KFOR gati të marrë masat e nevojshme në Kosovë, Moska mbron serbët
R.SH. – Vatikan
Të bëhet ç’është e mundur për dialogun, por nëse cënohet stabiliteti, do të merren të gjitha masat e nevojshme. Ky paralajmërim pa doreza u erdhi serbëve e kosovarëve përmes një komunikate të KFOR-it, forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja, që garanton paqen në Kosovë. E nuk lë shteg për interpretim. KFOR-i, thuhet në të, “kontrollon nga afër” gjendjen në kufirin ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe është “gati të ndërhyjë nëse vihet në rrezik qëndrueshmëria” e zonës, sipas mandatit të sanksionuar me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Komandati i forcës ndërkombëtare, hungarezi Ferenc Kajari, është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet dhe me komandat ushtarake për të favorizuar dialogun ndërmjet palëve.
“Lufta e targave”
Tensioni është i lartë e shqetësimi ndërkombëtar, edhe më tepër. E ashtuquajtura “luftë e targave”, që ka rrezik ta shndërrojë rajonin në Ukrainën e Ballkanit, është vetëm maja e problemeve, të cilat i kanë rrënjët në konfliktin e viteve ’90. Kësaj radhe, çështja lindi nga vendimi i Prishtinës për popullsinë serbe të Kosovës, e cila ka mbetur e lidhur me strukturat paralele të Serbisë, financuar nga Beogradi, kryesisht në zonën veriore të vendit. Nga 1 gushti, serbët e Kosovës duhej të kishin dokumente identiteti të lëshuara nga Prishtina dhe duhej të ndërronin targat e automjeteve nga serbe në kosovare. Pati protesta e bllokime rrugësh nga ana e tyre, duke bërë që Prishtina të mbyllte pikat kufitare të Jarinjes e Brnjakut. Kryeministri kosovar Albin Kurti akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç për nxitjen e tensioneve të reja ndëretnike, ndërsa ky i fundit e paralajmëroi Prishtinën të mos vijojë politikën kundër serbëve të veriut.
Kompromisi e shtyn çështjen në shtator
Më në fund, u arrit një kompromis, që e shtyu për shtator ndërrrimin e dokumenteve e të targave për serbët. Marrëveshja u përshëndet pozitivisht nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, i cili nënvizoi se mosmarrëveshjet ndërmjet dy palëve duhet të zgjidhen me dialog e me ndihmën e Brukselit, pasi normalizimi i marrëdhënieve është “thelbësor për rrugën e integrimit të të dyja vendeve në BE”. Serbia e Kosova janë ftuar në Bruksel për bisedime.
Qëndrimi i Rusisë
Edhe Moska e ngre zërin. Zëdhënësi i qeverisë ruse, Dmitry Peshkov kërkoi respektimin e të drejtave të serbëve, duke u kërkuar vendeve perëndimore, që “e kanë njohur dhe janë bërë garantë për Kosovën” t’u thonë autoriteteve të Prishtinës të heqin dorë nga masat për dokumentet. Kreu i Dumës ruse, Vyachslav Volodin, shkoi edhe më tej: “Faji për konfliktin në kufirin serbo-kosovar është i Uashingtonit. Qëllimi është i qartë: të dobësohen disa vende, që guxojnë të mbajnë qëndrime të pavarura”. Përgjigjja e KFOR-it erdhi menjëherë me Twitter: misioni është “gati të marrë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.