Kërko

Të mbjellim pemë, që zemra e Planetit të vijojë të rrahë

Të mbjellim pemë, që zemra e Planetit të vijojë të rrahë/Ta dëgjojmë britmën e tokës! /Tokës së plagosur nga armët! /Të mbështjellë me re tymi, fryt i tmerrshëm i luftërave! /Të mbjellë me varre. /T’i veshim me gjeth të gjitha viset, ku mund të harliset blerimi. Malet, kodrat, hapësirat /ndërmjet ndërtesave, vetë ndërtesat, /që bota të mund të marrë frymë me të dyja mushkëritë, e me të, edhe ne.

R.SH. - Vatikan

Të mbjellim pemë, që zemra e Planetit të vijojë të rrahë

Ta dëgjojmë britmën e tokës!

Tokës së plagosur nga armët!

Të mbështjellë me re tymi, fryt i tmerrshëm i luftërave!

Të mbjellë me varre.

T’i veshim me gjeth të gjitha viset, ku mund të harliset blerimi. Malet, kodrat, hapësirat ndërmjet ndërtesave, vetë ndërtesat, që bota të mund të marrë frymë me të dyja mushkëritë, e me të, edhe ne.

Të kujdesemi që të ruhet e të lulëzojë blerimi i mbjellë në rrugët, mbi fasadat e shtëpive, në tarracat, para portave…

Kur dielli përvëlon e ne e ruajmë veten nga rreziku i rrezeve, që  të hapin plagë, ta ruajmë edhe tokën e plagosur nga rrezet përvëluese të diellit.

Ta ruajmë, duke ruajtur ujin, që është ilaçi i blerimit!

Duke ruajtur burimet, ku pijnë ujë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët e bimët…

E ku “lahet lakuriq Toka” gjithnjë më e trazuar nga kriza klimaterike dhe e sëmurë jashtë mase nga ndotja atmosferike, që e helmon!

Ta dëgjojmë britmën e tokës!

T’i japim fund rrënimit e ta ringjallim blerimin, sa nuk është vonë!

Që toka të mos zemërohet e akujt të mos e përmbysin gjithçka, duke e kthyer njerëzimin në kohën e Noehit!

Por, kush do të jetë Noehi? E kush do ta sajojë barkën, e kush do të pranohet në të nga ky njerëzim që, me etjen për pushtet e pasje, po e zemëron vetë Krijuesin?

15 korrik 2022, 11:18