Pesë vjet më parë dëbimi i Rohingya, popull që nuk e do askush
R.SH. - Vatikan
Ishte viti 2017, ndërmjet 25 gushtit dhe 7 shtatorit, pesë vjet më parë, në vitin 2017, kur forcat e sigurisë së Mianmarit i sulmuan, duke i vënë në ikje, qindra mijëra njerëz në shtetin Rakhine. Thirrjet e vazhdueshme të Françeskut për viktimat e padrejtësisë e të dëbimit nga toka e tyre, që enden nëpër botë pa kurrfarë mbrojtjeje tjetër.
Papa u pati kërkuar Rohingya-ve falje, në emër të gjithë botës, kur nuk kishin kaluar as katër muaj nga dëbimi i tyre prej Mianmarit, në Bangladesh. Pikërisht këtu, në kryeqytetin Dhaka, gjatë shtegtimit të tij apostolik ndërmjet nëntorit dhe dhjetorit 2017, Françesku priti një grup, i cili foli për “tragjedinë” e “vëllezërve dhe motrave, në ngjasim të Zotit të gjallë”. Me kalimin e viteve, Ati i Shenjtë nuk reshti kurrë së bëri thirrje për këtë popull i cili, i njohur globalisht, “mbetet gjithnjë i padëshiruar nëpër rrugët e botës”. Nuk e do askush këtë popull - siç shprehet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, që e quajti “nga më të diskriminuarit në botë, nëse jo më i diskriminuari”. Dje, gjatë një audience, mendimi i fundit i Françeskut ishte “për Rohingya-t që shtegtojnë pa cak nëpër botë, të përzënë padrejtësisht nga trojet e tyre”.
Vrasje masive dhe përdhunime
Ndërmjet 25 gushtit dhe 7 shtatorit, pesë vjet më parë, në vitin 2017, ushtria e Mianmarit, e cila në atë kohë kishte fituesen e çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi si këshilltare shtetërore, nisi dhunën dhe persekutimin në fshatrat Rohingya, me një bilanc prej 10 mijë të vdekurish, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë, dhe me qindra mijëra njerëz të arratisur. Forcat e sigurimit së Mianmarit u akuzuan për përdhunim masiv, vrasje dhe vënie zjarri në mijëra strehë Rohingya. Kjo hetakombë u quajt përgjigje ndaj dhunës së grupeve kryengritëse, që kishin sulmuar policinë dhe pikat kufitare.
Të jetosh në Cox's Bazar
Pas dëbimit nga Mianmari, Rohingya, rreth një milion e gjysmë Rohingya u ndanë ndërmjet Bangladeshit, Tajlandës dhe Malajzisë. Nisën një jetë “të re” në kushte të papërfytyrueshme jetese, ndër lagjet më të varfëra. Në Bangladesh mbi 700,000 vetë përfunduan në distriktin Cox's Bazar, një nga më të varfrit në vend, në provincën e Chittagong, ku tashmë ka edhe 300,000 të tjerë. Në kampin e refugjatëve Kutupalong, ndoshta më i madhi në botë, Rohingyat, të cilët përbëjnë shumicën e banorëve, janë të detyruar të jetojnë pa sistem shëndetësor, pa shkollë, të kequshqyer, si të rriturit, ashtu edhe fëmijët, veçanërisht nën moshën 5 vjeç. Dhuna, përfshirë përdhunimin dhe rrëmbimin, është në rendin e ditës dhe zjarret shkatërruese shpërthejnë periodikisht, ndërsa mungon krejtësisht ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.
Popull martir
Rohingya janë shembull i një populli martir - kujtoi Françesku në një video-mesazh qershorin e kaluar - duke folur rishtas për këtë popull mysliman sunit, për të cilin nuk interesohet askush. Popull pa atdhe, por që deri në vitin 2017 përbënte një të tretën e banorëve (3.2 milionë në total) të shtetit birman të Rakhine, në bashkëjetesë, megjithëse jo paqësore, me shumicën budiste. Në ato troje, edhe pse një nga etnitë shekullore në vend, vuajti gjithnjë, u diskriminua, u poshtërua në të gjitha mënyrat. Rohingya-ve nuk ju dhanë asnjëherë të drejtat themelore, as statusi i qytetarëve, gjë që i pengoi gjithnjë të lëvizin lirshëm, si dhe të kenë tokën e tyre, që iu shpronësua gjithmonë. Sot Mianmari akuzohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për spastrimin etnik kundër Rohingya-ve.