Kërko

Për viktimat e terrorizmit, lutje e lule! Për viktimat e terrorizmit, lutje e lule! 

Dita e përkujtimit dhe homazhit për viktimat e terrorizmit

Kombet e Bashkuara kujtojnë viktimat e sulmeve dhe të atentateve të Brigadave të Kuqe e të terrorizmit ndërkombëtar, që vijon të vrasë. E pra, na kujton Giovanni Berardi, bir i një të vrari nga terroristë, në librat e historisë, në shkolla, nuk ka asnjë faqe për terrorizmin!

R. SH. - Vatikan

Sulmi i fundit i përgjakshëm në Somali tregon një të vërtetë të padiskutueshme, dramatike: numri i të vdekurve nga duart e terroristëve nuk do të ndalet kurrë. Është skenë e njohur fatkeqësisht kudo. Mund të ndryshojë sipas vendit dhe sipas mënyrës, por dhimbja e anëtarëve të familjes dhe miqve të të vraëve mbetet e njëjtë për të gjithë. Këtyre njerëzve u kushtohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit dhe Homazhit për Viktimat e Terrorizmit,  shpallur nga OKB-ja, që kremtohet çdo 21 gusht, sivjet në edicionin e pestë.

Një plagë gjithnjë e hapur

Në një kohë kur, na kujtojnë Kombet e Bashkuara, bota lufton për të dalë nga urgjenca Covid, “viktimat e terrorizmit vazhdojnë të jetojnë në pasiguri dhe ankth, ndërsa ndeshjet e armatosura, sulmet e dhunshme dhe aktet terroriste në të gjithë botën vijojnë të duken në titujt kryesorë të mjeteve të komunikimit, duke ndikuar keqas mbi të sotmen dhe të ardhmen e një mënxyre të tillë, siç është terrorismi! E ndoshta edhe duke i keqësuar traumat”. Viktimat e terrorizmit lënë pas histori jetësh të rrënuara, plagë që nuk shërohen kurrë. Si kur flitet për terrorizmin e kuq apo neofashist, ashtu edhe kur flitet për terrorizmin xhihadist apo të ndonjë lloji tjetër!

Braktisja e viktimave

Tema e këtij viti është “Kujtimet”. Kujtime - shpjegon OKB-ja, të cilat “na bashkojnë si të ishim të lidhur me një fije të kuqe, simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe solidaritetit me ata që vuajtën e vuajnë humbje të pandreqshme, në rrethanat më mizore”. Na e kujton këtë përsëri Giovanni Berardi, kryetar i Shoqatës Evropiane të Viktimave të Terrorizmit, pasi ka qenë edhe kryetar i asaj italiane. Babai i tij, Rosario, marshall i sigurisë publike, u vra më 10 mars 1978, në Torino, nga Brigadat e Kuqe. Gjashtë ditë më vonë do të ndodhte sulmi në Rrugën Fani në Romë, me masakrimin e rojeve të Aldo Moros, i cili do të vritej dy muaj më vonë. “Vrasja e babait tim ishte një tentativë tjetër për të ndaluar gjyqin, zhvilluar në Torino, për drejtuesit historikë të Brigadave të Kuqe! Përpjekje e kotë, sepse gjyqi gjithsesi vazhdoi”. Për Berardin, i cili i ka kushtuar gjithë jetën kujtimit të viktimave, të flasësh për “fillin e kuq që lidh njerëzimin me viktimave, është paksa e vështirë”, sepse 44 vjet pas vrasjes së Moros dhe pas gjithë akteve kriminale të terrorizmit ndërkombëtar, ai është i sigurt se “ky fill është shumë i hollë, për të mos thënë i padukshëm, dhe se viktimat janë braktisur në gjirin e fatit të tyre të zi!”.

Shumë formë, por pak substancë

Deri më tani, për Berardin, viktimat nuk janë nderuar kurrë siç duhet. Përkundrazi, fenomeni është theksuar më shumë në formë, sesa në thelb. “Në shkolla, për shembull - shpjegon ai - në librat e historisë së nxënësve nuk ekziston asnjë faqe serioze kushtuar terrorizmit. Të rinjtë nuk e dinë absolutisht çfarë ka ndodhur nëpër kohë në Itali, apo në çfarë shteti kanë jetuar! Sepse është faqe, të cilën shumëkush sot do të donte ta mbyllte, edhe pse nuk mundet. Del gjithnjë në sipërfaqe, duke i treguar botës se ka shumë sekrete shtetërore, që lindin mbi masakrat”. Bashkimi Evropian, pas sulmit terrorist islamik në Madrid, në vitin 2004, vendosi që 11 Marsi të ishte Dita e Përkujtimit të viktimave të terrorizmit brenda Bashkimit Evropian, por çështja, për Berardin, mbetet e njëjtë. “Ne mjaftohemi gjithmonë me këto ditë, që janë shumë formale, ekspoze parimesh. Por pak bëhet për të mbrojtur interesat dhe kujtimin e atyre që u flijuan, pak, sidomos duke parë çka u mësohet e çka nuk u mësohet brezave të rinj”.

21 gusht 2022, 11:57