Kërko

 San Bernardodi Chiaravalle San Bernardodi Chiaravalle

Më 20 gusht kalendari kishtar kujton shën Bernardin e Kiaravales

Përdori edhe shatin e arat: Bernardi, murg reformator ndёrmjet doktrinës sё krishterё e politikёs, është një nga etërit e murgjёve Cistercenës të cilët ai i dërgoi në një Evropë të pakultivuar. Bindja dhe e mira e Kishës shpesh e shtynë atë të linte paqen monastike për t'iu përkushtuar çështjeve më serioze politiko-fetare të kohës së tij. Mёsues i udhërrëfyesit shpirtëror na lë në predikimet e tij komentin mbi Biblën dhe liturgjinë, një dokument tё jashtëzakonshëm tё teologjisë murgare

R.SH. - Vatikan

Shën Bernardi, mistik i madh, që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. 

Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë  as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës. Shën Bernardi shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin.

Shën Bernardin e Kiaravales, Papa Piu VIII e quajti “doktor gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e i çdo forme tjetër të jetës së krishterë.

Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës, sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë e madhe të Etërve kishtar. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur.

Në rini e tërhoqën të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë, ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e këshillave ungjillore.

Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe, u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.

Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderuar, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën e kaluar. Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve”.

Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh Papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë Papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha kohëve.

Po e përfundojmë këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë Virgjër, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura:
Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).

Shën Bernardi pohon se “ajo, Virgjёra Mari ia hapë pafundësinë e mëshirës së Zotit atij që do, kur do e si do; kështu që nuk ka mëkatar, sado i mbrapshtë të jetë, që të humbasë, në se gëzon mbrojtjen e Marisë”. (Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris)

Në vijim, Shenjti na kujton se, kur gjunjëzohet para Zojës së Bekuar, mëkatari nuk duhet të ketë frikë, as turp, për shkak të mëkateve të veta. Përkundrazi, sepse: “... si mund t’ia mohosh ndihmën njeriut të mjerë, ti, Mari, që je Mbretëreshë e mëshirës? E kush mund të jenë nënshtetasit e tu, përveç mjeranëve? Ti je mbretëreshë e mëshirës e unë, mëkatari më i madh; prej këndej, edhe më i madhi i nënshtetasve të tu”. (Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris).

20 gusht 2022, 11:16