Kërko

Bomba atomike në Hiroshimë Bomba atomike në Hiroshimë  

Bomba atomike: holokaust më 1945-sën, kërcënim i tmerrshëm sot

Më 6 dhe 9 gusht, 77 vjet më parë, dy qytete japoneze u kthyen në gërmadhë nga një armë shkatërrimtare: bomba atomike. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kujton se “njerëzimi po luan me një armë të mbushur”. Maurizio Simoncelli nënkryetar i Arkivit të Çarmatimit të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve pohon: sot konflikti në Ukrainë na kujton se kërcënimi atomik është real.

R. SH. - Vatikan

Verona në Itali, Popayán në Kolumbi, Kehancha në Kenia, Tambov në Rusi, Cherson në Ukrainë. Këto qytete, kaq të largëta dhe të ndryshme prej njëri-tjetrit, kanë një shifër të përbashkët: numri i banorëve të tyre është pak a shumë ai i popullsisë së Hiroshimës në vitin 1945. Rreth 255 mijë njerëz jetonin në kryeqytetin portual japonez kur, më 6 gusht të atij viti, një stuhi përvëluese ndiqte lëshimin e bombës atomike me uranium nga Forcat Ajrore të SHBA. Tragjedi e skalitur në kujtesën botërore, që mbetet   dëshmi edhe në kohën tonë të pambrojtur nga rreziku i një katastrofe të re,  një shfarosjeje të re. Hiroshima dhe Nagasaki, që përjetuan tmerrin e forcës ushtarake atomike, nuk janë kapituj dramatikë që i përkasin së kaluarës. Janë paralajmërim i përhershëm, në mënyrë që qytetet e tjera të mos goditen nga një prej më shumë se 12 mijë e 700 armëve bërthamore  që e kërcënojnë botën nga të katër anët e globit, në rrezik që të shpërthejë një ditë i tëri!

Shumica e bombave atomike sot janë shumë më të fuqishme se ato që u  hodhën gjatë Luftës II Botërore: mund të bëjnë kërdi, kudo! Mund të kenë pasoja dramatike, që vijojnë për dekada, duke rrënuar jetën e disa breznive!

OKB: “Njerëzimi po luan me një armë të mbushur”

Duke folur në ceremoninë përkujtimore për 77-vjetorin e shpërthimit të bombës në Hiroshima, Sekretari i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të shtimit të rezervave të armëve bërthamore, duke paralajmëruar krijimin e disa krizave me “nuanca të rrezikshme” që po përhapën me shpejtësi:

“Armët bërthamore nuk kanë kuptim. Tre çerek shekulli më vonë, ne duhet të pyesim veten se çfarë mësuam nga reja e kërpudhave, që u ngrit mbi  këtë qytet në vitin 1945”- kujtoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së në Parkun Memorial të Paqes, në Hiroshima. “Krizat me nuanca të rënda bërthamore po përhapen me shpejtësi, nga Lindja e Mesme - në Gadishullin Korean, e edhe në pushtimin rus të Ukrainës, nerëzimi po luan me një armë të mbushur. Që rrezikon t’i shkrehet në dorë!”.

Papa: paqja nuk mund të arrihet me ekuilibrin e terrorit

“Armët bërthamore formojnë arsenale, që kërcënojnë njerëzimin, shtëpinë tonë të përbashkët. Ato nuk janë mburoja të logjikës së parandalimit, por ‘dyert’ e mundshme që hapen mbi një humnerë, ku gjithë familja njerëzore mund të bjerë papritur”. Papa Françesku e ka kujtuar këtë disa herë gjatë papnisë së tij. E përsëriti edhe kohët e fundit në një postim Twitter në fillim të Konferencës së OKB-së mbi rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), në Nju Jork, në vijim deri më 26 gusht. “Përdorimi i armëve bërthamore si dhe pasja e tyre - shkruan Papa - është imorale. Përpjekja për të siguruar stabilitet dhe paqe përmes  ndjenjës së rreme të sigurisë dhe ‘ekuilibrit të terrorit’ çon në mënyrë të pashmangshme në marrëdhënie të helmatisura ndërmjet popujve dhe pengon dialogun e vërtetë”. .

Kërcënim real

“Ne shohim, për fat të keq, se përdorimi i mundshëm i këtyre armëve është menduar brenda doktrinave strategjike të vendeve që kanë armë atomike. Ky, pohimi i Maurizio Simoncelli-t, nënkryetar dhe bashkëthemelues i Institutit të Kërkimeve Ndërkombëtare për Çarmatimin:

“Më 6 gusht, bomba bërthamore u hodh në Hiroshima. Tri ditë më vonë, një tjetër bombë atomike goditi Nagasakin. Çfarë na thonë sot këto ngjarje, që duket kaq larg nga jeta jonë?

Ajo na kujton se energjia bërthamore nuk është thjesht kërcënim hipotetik, por fakt që ndodhi historikisht. E konflikti në Ukrainë na kujton edhe se është kërcënim, që mund të ndodhë përsëri. EDhe ky, historikisht! Për fat të keq shikojmë se përdorimi i mundshëm i këtyre armëve mendohet brenda doktrinave strategjike të vendeve që kanë armë atomike. Mundësia e vetëshkatërrimit të qytetërimit tonë nuk është përrallë. Bombat vdekjeprurëse janë gjithnjë gati ta shndërrojnë botën në gërmadhë e njerëzimin,  në varrezë gjigande!”.

Konferenca e OKB-së në Nju Jork për të forcuar marrëveshjen kundër armëve bërthamore

Konferenca e OKB-së për rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, që vijon në Nju Jork, mbahet në një çast kritik. Skenari më alarmues, por jo i vetmi, lidhet me luftën në Ukrainë. Por konflikti në vendin e Evropës Lindore nuk është i vetmi faktor rreziku... Pesëdhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, 12.700 testata bërthamore janë ende të pranishme në botë. Armë, që kërcënojnë jetën në planetin tonë. Jemi gjithashtu dëshmitarë të modernizimit të transportuesve me avionë gjithnjë e më të fuqishëm, me raketa hipersonike e me aplikimin e inteligjencës artificiale edhe në sektorin ushtarak bërthamor. E në këtë atmosferë, është e vështirë të përfytyrohet se kjo Konferencë e OKB-së për rishikimin e NPT-së do të përfundojë me ndonjë rezultat pozitiv. Ndër të tjera, në këtë klimë tensioni, pushtimi rus që filloi në shkurt mund të bëjë që disa vende ta rishikojnë vendimin e tyre për të hequr dorë nga armët bërthamore ...

Ky është një tjetër nga efektet e kësaj krize. Nuk duhet harruar se në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe të çarmatimit, që ndodhi në fillim të viteve 1990, Ukraina dhe vendet e tjera kishin hequr dorë nga armët atomike, pjesë e arsenalit të ish-sovjetikëve. Angazhimi ishte që arma atomike të mos përdorej dhe këto vende të mos kërcënoheshin pikërisht sepse ishin bashkuar me procesin e çarmatimit. Sot, megjithatë, ne  marrim një mësim historik nga ata që kanë mbajtur armë bërthamore: ruajtjen e një forme ‘sigurimi’”.

Françesku: bota duhet çliruar nga armët bërthamore

 Françesku ka pohuar vazhdimisht se përdorimi dhe mbajtja e armëve bërthamore është imorale. E edhe se ekuilibri i terrorit nuk mund të jetë garanci për një botë në paqe ...

Papa ka ngritur vazhdimisht zërin kundër armëve bërthamore dhe kundër luftërave. Është e qartë se kërkimi i supremacisë ushtarake, qoftë edhe në fushën bërthamore, nuk mund t’i shërbejë paqes në botë. Kur një vend ose një koalicion shtetesh përpiqet të ushtrojë supremacinë ushtarake, krijon terrenin për një mekanizëm, me pasojë frymën e frikës në vendet e tjera, që ndjehen të kërcënuara! Shembet kështu, siguria e përbashkët. Në vend të saj, mbretëron pasiguria e përbashkët e, si pasojë, nis gara e re e armatimeve gjë që, për fat të keq, po e shikojmë prej disa vitesh.

06 gusht 2022, 12:04