielën e 20-të gjatë vitit kishtar 'C', por edhe nata e festës së Të Ngjiturit të Virgjrës Mari në Qiell, Zojës së Madhe, që njihet edhe si “Pashka e Nënës së Zotit”.

Nga Ungjilli i kesah se diele nga Luka ( Lk 12, 49-53) Zoti ka fytyrë, ka emër: Zoti është mëshirë, është besnikëri, është jetë, ёshtё dashuri që dhurohet. Pasi Jezusi erdhi në botë, nuk mund të sillemi si të mos e njihnim, si të ishte diçka abstrakte, e zbrazët, vetëm një emër e asgjë më.
Jezusi është paqja jonë, është pajtimi ynë! Po kjo paqe nuk është paqe varrezash, nuk është asnjanësi. Jezusi nuk sjell asnjanësi. Ta ndjekësh Jezusin, do të thotë të heqësh dorë nga e keqja, nga egoizmi e të zgjedhësh të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur duhet të flijohesh e të heqësh dorë nga interesat vetjake.

Të hënën më 15 gusht, Kisha katolike kremton festën e të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell, po më 15 gusht kalendari përkujton edhe Shën Tarçizin e Shën Stanislaun Kostkën. Solemniteti i të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell (Zojës së Madhe) na fton të kundrojmë të vërtetën ngushëlluese të fesë, të ngjiturit e Marisë në Qiell me korp e me shpirt. Pas vuajtjes, vjen lavdia: shndërrim drejt të cilit shkon çdo njeri e mbarë gjithësia. Ajo, nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Krishti është fryti i parë, por korpi i tij i ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në ngjitjen drejt Hyjit.

Të martën më 16 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Shtjefnin e Hungarisë, Shën Rrokun, shtegtar dhe Shën Teodorin.

Të mërkurën më 17 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Kiaren e Kryqit, abateshë agostiniane, shën Euzebin, papë e martir, Shën Gjovanën Delanoue dhe Shën Mironin.

Të enjten më 18 gusht, kalendari kishtar përkujton Martirët e Ulpianës afër Prishtinës: Shën Florin e Laurin, dy shënjtorë që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare, në qytetin e Ulpianes, afër Prishtinës, në tokën e Dardanisë, Kosovë e sotme. Gjithnjë më 18 gusht bie përkujtimi i Shën Helenës, perandoreshë, nënë e Shën Konstandinit, i Shën Agapitos, martir dhe i së Lumes Paola Montaldi.

Më 19 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Eudes, meshtar, themeluesi i Eudistëve, shën Sikstin III, papë dhe shën Magnon, martir.

Të shtunën, më 20 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin, abat e dijetar i Kishës, e Shën Samuelin profet dhe e shën Marinë de Mattias, virgjër, themeluese e Adhuruesve të Gjakut të Krishtit.

Të Dielën më 21 gusht, Kisha katolike kremton të Dielën e 20-të gjatë vitit kishtar 'C', e po këtë dite kalendari përkujton edhe Shën Piun X, papë.

14 gusht 2022, 08:37