Kërko

Gaza City Gaza City 

Në Gaza, armëpushimi respektohet. Kisha kërkon kthimin e paqes

Ndërmjetësimi i Egjiptit vendosi armëpushimin ndërmjet ushtrisë izraelite dhe milicëve palestinezë të Xhihadit Islamik, duke i ndalur sulmet në Rripin e Gazës. Fillimisht, menjëherë pas shpalljes së armëpushimit, vijuan raketat palestineze dhe sulmet izraelite, por tani është radha e kërkesave. Nga famullia e Rripit të Gazës, Át Romanelli: të lutemi që të punohet vazhdimisht për paqen

R.SH. – Vatikan

         Duket se respektohet armëpushimi ndërmjet ushtrisë izraelite dhe milicëve palestinezë të Xhihadit Islamik, arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit. Sot paradite, Izraeli hapi kalimin kufitar të Kerem Shalom, mbyllja e të cilit shkaktoi edhe ndërprerjen e veprimtarisë së centralit elektrik të Gazës. U hap edhe kalimi për këmbësorët në Erez, që shërben kryesisht për të lejuar punëtorët e njërës anë të shkojnë në punë në anën tjetër.

         Gjatë natës, sirenat vazhduan të binin në jug të Izraelit: fillimisht, raketat nga Rripi i Gazës nuk u ndalën e, kështu, edhe përgjigjja izraelite. Ushtria e Tel Avivit deklaroi se ka goditur “një numër të madh” objektivash të Xhihadit në Gaza. Pastaj, njoftoi se operacioni “Breaking Dawn” ia arriti qëllimit. Fatkeqësisht, vetëm në tri ditë shkaktoi të paktën 40 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, duke përfshirë edhe fëmijët.

Ndërmjetësimi egjiptian

Marrëveshja, e konfirmuar nga Xhihadi, u arrit falë angazhimit të Kajros për lirimin e dy anëtarëve të grupit radikal palestinez, Bassem al-Saadi dhe Khalil Awawdeh. Palëve u bëri thirrje për paqe edhe bashkësia ndërkombëtare. Presidenti amerikan Joe Biden, pas armëpushimit, deklaroi se "izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë në siguri".

Famullitari i Gazës: të kthehet paqja

         “Shpresojmë të mos jetë vetëm armëpushim, por të kthehet paqja”, komenton Át Gabriel Romanelli, famullitar i Gazës: “jemi mirë, por shqetësimet janë të shumta. Dhuna e ditëve të fundit - vijon ai – e befasoi pjesën më të madhe të popullsisë: në famullinë katolike të Gazës i kemi pezulluar të gjitha veprimtarinë. Falë Zotit e kishim përfunduar kampin veror për 230 fëmijë dhe të rinj. Nuk ka siguri. Tani gjithçka është pezulluar, përveç adhurimit të përditshëm eukaristik dhe meshës. Ishin vetëm disa ditë dhune, por shumë intensive. Këtë nuk e prisnim, sepse këtë vit situata dukej më e qetë: Izraeli pati dhënë disa mijëra leje për punëtorët palestinezë. Shpresojmë që gjendja të qetësohet sa më shpejt dhe kërkojmë nga të gjithë të luten dhe të punojnë për paqen, për drejtësinë e qëndrueshme ndërmjet popullsive e për pajtimin ndërmjet tyre”.

08 gusht 2022, 13:55