Jezuiti At Jak Gardin në përvjetorin e vdekjes
R.SH. - Vatikan
Më 3 gusht kujtojmë jezuitin që i dëftoi botës tmerret e komunizmit në Shqipëri, At Jak Gardinin, në përvjetorin e vdekjes.
At Giacomo (Jak) Gardin (24 shtator 1908 – 3 gusht 1996), që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku, lindi në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën Pordenone-s, më 24 shtator 1905. Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë dha mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu thellësisht zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike dhe këtu u shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati.
Më 2 shkurt 1941 At Gardin bëri kushtet e përjetshme. Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205) u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin ta naltojnë/ N’virtyte i shêjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë hyjrina//
Për 20 vjet me radhë, At Gardini, vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri: dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe.
Këtu shkroi librin “Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti besnik ndaj misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit.
At Jak Gardini ndërroi jetë më 3 gusht 1996, në Gallarate të Italisë, në atdheun e vet, ndonëse dëshira e tij e zjarrtë ishte t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke, në atdheun e dytë, në Shqipëri.
Shumë gjëra u kujton shqiptarëve emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtzakonshme për ta predikuar e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin, të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen, që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë.
Emri i At Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë.
Vepra “Dhetë vjet burgim në Shqipní” është një rrëfim i thjeshtë e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. At Jak Gardini nuk mëton të shkruajë historinë e këtyre viteve të zymta e të përgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e as të analizojë gjendjen e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë përvojën e vet, përshtypjet e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të bujshme historike, por beson se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore, do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër i kujton detyrën që të përpiqet për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan bota e sotme. Gjatë tregimit, autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë katolikë që vuajtën bashkë me te, sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë, të lirisë e të atdheut.
Përfundimi logjik në të cilin arrin At Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më të madh!”
At Gardini në veprën e tij “10 vjet burg në Shqipni” më 1988 rrëfen thjeshtë e sinqerisht, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje salvimin e padrejtë të të krishterëve e të popullit shqiptar në kohën e komunizmit.